Fituam levizjen e lire, tani ta mbrojme kete te drejte

Policia e Shtetit vjen në këtë analizë pas sfidave të vështira, reformave rrënjësore dhe përpjekjeve kolosale, gjithashtu dhe transformimeve të thella dhe arritjeve historike për plotësimin e aspiratave historike të popullit shqiptar.
Gjatë këtyre 12 muajve policia arriti të menaxhojë me sukses situatat e përmbytjeve të fillimvitit në Shkodër, të plotësojë me përkushtim të lartë dhe shumë cilësisht pjesën e saj në kapitujt për siguri dhe drejtësi të kapitujve të pyetësorit të BE-së dhe një rol përcaktues në përmbushjen e të gjithë kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, menaxhoi me sukses të plotë situatën e rendit dhe sigurisë, gjatë një periudhe të tejzgjatur protestash, janë angazhuar me rezultate rekord në fushatën parandaluese dhe shtrënguese kundër kultivimit të kanabis sativa, dhe ndërmori një nga reformat më të thella strukturore në historinë e Policisë së Shtetit.
Pas vetëm pak orësh qytetarët shqiptarë do të gëzojnë të drejtën e tyre të pamohueshme, lëvizjen e lirë pa viza në Evropë. Për vetëm pak orë qytetarët e këtij vendi do të mund të prekin dhe shijojnë atë që kemi dëshiruar dhe ëndërruar për aq kohë dhe që iu mohua brezave të tërë për dekada me radhë. Por le të vijmë te ky premtim i përmbushur i qeverisë së Kryeministrit Berisha tek roli i lirisë dhe dinjitetit evropian të shqiptarëve jo rastësisht, por as për një tekë të historisë. Rruga ka qenë e vështirë, sfilitëse, pengesa të larta dhe vështirësi të panumërta, kontrolli dhe vlerësime të rrepta. Lëvizja e lirë vjen tërësisht si rezultat i punës, sakrificave, lodhjes dhe përkushtimit të qindra shërbyesve publikë të këtij vendi dhe të taksapaguesve të tij. Në këtë sfidë të paprecedentë për t’u fituar spikat roli dhe merita e policisë shqiptare.
Qysh me prezantimin e drejtorit të Përgjithshëm, në këtë kuadër viti 2010 shënon modernizimin dhe transformimin rrënjësor të platformave të policisë në çdo fushë, spikat përafrimi i standardeve të kufirit shqiptar dhe funksionimi i këtij kufiri sot në përputhje të plotë me praktikat Shengen, duke e bërë këtë hallkën e parë të shtetit shqiptar de fakto që punon si pjesë e Bashkimit Evropian. Investimet e pakursyera të qeverisë shqiptare, por dhe të partnerëve tanë kanë bërë të mundur ekzekutimin e plotë të filozofisë së integrimit dhe menaxhimit të kufijve nëpërmjet lidhjes dixhitale të të gjitha pikave të kalimit kufitar me qendrën e komandës dhe kontrollit këtu në Tiranë, për kontaktin pamor 24 orë dhe komunikimin e drejtpërdrejtë me bazat analoge të Interpolit, pra me një fjalë një revolucion të vërtetë teknologjik rezultatet e të cilit janë të dukshme në kufirin shqiptar, sot me veçori superiore jo vetëm ndaj kufijve rajonal, por dhe ndaj shumë regjimeve kufitare anëtare të Bashkimit Evropian. Revolucion i vërtetë teknologjik janë platformat në luftën kundër krimit të organizuar, kështu aplikimi dhe konsolidimi i hetimit proaktiv nëpërmjet përdorimit të inteligjencës kriminale bëri të mundur përmbysjen e raporteve midis hetimit proaktiv dhe reaktiv në luftën kundër krimit të organizuar me rezultate mjaft të qarta për këdo dhe të prezantuara sot nga drejtori i Përgjithshëm.
Reformat në Policinë e Shtetit u karakterizuan nga dy aspekte: modernizimi nëpërmjet investimeve të pakursyera dhe një rritje e llogaridhënies. Kjo u bë realitet për kufirin dhe për krimin e organizuar, por po kaq e vërtetë edhe për rendin dhe sigurinë. Ky sektor u përball sivjet me situatat civile në Shkodër, ku spikat vetëmohimi dhe përkushtimi i të gjithë efektivave të Policisë së Shtetit, që kanë bërë të mundur nëpërmjet punës së tyre suksesin e operacioneve të evakuimit, të furnizimit, rendit dhe sigurisë në këtë rajon, por edhe në situata të tjera, siç ishin ato të mesit të vitit, ku me gjakftohtësi dhe respekt të plotë për ligjin dhe zbatimin e tij u përballuan me protestat e shumta, shpeshherë me sjellje agresive ndaj efektivave të Policisë së Shtetit.
Në reformën strukturore në fushën e rendit dhe të sigurisë, spikat pa dyshim aplikimi në territorin e vendit i konceptit të Patrullës së Përgjithshme, si dhe kalimi i kompetencës për krimet e lehta në nivel komisariatesh. Në këtë kuadër, duke vlerësuar maksimalisht punën e bërë, është e qartë se për vitin e ardhshëm mbetet prioritet kryesor konsolidimi i rreptë i nënkomisarëve për bërjen sa më efektive të kësaj skeme si dhe përparimi në fushën e përdorimit të teknologjisë, për të cilin Ministria e Brendshme dhe qeveria shqiptare do të alokojnë gjatë vitit të ardhshëm burime të mjaftueshme financiare për të aplikuar duke filluar nga një projekt pilot të sistemit të vëzhgimit pamor, tërësor të qytetit të Tiranës, që do të shtrihet brenda vitit 2012 në të gjithë territorin e vendit.
Në fushën e luftës kundër krimit të organizuar spikatin reformat të tjera të rëndësishme, sidomos mbas hyrjes në fuqi të ligjit “Antimafie”, siç është krijimi dhe shtrirja në të gjithë vendin e strukturës së hetimit zhvillimit të aseteve kriminale, strukturë që vërtetohet tërësisht efektive sipas rezultateve që u vunë re sot këtu. Sfida mbetet konsolidimi i këtyre rezultateve dhe çuarja me sukses në bashkëpunim me prokurorinë para drejtësisë të të gjitha rasteve, duke përfaqësuar objektivin kryesor të qeverisë, siç është lufta kundër të gjitha aseteve të krimit.
Reforma në Policinë Rrugore u dëshmua e suksesshme, ndaj në këtë vit në territorin e vendit vetëm në verë qarkulluan mbi 400 mijë automjete, gati gjysmë milioni, kemi ulje të viktimave në rrugë. Konsolidimi i mëtejshëm i këtij modeli si dhe përmirësimi i sistemeve në dispozicion të Policisë së Qarkullimit Rrugor do të vazhdojë përmirësimin e rezultateve për të arritur objektivat tona për përgjysmimin e viktimave në rrugë brenda vitit 2015.
Në bashkëpunim me agjencitë e tjera spikat ligji për Policinë Gjyqësore, i cili duke respektuar atributet kushtetuese të Prokurorisë së Përgjithshme rrit shkallën e bashkëpunimit dhe të mbikëqyrjes reciproke në këtë aktivitet jashtëzakonisht të rëndësishëm të drejtësisë kriminale.
Për sa i përket bashkëpunimit me jashtë, dua të theksoj se gatishmëria e Policisë së Shtetit në raporte dypalëshe dhe shumëpalëshe ka bërë të mundur që sot vendi ynë të renditet në një nga pesë vendet më të suksesshme në raport me objektivat e angazhimit dhe aktivitetit tonë me Interpolin si dhe do të jetë vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që do të nënshkruajë marrëveshjen operative me Europolin, duke e bërë policinë shqiptare policinë e parë të Ballkanit Perëndimor që do të ulet me të drejta të plota në këtë tavolinë të rrumbullakët të policive evropiane, shenjë, simbol i qartë i besimit të plotë se kjo polici sot ka tek simotrat e saj evropiane.
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Analiza e vitit 2010 është mbushur me konstatime për suksese, arritje në përmbushje të pritshmërive, por po ashtu shtron detyra shumë të mëdha para nesh. Përmbushja e pritshmërive për liberalizimin e vizave shndërron para nesh, para Policisë së Shtetit detyrën parësore për mbrojtjen me çdo kusht të kësaj të drejte që i përket çdo qytetari shqiptar dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë. Kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet zbatimit rigoroz të kushteve të lëvizjes së lirë të përcaktuar nga kodi Shengen. Policia shqiptare, në veçanti Policia e Kufirit dhe Migracionit, por dhe sektori i luftës kundër krimit të organizuar kanë një përgjegjësi të veçantë për të parandaluar, goditur çdo përpjekje për të abuzimet në këtë kuadër, si dhe për të vazhduar fushatën informuese për qytetarët shqiptarë. Po kështu, reformat në fushën e rendit dhe të sigurisë, të qarkullimit rrugor si dhe në fushën e trajnimit duhet të vazhdojnë për të plotësuar të gjithë objektivat dhe parashikimet në planin vjetor të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme për vitin 2011. Duke e mbyllur, më lejoni të shpreh kënaqësinë time të veçantë për privilegjin që kam pasur gjatë këtij viti të punoj me një ekip kaq të përkushtuar, i cili qëndron në themel të sukseseve të vitit 2010 dhe t’ju garantoj për mbështetjen time të plotë për vitin e ardhshëm.
*Fjala e mbajtur nga ministri I Brendshëm gjatë analizës së Policisë së Shtetit