E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA të shqetësuara për situatën pas zgjedhore në Shqipëri

Kur kanë kaluar më shumë se 1 muaj nga dita e zgjedhjeve për kryeqytetin, Tirana nuk ka ende emrin e fituesit të garës. Kjo situatë pas zgjedhore ka shqetësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që apelojnë partitë politike të ruajnë qetësinë e mos nxisin dhunën.
Thirrja vjen nga Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Euroazinë, Tomas Kantrimen, i cili në një intervistë për Zërin e Amerikës ka kërkuar që partitë të tregojnë maturi pasi është politika ajo që dëmton imazhin e Shqipërisë në Bruksel dhe gjetkë.
 

Zyrtari amerikan thekson dhe njëherë dyshimet për vendimin e KQZ-së për numërimin e fletëve të votimit në kutinë e gabuar.

"Ne kemi shprehur dyshimet tona për bazën ligjore të vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të numëruar një kategori të caktuar fletësh votimi. Çështjet lidhur me to i janë parashtruar Kolegjit Zgjedhor. Por për ne, është esenciale që të gjitha partitë të sillen me të njejtin dinjitet që tregoi populli shqiptar, të ruajnë qetësinë, të respektojnë ligjin dhe të mos nxisin dhunën. Ne rezervohemi të shprehemi për rezultatin, deri sa të dëgjojmë se çfarë do të thotë Kolegji Zgjedhor".

Lidhur me mundësinë e paraqitjes së çështjes në Komisionin e Venecias, zoti Kantrimen tha se nuk ka asgjë të keqe për t`iu drejtuar atij, pasi shumë vende e kanë bërë këtë, por ky është një vendim që u përket palëve në Shqipëri. Sipas Kantrimen, në 2 vitet e fundit Shqipëria nuk ka dëshmuar se demokracia funksionon njësoj si në vendet e tjera që kërkojnë hyrjen në BE.
 

"Ne nuk kemi parë mjaft udhëheqës politikë që të kenë vullnetin për të vënë interesat kombëtare të Shqipërisë para interesave të partive të caktuara. Zakonisht udhëheqësit politikë janë të bindur se fitorja e partisë së tyre është e njejtë me interesin kombëtar. Por kjo nuk është kështu për gjithë të tjerët. Në interesin e Shqipërisë sot është që t`u demonstrohet, veçanërisht vendeve anëtare të Bashkimit Evropian se Shqipëria mund të funksionojë si të gjitha demokracitë e tjera që kërkojnë të hynë në Bashkimin Evropian. Dhe në dy vitet e fundit, Shqipëria nuk e ka plotësuar atë kriter. Ajo që më tremb sot është se ajo që duhet të jetë një demonstrim shumë pozitiv për Evropën, Brukselin dhe për gjithë vendet anëtare për pjekurinë politike të Shqipërisë, nga një sinjal pozitiv mund të kthehet në një sinjal negativ, nëse nuk bëhen përpjekje reale nga partitë politike për ta trajtuar këtë çështje qetësisht dhe në formë kushtetuese".

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›