E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, sistem të ri antiraketë në Poloni

Polonia dhe Republika Çeke vazhdojnë ende të jenë të pakënaqura nga vendimi i Obamës për anulimin e një plani të administratës së mëparshme të presidentit Xhorxh W. Bush për dislokimin në territorin e tyre të elementëve të një mburoje antiraketë për mbrojtje nga sulme të mundshme me raketa me rreze të largët veprimi nga Irani.

Në bazë të projektit të ri, Uashingtoni do të instalojë fillimisht një sistem interceptorësh në det dhe më pas në një fazë të dytë do të dislokojë në tokë sisteme që përfshijnë interceptorë "SM-3", që godasin raketa me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi.

"Polonia mund të jetë vendi ku do të instalohet njëri prej dy sistemeve të interceptorëve SM-3, sigurisht pasi një plan i tillë të aprovohet nga qeveria polake", deklaroi për gazetarët ndihmës-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Alexander Vershbow.

Vershbow informoi zyrtarët polakë mbi detajet e strategjisë së re, që është hartuar për të qenë më fleksibël krahasuar me atë të administratës Bush, dhe që pjesërisht u jep zgjidhje shqetësimeve të Rusisë lidhur me instalimin e përhershëm të interceptorëve me rreze të largët veprimi pranë territorit të saj.

"Pala amerikane prezantoi një informacion të hollësishëm lidhur me arkitekturën e pjesës evropiane të sistemit", deklaroi nënsekretari polak i Mbrojtjes, Stanislaw Komorowski.

"Sistemi i ri është më efikas kur bëhet fjalë për kërcënimet aktuale dhe atyre që mund të shfaqen në të ardhmen", shtoi ai.

Një pjesë e zyrtarëve polakë dhe çekë kanë shprehur shqetësimin se Moska mund të interpretonte vendimin e Obamës për pezullimin e planit antiraketë të administratës Bush si shenjë dobësie përballë presionit të saj.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›