E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS dorëzon në Kolegj ankimimin për Tiranën

07/06/2011  Detajet e fundit të aktpadisë së djeshme ndaj vendimeve të KQZ

Opozita i kërkon KQZ numrat e serive të të gjitha fletëve të votimit për 485 QV

Opozita depozitoi pasditen e djeshme kërkesën e fundit ankimore në Kolegjin Zgjedhor, ku i kërkon rrëzimin e vendimit të KQZ-së mbi shpalljen e rezultatit të Tiranës. Partia Socialiste, duke qenë se ishte në limitet e fundit kohore të afateve të dorëzimit të padisë, vendosi ta depozitojë atë pa u zbardhur vendimi i së premtes i Kolegjit Zgjedhor. Partia Socialiste ka kërkuar dje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të gjitha numrat e serive të të gjitha fletëve të votimit të përdorura më 8 maj nga votuesit kryeqytetas. Në kuadër të hartimit të ankimimit të radhës në Kolegjin Zgjedhor, PS-ja i ka kërkuar dje Drejtorisë Juridike në KQZ që t’i vërë në dispozicion numrat e serisë të të gjitha fletëve të votimit të përdorura në 485 qendrat e votimit në njësinë zgjedhore Bashkia e Tiranës. Burime pranë PS-së konfirmuan dje se me këtë socialistët do të bëjnë rakordimin dhe krahasimin e numrave serialë të fletëve të votimit të regjistruara në KQZ me numrat e serive të fletëve që ata kanë. Nga ana tjetër, përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ Genc Gjonçaj, i pyetur nga gazeta, bëri me dije se “kërkesën ankimore do ta dorëzojmë sot (dje) në Kolegjin Zgjedhor”. Gjithashtu në mbledhjen e paradites së djeshme Gjonçaj i kërkoi kreut të KQZ-së Arben Ristani firmosjen e vendimit nr. 711 të 23 majit nga të gjithë anëtarët e KQZ-së. Shkak për këtë kërkesë të tij janë limitet kohore që ka në dispozicion PS-ja për të përmbyllur ankimimin e saj në Kolegj. “Duke qenë se kemi një vendim të shkurtuar të marrë më 23 maj nga ana juaj në lidhje me rezultatin e Tiranës si dhe duke qenë se jemi në limitet e fundit kohore për të dorëzuar në Kolegjin Zgjedhor kërkesën ankimore të këtij vendimi, a mundet që të na e firmosni vendimin tuaj dhe më pas të na e vini në dispozicion atë? Pasi nuk është bërë zbardhja e fletëve të kontestuara”, – tha Gjonçaj. Kërkesa e përfaqësuesit të PS-së u pranua nga Ristani, i cili në përfundim të mbledhjes së bashku me kolegët e tij firmosën vendimin e 23 majit, ku për Bashkinë e Tiranës u shpall fitues kandidati i mazhorancës Lulzim Basha me 81 vota më shumë se rivali i tij Edi Rama.

Takimi, lidershipi socialist oponencë vetëm me ankesa

PS heq dorë nga protestat, vëmendja në Kolegj

Oli Xhilaga

Partia Socialiste e ka përqendruar oponencën e saj tek ankesat në Kolegjin Zgjedhor. Kjo duket qartazi sa kohë që drejtuesit e kësaj partie i kanë drejtuar sytë dhe veshët te verdikti i këtij institucioni lidhur me rezultatin zgjedhor për Bashkinë e Tiranës. Ndërkohë që ligjvënësit socialistë nuk preferojnë të jenë pjesë e oponencës në të tjera institucione, siç duhet të jetë Kuvendi dhe puna në komisionet e tij të përhershme. Nga ana tjetër, në selinë rozë nuk mungojnë dhe takimet mes lidershipit socialist dhe krerëve të partive aleate. Burime pranë kësaj partie konfirmojnë se gjatë këtyre tre muajve nuk mund të flitet për një aksion politik të fokusuar te protestat.

Situata

Prej ditësh në selinë e Partisë Socialiste mbizotëron heshtja. Përveç daljeve publike të kreut të PS-së Edi Rama një ditë pas shpalljes së vendimit nga ana e Kolegjit Zgjedhor mbi ankesëpadinë e kësaj partie, ashtu dhe gjatë pasdites së djeshme, nuk është parë më asnjë përfaqësues socialist të japë një qëndrim mbi hapat e mëtejshëm që do të ndërmarrë kampi opozitar veç luftës ligjore. Kështu, pas bërjes publike nga ana e kryetarit socialist të faktit se kjo forcë politike, si pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale të 8 majit, do t’i drejtohet sërish Kolegjit Zgjedhor me një tjetër padi, pavarësisht se PS-ja ka humbur besimin në një vendimmarrje të drejtë nga ana e këtij institucioni, nga kjo seli nuk ka ardhur më asnjë deklaratë për shtyp. Momentalisht ajo që dihet nga ky kamp është fakti se hapi i vetëm që do të ndiqet është rruga ligjore.

Takimi

Pavarësisht se nga jashtë duket sikur asgjë nuk lëviz, në ambientet e Partisë Socialiste nuk kanë munguar takimet mes lidershipit socialist dhe krerëve të partive aleate. Gjatë ditës së djeshme u panë të vinin në seli në orare të ndryshme dhe në takime të veçanta me kryetarin e PS-së drejtuesi i partisë “Ligj dhe Drejtësi” Spartak Ngjela si dhe kreu socialdemokrat Skënder Gjinushi. Burime pranë kësaj partie bëjnë me dije se krerët e majtë janë njohur me qëndrimin e lidershipit socialist pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për mandatin e kryetarit të bashkisë së kryeqytetit. Mësohet se dhe në këto takime është theksuar pikërisht pozicioni i PS-së përballë mazhorancës qeverisëse, ku do të vijojë kundërvënia në rrugë ligjore. Ndërkohë që organizimi i protestave do të kalojë për diskutim në një kohë tjetër, që pritet të përkojë me hapjen e sesionit të ri parlamentar në shtator të këtij viti.

Zbardhja e vendimit të Kolegjit Zgjedhor

Gjiknuri: Vonesa, ky institucion cenoi standardet

Vonesa e zbardhjes së vendimit nga ana e Kolegjit detyroi dje përfaqësuesit ligjore pranë Partisë Socialiste dhe deputetë të kësaj partie të interesohen personalisht në këtë institucion.

Kështu, juristët e Partisë Socialiste janë paraqitur pasditen e djeshme në Kolegjin Zgjedhor për t’u njohur me vendimin e zbardhur të datës 3 qershor, ku u rrëzua kërkesa e kësaj partie lidhur me rezultatin e zgjedhjeve për Tiranën. Në vlerësimin e përfaqësuesve socialistë, Kolegjit Zgjedhor i ka kaluar afati për të zbardhur vendimin për Tiranën. “Ardhja jonë këtu ka të bëjë me skadimin e afatit nga ana e Kolegjit Zgjedhor, i cili normalisht sot (dje) sipas ligjit duhej të zbardhte vendimin aq shumë të përfolur, që gjithë publiku e priste, e gjithë media e priste, por mbi të gjitha e prisnin palët e interesuara në këtë proces. Fatkeqësisht, kemi një shkelje të pastër të ligjit nga ana e kolegjit, pasi ai vendim duhej të zbardhej dhe duhej të arsyetohej brenda 3 ditëve”, - vuri në dukje deputeti socialist Damian Gjiknuri, i pranishëm në ambientet e Gjykatës së Apelit. Gjithashtu, duke argumentuar më tej qëndrimin e tij, Gjiknuri sqaroi se “vetëm në arsyetimin që duhej t’i bënte Kolegji ne do të kuptonim shkaqet e vërteta të rrëzimit të atij vendimi, ku e kanë bazuar këta njerëz kur gjykuan që aktet e KQZ-së janë në përputhje me ligjin, me Kodin Zgjedhor”. Për këtë arsye deputeti socialist bëri me dije se “duam ta denoncojmë këtë fakt, një fakt vërtet i rëndë, që tregon edhe standardet e ulëta në të cilat ndodhet Kolegji. Ata që normalisht marrin përsipër të gjykojnë standardet e të tjerëve duhet të respektojnë të parët standardet që përcakton ligji. Fatkeqësisht, kanë shkelur çdo afat.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›