Turqi, vijojnë takimet pas dorëheqjeve në ushtri

Qeveria turke dhe udhëheqësit ushtarakë po vijojnë takimet disa ditore për bisedime që janë përqëndruar në promovimin e personelit të lartë të ushtrisë. Por takimi vjetor i Këshillit Suprem Ushtarak është shumë i vështirë pasi kësaj here është qeveria ajo që përcakton axhendën.
Dorëheqja e katër komandantëve të lartë të Turqisë të premten shihet gjerësisht si fundi i dekadave të ndërhyrjeve politike të gjeneralëve të vendit. Por shqetësimet vazhdojnë të mbeten mbi veprimet që do të ndërmarrë kryeministri pas marrjes së pushtetit. Duke pasur parasysh që ushtria turke ka detyruar rrëzimin e katër qeverive nga pushteti që nga viti 1960, çdo kryeministri të zgjedhur në mënyrë demokratike i është dashur të punojë nën hijen e rëndë të gjeneralëve të vendit.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për kryeministrin aktual Reçep Taip Erdogan. Partia e tij me rrënjë islamike shihet me dyshim të thellë nga ushtria laike e vendit. Por të premten e kaluar, e gjithë komanda ushtarake e vendit dha dorëheqjen në shenjë proteste ndaj burgosjes së dhjetëra oficerëve të lartë si pjesë e një hetimi për konspiracion kundër qeverisë. Zëvendës redaktori Yasmin Congar i së përditshmes turke Taraf thotë se veprimi sinjalizon fundin e ndërhyrjes së ushtrisë në politikën e vendit.
Gazeta Taraf ka qënë në vijën e parë të ekspozimit ndaj konsipacionit të dyshuar ushtarak kundër qeverisë. Gjeneralët pretendojnë se hetimi është një gjueti shtrigash kundër tyre, bazuar në dokumentacione të sajuara dhe të pavërteta. Vendosja e ushtrisë nën kontrollin civil është një kërkesë kyçe e Bashkimit Evropian ku Turqia kërkon të anëtarësohet.
Kryministri në një fjalim kohët e fundit në televizion riafirmoi vendosmërinë e tij për një kushtetutë të re demokratike. Erdogan thotë se kushtetuta e re duhet të hartohet me një pjesëmarrje sa më të gjerë të mundshme dhe duhet të jetë një konsensus që do të plotësojë kërkesat e gjithë shoqërisë. Ai shtoi se ajo duhet të jetë demokratike dhe liberale.