E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHENIM/ Një pushtet, peng i Ilir Metës!

Share

Emisioni Opinion në mbrëmjen e së martës i kushtohej sërish pastrimit të figurës së Ilir Metës. Një ekspert i paguar prej tij për të bërë privatisht ekspertizën e video-skandalit, kishte ofruar një intervistë të gjatë banale, në të cilën pasi shpjegonte se nuk ishte ekspert për çështje gjyqësore dhe për videot, fliste çfarë i kanë ofruar të flasë rreth videos tashmë të njohur. Nuk dua të komentoj rreth tij, pasi duke qenë një shërbim i paguar, i lejohet të thotë çtë dojë. Problemi që po bëhet bezdisës për opinion publik ka të bëjë me portretin e Ilir Metës. Mbingopja dhe neveria që ka prodhuar gjykimi i tij, i ka tejkaluar kufijtë e Shqipërisë. Bashkimi Evropian, qeveria amerikane, Këshilli i Evropës, presidenca daneze e BE dhe gjithë ekspertët me zë ndërkombëtarë janë distancuar nga ai proces gjykimi dhe kanë bërë të qartë se Shqipëria do të paguajë një çmim të rëndë pikërisht për këtë shkak. Për shkak të Ilir Metës dhe atij procesi të turpshëm gjykimi, Shqipëria rrezikon sërish të marrë statusin e vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian dhe që pushteti gjyqësor të kryqëzohet përfundimisht në matricën e detyrimeve që Shqipëria ka për të plotësuar si vend që kërkon të marrë statusin e vendit kandidat për anëtar të BE. Pra, Ilir Meta e ka bërë dëmin që mund ti bëjë Shqipërisë. Ai ka bindur gjithë shqiptarët se drejtësia është një vegël në duart e Sali Berishës dhe ka bindur gjithë komunitetin ndërkombëtar se pushteti gjyqësor në Shqipëri është avokat i njerëzve të krimit në pushtet. Kaq kishte fuqi ti bënte dëm gjykimi i asaj videoje Shqipërisë, dhe kaq dëm ia ka bërë. As më shumë, as më pak, mënyra se si u gjykua ajo video është një standard fyes që iu bashkëngjit tashmë identitetit të shtetit shqiptar nga Perëndimi.

Çfarë kërkon të rikuperojë ky njeri tani?

Spartak Braho, përgjimet e paligjshme të Kuliçëve apo thirrja e njerëzve anonimë si ekspertë, që sqarojnë pas gjyqit të turpshëm çështjen Meta, janë një përpjekje mizore për ta mbajtur gjallë këtë trup para shqiptarëve. Ky është një lloj dhunimi i kufomës së gjyqësorit, pasi e kanë dhunuar një herë publikisht. Pasi gjunjëzuan drejtësinë, pasi bënë qesharake Gjykatën e Lartë të Shqipërisë, pasi ndërprenë rrugën evropiane të Shqipërisë, tani vazhdojnë të përdorin dritaren e Fevziut, për të na kujtuar akoma se ata janë gjallë dhe janë të gëzuar që i kanë bërë kaq dëm Shqipërisë. Askush në Shqipëri nuk ka nevojë të dëgjojë më asnjë fjalë për Ilir Metën. Askush nuk ka dëshirë të debatojë më për të, për arsyen e thjeshtë se me atë gjykim ka humbur kuptimi për një debat mbi mafien dhe politikën në Shqipëri. Askush në këtë vend nuk ka kërkuar debat apo prova për fajësinë apo pafajësinë e Ilir Metës. Janë aq të qartë që ai është hajdut dhe partia e tij një plaçkitëse e këtij vendi, sa nuk ia vlen të hysh në debat për këtë çështje. Vazhdimi i përpjekjeve për të mbajtur para syve të shqiptarëve portretin e Ilir Metës, është një përdhunim i qytetarëve dhe një turp që tregon se pushteti nuk ka fuqi të ndalë  baltosjen që Ilir Meta i bën gjithë imazhit të tij. Ai po zhytet në llumin që e tërheq Ilir Meta duke pranuar fatin e tij si fat të përbashkët. Në emër të tij nisën sulmet ndaj kryeprokurores, në emër të tij u vra më 21 Janar, dhe në emër ë tij po vazhdon beteja e pushtetit me gjithë institucionet në Shqipëri, përfshi dhe kancelaritë perëndimore. Është një pushtet i marrë peng prej tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›