E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA-të: “Identiteti i Maqedonisë ekziston”. Greqia reagon ashpër



Reagime të ashpra ka shkaktuar në Greqi deklarata e diplomatit të lartë amerikan Daniel Frid, sipas të cilit, kombi maqedonas dhe gjuha e këtij kombi nuk janë artificiale ose të ashtuquajtura. Përfaqësuesit e shtetit helen e kanë interpretuar deklaratën e përfaqësuesit amerikan si një trysni të re që nuk kontribuon për gjetjen e zgjidhjes së emrit. “Komente të tilla nuk ndihmojnë. Objekti i negociatave është konkret dhe ka të bëjë me gjetjen e zgjidhjes së ndërsjellë të pranueshme për çështjen e emrit”, - deklaroi dje shefja e diplomacisë greke, Dora Bakojani. “Të gjitha gjuhët janë krijim i njeriut. Prandaj ekziston edhe gjuha maqedonase”, - deklaroi ndihmës sekretari shtetëror amerikan për Europën, Daniel Frid. “Gjithsesi, ekziston edhe një provincë historike maqedonase, e cila është diçka e ndryshme nga shteti. Edhe kjo është e rëndësishme. Është e qartë se qeveria në Shkup, siç e quajmë ne amerikanët qeveria e Maqedonisë, s`ka pretendime. Ne e pranojmë dallimin mes territorit historik Maqedoni, që gjithsesi është më i madh sesa shteti”, - bëri të ditur Frid.
Lidhur me bisedimet për gjetjen e zgjidhjes për dallimet për emrin, Frid përsëriti pozicionin amerikan për mbështetjen e procesit të udhëhequr nga negociatori Methju Nimiç. “Çështja e emrit është në tavolinë. Për të bisedohet. Unë nuk jam negociator dhe nuk jam antropolog ose etno-historian”,-bëri të ditur Frid.

Lojërat Olimpike, në Pekin ndalohen sloganet “Kosova është Serbi”

Sportistët serbë nuk duhet të keqpërdorin skenën sportive në Lojërat Olimpike në Pekin me slogane politike dhe për këtë arsye ata janë të detyruar që para nisjes për në olimpiadë të nënshkruajnë marrëveshje me federatën e tyre. Rregullat e Këshillit Ndërkombëtar Olimpik theksojnë se skena sportive nuk mund të shfrytëzohet për promovimin e qëndrimeve politike ose të çfarëdoshme. Për këtë arsye Federata Olimpike e Serbisë ka vendosur të parandalojë incidente të ngjashme si ajo e notuesit serb Milorad Çaviç, i cili u eliminua automatikisht nga kampionati europian, pasi u paraqit me një bluzë sporti ku shkruhej ”Kosova është Serbi”. Këshilli Ndërkombëtar Olimpik nuk do të lejojë as edhe mesazhe të tipit: “Pajtohem me Çaviç” ose “Megjithatë është e jona” dhe se do të sanksionojë si sportistët serbë por edhe ata qe vendosin të shfrytëzojnë skenën për promovime.

Zvicra ndalon promovimin e librit “Gjahu” të Karla del Pontes

Zvicra ka ndaluar librin e Karla del Pontes mbi luftën në ish-republikat e Jugosllavisë. Ministria e Jashtme e këtij vendi ndaloi që Karla del Ponte të promovonte në Milano librin me titull “Gjahu”, libër që shkruan mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe mbi ushtrinë serbe. ”Ky promovim nuk është në përputhje me misionin e ambasadores”,-ka njoftuar Ministria e Jashtme e Zvicrës, duke shtuar se promovimi i një libri të tillë ndalohet derisa ta Del Ponte të ushtrojë në Argjentinë funksionin e ngarkuar të ambasadores. “Të dhënat që ka shkruar në libër Karla del Ponte dhe promovimi i tyre nuk janë në përputhje me funksionin e ambasadores së shtetit zviceran”, - u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Zhan Filip Zhanerat, prandaj urgjentisht ndalohet promovimi i tij, përderisa është përfaqësuese e Konfederatës Zvicerane. Ministria e Jashtme zvicerane, përveç të tjerash, kërkoi që Del Ponte të kthehet në Buenos Aires të Argjentinës për të ushtruar funksionin e ambasadores. Pas këtij veprimi kanë reaguar mediat kosovare të cilat e kanë cilësuar librin e Karla Del Pontes skandaloz. “Libri paraqet shumë të pavërteta për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe duke i akuzuar pjesëtarët e saj, veç të tjerash, se kanë masakruar mëse 300 serbë, me qëllim të marrjes dhe shitjes së organeve të tyre”, - kanë citur mediat kosovare.

9 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›