E Diel, 1 Nëntor 2026

Solana: “Zgjedhjet serbe edhe në Veri të Kosovës, EULEX-i në të gjithë vendin”



“Zgjedhjet e 11 majit në Serbi do të jenë të rëndësishme për faktin se për herë të parë do të shtrihen edhe në Veriun e Kosovës”. Kështu ka bërë të ditur përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian, Havier Solana, gjatë një paraqitje në Parlamentin Europian. Ai gjithashtu ka bërë të ditur se Misioni i BE-së, “EULEX”, do të shtrihet në gjithë territorin e Kosovës dhe pas zgjedhjeve në Serbi çast vendimtar do të jetë 15 qershori, ditë në të cilën hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës. “Duhet të shohim se si do të duket gjithë kjo”,-u shpreh Solana, për të shtuar se “duhet pritur për të parë se si do të zhvillohet situata e përgjithshme ndërmjet 11 majit dhe 15 qershorit”. Në bisedën për parlamentarët europianë ai u shpreh se në Veri të Kosovës ka pasur disa ndryshime dhe për pasojë duhet të jetësohet një lloj përshtatje në marrëveshje me sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun. Nga kjo bisedë do të varet edhe çështja e vendosjes së Misionit të Bashkimit Europian “EULEX” në të gjithë territorin e Kosovës është shprehur Solana për të shtuar se kjo pritet të realizohet nga fillimi i korrikut.
Ndërkohë, përfaqësuesi i lartë i BE-së Solana i ka bërë thirrje Bashkimit Europian për të bërë një përpjekje për të nënshkruar një marrëveshje me Serbinë para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme serbe. Ai shtoi se do të donte të shihte përparim dhe në heqjen e kërkesave për viza për qytetarët serbë para zgjedhjeve të 11 majit. Duke folur para Komitetit të Parlamentit Europian, Solana theksoi se popullit serb “duhet t’i japim një sinjal se kujdesemi për ta”. “Duhet të bëjmë çdo përpjekje t’i shtrijmë dorën popullit serb. Duhet të shohim mundësinë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit”,-tha Solana.
Megjithatë, Belgjika dhe Holanda e kanë kundërshtuar këtë hap, pasi kërkojnë nga Beogradi që më parë të dorëzojë në Hagë të akuzuarit për krime lufte. Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në një takim të përbashkët me krerët më të lartë të institucioneve të Kosovës, presidentin, kryeministrin dhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që gjatë ditës së sotme të miratojë Kushtetutën e Kosovës. Presidenti Fatmir Sejdiu është shprehur se draftit final të Kushtetutës i ka paraprirë puna e mirë e Komisionit Kushtetues me të gjithë mekanizmat institucionalë dhe ekspertët. Sipas tij kjo është koha e duhur që Kushtetuta të miratohet në mënyrë që të kalohet sa më shpejt periudha e tranzicionit të bartjes së kompetencave tek institucionet e Kosovës. “Në këtë moment është në interesin e Kosovës që të miratohet sa më shpejt, për të kaluar periudhën e tranzicionit, që do të jetë një kohë që Kushtetuta, pas miratimit do të presë pak kohë, por jo shumë e gjatë”,-u shpreh Sejdiu.

9 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›