SHBA-të dhe BE kërkojnë zgjedhje të lira
Një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ambasadorët e SHBA-ve, Philip Reeker dhe ai i Bashkimit Evropian në Shkup, Peter Sorensen, bënë apel për zgjedhje të lira dhe demokratike.
Reeker dhe Sorenses inkurajuan qytetarët e Maqedonisë që të mos frikësohen por të dalin të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.
“Këto janë zgjedhje të rëndësishme për Republikën e Maqedonisë dhe do të doja t`i inkurajoja qytetarët që të dalin dhe të votojnë. U bëj apel qytetarëve të mos frikohen nga asnjë frikësim apo detyrim, dhe ta dinë se votën e tyre që do ta japin është e fshehtë. Dëshirojmë të keni zgjedhje të lira dhe demokratike, ashtu siç edhe i ngjan një shteti demokratik”, është shprehur Reeker.
“Jemi të bindur se Maqedonia ka kapacitete të realizojë zgjedhje të drejta, demokratike dhe të lira, pa dhunë dhe incidente. Dilni në zgjedhje dhe votoni, mos u frikoni nga kërcënimet dhe tregoni se tek ju vlen parimi një person, një votë, një zgjedhje. OSBE dhe MOST kanë vëzhguesit e tyre dhe përderisa ndodh ndonjë incident, e dini se ku duhet të drejtoheni. Presim që organet e shtetit në afat të arsyeshëm dhe me kohë të hulumtojnë nëse kanë njohuri për ndonjë incident. Shpresoj se axhenda evropiane do të mbetet prioritet edhe i qeverisë së re dhe pres që bashkëpunimi të vazhdojë edhe më tej”, ka thënë Sorensen.