SHBA,të fituarit dhe të humburit në debatin për borxhin

Në politikën amerikane, Uashingtoni është si të thuash në një gjendje rimëkëmbjeje pas një beteje të vështirë lidhur me ngritjen e tavanit të borxhit. Presidenti Barak Obama nënshkroi të martën një kompromis në ligj, duke bërë të mundur që qeveria të marrë më shumë borxhe për të përmbushur detyrimet e saj financiare, në shkëmbim të kërkesave të republikanëve për shkurtime të ndjeshme në shpenzimet qeveritare. Të dyja palët po marrin frymë më lirisht pasi shmangën mos pagimin nga qeveria të borxheve të saj, por siç njofton Zëri i Amerikës për çështjet kombëtare, Jim Malone, një betejë tjetër lidhur mbi madhësinë e qeverisë federale do të zhvillohet pas pak muajsh. Debati politik lidhur me tavanin e borxhit bllokoi kryeqytetin amerikan për javë të tëra dhe kur u arrit kompromisi shumica e analistëve politikë ishin të një mendimi se kërkesat e republikanëve për të filluar shkurtime drastike të shpenzimeve qeveritare kishin shvendosur qendrën e gravitetit politik në Uashington. Republikanët mendojnë se janë në pozitë më të favorshme pasi kërkuan shkurtime të mëdha të shpenzimeve, si çmim për ngritjen e tavanit të borxhit. Shumë demokratë janë të shkurajuar dhe ndjehen se bënë lëshime të shumta për sa i përket shkurtimeve qeveritare, madje të zhgënjyer që presidenti Obama nuk luftoi më shumë gjatë negociatave. Debati i borxhit u ndoq nga afër prej publikut amerikan dhe shumë të tjerë në mbarë botën dhe ata përjetuan atë që u shndërua në një shfaqje shpesh kaotike të demokracisë amerikane në veprim. Pasi nënshkroi në ligj kompromisin e arritur nga Kongresi, Presidenti Obama iu kthye menjëherë çështjesh së krijimit të vendeve të reja të punës si dhe nxitjes së zhvillimit ekonomik, çështje këto me përparësi kryesore për votuesit në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.Beteja e ardhshme lidhur me shpenzimet qeveritare do të zhvillohet nga fundi i këtij viti, pasi një komision ndërpartiak i Kongresit do të bëjë rekomandime rreth shkurtimeve të mëtejshme të deficitit, gjë që pritet të rifillojë përsëri nga e para betejën mes politikanëve të Uashingtonit.Demokratët po insistojnë tashmë se ngritja e taksave duhet të jetë pjesë e diskutimeve të këtij komisioni, pikpamje kjo që republikanët thonë se do ta kundërshtojnë me të gjitha forcat.