E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA shtojnë mbështetjen financiare për opozitën siriane

Administrata e Presidentit amerikan, Barack Obama, po shton mbështetjen financiare për kundërshtarët e Presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad. Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, drejtoi një takim të ministrave të Jashtëm të vendeve, që mbështesin opozitën siriane.

Sekretarja Clinton tha se Washingtoni do të japë edhe 15 milionë dollarë për kundërshtarët politikë të Presidentit Assad dhe 30 milionë dollarë të tjera si ndihmë humanitare për ata që janë zhvendosur për shkak të luftimeve.

"Kushtet në Siri po vazhdojnë të përkeqësohen, ndërkohë që regjimi i Assadit lufton pa pushim me popullin e vet. Për më tepër, ne po shikojmë më shumë njerëz të shtruar në spitale, më shumë trupa në morge dhe më shumë refugjatë që largohen nga vendi i tyre për në vendet fqinje”, tha Clinton.

Sekretarja Clinton foli në një takim të ministrave të Jashtëm të vendeve të grupit të quajtur “Miqtë e Sirisë”. Disa nga vendet e këtij grupi po ndihmojnë në armatosjen e kryengritësve sirianë. Të tjerë, si Shtetet e Bashkuara, i kanë kufizuar ndihmën e tyre në nevojat humanitare.

Rusia dhe Kina vazhdojnë të bllokojnë masa më të rrepta kundër Damaskut në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke argumentuar se sanksionet janë me pasoja në punët e brendshme të Sirisë dhe se zgjidhja e konfliktit nuk mund të detyrohet nga jashtë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›