E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, tone të reja në politikën e jashtme

Zëvendëspresidenti amerikan, Xho Baiden, foli dje për kthesa të forta në politikën e jashtme nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat do ta vënë theksin më shumë te diplomacia sesa te zgjidhjet ushtarake, por u kërkoi gjithashtu aleatëve më shumë mbështetje për t‘i bërë ballë krizës financiare globale. "Vij në Evropë në emër të një administrate të re e vendosur//////////// të vendosë tone të reja në Uashington dhe në raportet e Amerikës me vendet e tjera", tha Baiden gjatë një konference për sigurinë të zhvilluar në Munih të Gjermanisë. "Do të përkushtohemi. Do të dëgjojmë. Do të konsultohemi. Amerika ka nevojë për botën po aq sa mendoj unë se bota ka nevojë për Amerikën".

Në fjalimin e parë të rëndësishëm mbi politikat e jashtme, Baiden kërkoi të linte të kuptohej distancimin nga politika "me ne ose kundër nesh" e ambasadës pararendëse. Zëvendëspresidenti gjithashtu u përpoq të ndërrojë faqe lidhur me pushtimin e Irakut në vitin 2003, si dhe me skepticizmin e Bushit për sa u përket ndryshimeve klimaterike.

Por pa me vend të bënte me dije se Shtetet e Bashkuara mbeteshin ende të gatshme të përdornin forcën në emër të sigurisë kombëtare. "Nuk ekzistojnë konflikte mes sigurisë sonë dhe idealeve tona. Ato përforcojnë njëra-tjetrën. Forca e armëve na garantoi fitoren e pavarësisë dhe, përgjatë historisë, forca e armëve na ka mbrojtur lirinë", vërejti Baiden.

Teksa premtoi se Uashingtoni do konsultohej dhe do t‘i dëgjonte me më shumë vëmendje aleatët, shtoi se edhe do të kërkonte më shumë prej tyre, për shembull duke pranuar në territoret e tyre të burgosurit e Guantanamos, burg të cilin Presidenti amerikan ka ndër mend ta mbyllë brenda këtij viti. "Amerika do të bëjë më shumë, por edhe do të kërkojë më shumë nga partnerët e vet", tha. "Kërcënimet që na qëndrojnë mbi krye nuk pyesin për ekzistencën e kufijve. Asnjë vend i vetëm, pavarësisht sa i madh apo i fortë është, nuk mund t‘u bëjë ballë i vetëm".

Gjatë fjalimit, Baiden u zgjat edhe në kërkesën për më shumë përkushtim nga ana e anëtarëve të NATO-s në Afganistan, përpjekje të unifikuara për të detyruar Iranin të heqë dorë nga programi nuklear, reduktim të arsenaleve bërthamore, si dhe ndalimin e përkeqësimit të raporteve me Rusinë. Gjatë fjalimit, Baiden nuk mori qëndrime të prera, por, sipas analistëve, thjesht paraqitja e tij në konferencë, në të cilën merr pjesë normalisht sekretari amerikan për Mbrojtjen, u vlen evropianëve si një sinjal që tregon se administrata e re ka ndër mend të rishikojë marrëdhëniet me jashtë. Qe spekuluar shumë para konferencës mbi mundësinë që Baiden do të shpallte pezullimin e planeve të administratës "Bush" për ndërtimin e një sistemi mbrojtës kundër raketave, që ndezi zemërimin e rusëve. "Ne do të vazhdojmë të zhvillojmë sistemet kundër raketave për t‘iu kundërpërgjigjur rritjes së kapaciteteve nukleare të Iranit, teknologji që ka rezultuar e efektshme dhe me kosto të përballueshme", tha Baiden gjatë takimit me ekspertët e sigurisë dhe liderët evropianë. Por vërejti: "Këtë do ta bëjmë duke u konsultuar me aleatët tanë të NATO-s dhe me Rusinë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›