E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA zjarre masive ne Teksas dhe Oklahoma

Një mori zjarresh kanë shpërthyer në Teksas dhe Oklahoma në Shtetet e Bashkuara. Vatrat e zjarrit janë fare pranë qendrave të banuara e kanë cuar në shpërnguljen të detyruar të mijëra banorëve, ndërsa skuadrat e shpëtimit punojnë për të ndalur flakët që kanë shkrumbuar dhjetra hektarë tokë. Në Veri të Texasit, zjarrfikësit janë ende duke u përpjekur për të vënë nën kontroll një zjarr masiv që shpërtheu në një komunitet buzë liqenit në perëndim të Fort Worth.

Evakuimi i popullsisë rifilloi në Possum Kingdom, rreth 75 kilometra në perëndim të Fort Worth ku era bëri që zjarret të përhapeshin me shpejtësi pa u lënë mundësi zjarrfikësve ti vinin nën kontroll. Flakët kanë shkatërruar 39 banesa e më shumë se 6,200 hektarë që nga e mërkura në mbrëmje. Në shuarjen e flakëve janë angazhuar mjete nga toka dhe ajri. Helikopterë me depozita të mëdha uji patrullojnë zonën në intervale por sipas Shërbimit Pyjor të Texasit kjo ka qenë periudha më e rëndë e zjarreve në historinë e Teksasit. Që nga nëntori i kaluar është regjistruar një shifër rekord prej 20,155 vatra zjarresh e janë shkrumbuar 3.5 milionë hektarë.

Në Oklahoma City janë shkrumbuar 33 banesa, 21 ndërtesa publike mes të cilave një kishë si dhe 45 automjete. Për shkak të thatësirës ekstreme e rrezikut të lartë të zjarreve gjendja e jashtëzakonshme në Oklahoma vazhdon që nga 20 korriku.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›