SHBA, republikani Polenti tërhiqet nga gara presidenciale

Ish guvernatori i Minesotës, Tim Polenti, është tërhequr nga gara për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, ndërsa kandidatja Mishel Bakmen, e fuqizoi pjesëmarrjen e saj në garë.
Polenti, që njëherë konsiderohej si garues i fuqishëm për nominim republikan, për t`u ballafaquar me presidentin demokrat, Barak Obama, në zgjedhjet e ardhshme në nëntor të vitit 2012, u largua nga gara, pas paraqitjes dëshpëruese në votimin provë, të shtunën në shtetin Ajova, i cili paraqet një test të hershëm të forcës së kandidatëve.
“E dini, unë jam nga një shtet i vogël. Unë nuk kam rrjet të madh kombëtar financiar ose rrjet politik”, tha Tim Polenti, pasi vendosi të largohet nga gara, për shkak se e zuri vendin e tretë në votimin, provë në Ajova. E para në këtë votim doli Mishel Bakmen me 29% të votave, kongresmeni nga Teksasi, Ron Paul, ishte i dyti me 28, ndërsa Polenti ishte i treti me 14 përqind.