SHBA-të hapin ambasadë në Kosovë
Përfaqësia diplomatike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë që nga dita e djeshme mori funksionin e ambasadës. Lajmi u bë i ditur nga përfaqësia amerikane në Prishtinë përmes një konference shtypi. Shtetet e Bashkuara ishin vendet e para të cilat njohën pavarësinë e Kosovës. Ambasada në Kosovë kanë hapur edhe Gjermania e Zvicra. Hapjen e ambasadës në shtetin e ri e ka konfirmuar edhe shteti shqiptar, megjithatë ende nuk është hapur kjo ambasadë, e cila do të ketë në krye të saj diplomatin Islam Lauka. Një ditë pasi zyrtarisht u shpreh njohja e pavarësisë së Kosovës, kryeministri Berisha thirri Këshillin e Ministrave, i cili mori vendimin për ngritjen e Ambasadës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës.
Sejdiu: “Qendra e protestave të 17 marsit ishte Beogradi”
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka deklaruar se Beogradi ishte qendra nga e cila u dirigjuan protestat e dhunshme në Mitrovicë më 17 mars dhe sipas tij ekziston dëshmia se në këtë ngjarje është i ndërlikuar shërbimi sekret serb. “Më shumë se 40 pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë janë të përfshirë në uzurpimin e ndërtesës së Gjykatës në veri të Mitrovicës dhe në dhunën e serbëve ndaj pjesëtarëve të forcave policore dhe ushtarake ndërkombëtare, tre ditë më vonë”,-u shpreh presidenti Sejdiu. Duke folur para studentëve të Fakultetit Juridik në Prishtinë ai deklaroi se integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm.
9 Prill 2008