SHBA zbut sanksionet ndaj Myanmarit
Pak ditë pasi shteti aziatik i Myanmarit bëri një kthesë domethënëse përmes rezultateve të zgjedhjeve të pjesshme atje, erdhi edhe reagimi i parë pozitiv i SHBA`ve. Myanmarit i zbuten sanksionet amerikane. Washingtoni zyrtar ka njoftuar të enjten se do të lehtësojë sanksionet ndaj Myanmarit.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, deklaroi se disa kufizime financiare dhe në udhëtime do të hiqen, ndërkohë që liderëve të Myanmarit do t`iu lejohen vizitat në SHBA.
“Ne e pranojmë dhe e mbështesim plotësisht përparimin e arritur, dhe do të vazhdojmë që atje të jemi të angazhuar me politikat tona. Një pjesë e sanksioneve nuk do të hiqen, përderisa në disa institucione të mos kryhen reformat e rëndësishme” pohoi Clinton.
Një ditë më herët, edhe liderët e BE`së deklaruan se do të marrin në konsiderim lehtësimet ndaj shtetit që për mbi 20 vjet vuante nën regjimin e juntës ushtarake, megjithëse ajo tashmë ka bërë disa lëshime përmbajtjesore.
Në zgjedhjet e pjesshme parlamentare në Myanmar, Liga Kombëtare për Demokraci, që udhëhiqet nga fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, Aung San Suu Kyi, fitoi 43 nga 45 vendet e zbrazëta në parlament. Zgjedhjet u cilësuan si të lira dhe të ndershme.