E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, protestë kundër dëbimit të studentes shqiptare

Media amerikane bën të ditur se studentja, bashkë me familjen kishte shkuar në SHBA me vizë turistike në vitin 2001. Më pas asaj i është mohuar kërkesa për azil politik dhe tashme ajo duhet të largohet nga Amerika drejt Shqipërisë 

DETROIT - SHBA kërkon dëbimin e studentes shqiptare, por bashkëkombësit e saj organizojnë mbledhjen e firmave për të mos e lejuar këtë. Më shumë se 100 vetë protestuan dje në kishën Shpresa e Komunitetit në Detroit të SHBA-së, kundër dëbimit në Shqipëri të 19-vjeçares nga Shqipëria, Herta Llusho. Media amerikane bën të ditur se studentja, bashkë me familjen kishte shkuar në SHBA me vizë turistike në vitin 2001. Më pas asaj i është mohuar kërkesa për azil politik dhe tashme Llusho me nënën e saj duhet të largohen nga Amerika drejt Shqipërisë. Afati për largimin e saj është dita e sotme. Por, bashkëkombësit e saj i kanë dërguar një peticion Departamentit të Sigurisë së Brendshme dhe Sekretares Xhenet Napolitano, për të kërkuar qëndrimin e saj për të përfunduar studimet. Peticioni është firmosur nga rreth 2370 vetë, ndërsa duhen edhe 3500 firma të tjera për të mos lejuar dëbimin e vajzës drejt Shqipërisë. Vetë vajza, në një video në Youtube tregon pse duhet të qëndrojë në SHBA. Ajo thotë se e ndjen veten më shumë amerikane dhe madje më shumë i mendon fjalët në anglisht se në shqip. Ajo thekson se beson në vlerat e një vendi si SHBA dhe shpreson që ëndrra e saj për të përfunduar studimet dhe për të qëndruar në SHBA të bëhet realitet. Në mbështetje të studentes janë jo vetëm komuniteti shqiptar në Detroit, por edhe studentët. Avokatët e kësaj çështjeje argumentojnë se vajza nuk duhet të largohet për shkak të potencialit të saj intelektual. Studentët e talentuar meritojnë të qëndrojnë dhe të përfundojnë studimet e tyre, argumentojnë juristët.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›