E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers në Shkodër: Jeni shembull për tolerancën fetare

Pjesëmarrës në një aktivitet të rinjsh myslimanë, që financohej nga qeveria amerikane, Xhon Uidhers ka vlerësuar lart bashkëjetesën e feve në Shqipëri, e sidomos në Shkodër. Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, ka zhvilluar dje paradite disa takime në qytetin e Shkodrës me drejtuesit e bashkisë dhe të institucioneve fetare. Në takim me kryebashkiakun Lorenc Luka, ai ka shprehur dëshirën e qeverisë amerikane për të financuar projekte të Bashkisë së Shkodrës, në të gjitha fushat. Pas vizitës në bashki, ambasadori Uidhers ka zhvilluar një vizitë në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër ku është pritur nga drejtues të klerit katolik. Më pas ai është takuar dhe me përfaqësues të komunitetit mysliman dhe ka vizituar dhe xhaminë e re të Parrucës. Uidhers ka zhvilluar edhe një takim në katedralen ortodokse në qytetin e Shkodrës, ku është takuar me drejtuesit e kësaj kishe. Ndalesa më e gjatë në axhendën e ambasadorit Uidhers ishte në kinema "Millenium", ku ka marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga medreseja "Haxhi Sheh Shamia", ku u prezantua Projekti Qytetar, i përgatitur nga vetë nxënësit e medresesë dhe i financuar nga ambasada amerikane. "Kushdo që vjen në Shkodër nuk e sjell tolerancën fetare, por atë e gjen në mesin e tuaj", tha ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fjalën e tij, ku ndër të tjera ka nënvizuar se "në Shkodër dhe në Shqipëri janë vetë njerëzit ata të cilët e kuptojnë më së miri vlerën e tolerancës fetare, ndërkohë që një shembull të tillë duhet ta ndjekin edhe vende të tjera të botës, ku mungon respekti për besimet fetare".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›