SHENIM/ Rasti Wulff, 21 janari dhe gjykatat shqiptare
Nga dorëheqja e presidentit gjerman, Christian Wulff, mund të nxirren shumë leksione. Edhe pse mbante një post ceremonial, presidenti shihet si një autoritet moral në vend. Angela Merkel shpalli menjëherë se bashkë me opozitën do kërkojë një kandidat konsensual. Pasi rezistoi për pak kohë, Wulff dha dorëheqjen. Por ajo që të bie më fort në sy është se e gjithë media dhe shoqëria u bashkua në dënimin e aktit korruptiv. Nuk pati asnjë dyshim në media për veprimin e tij të dënueshëm. Ndërkohë që ajo që ka ndodhur në Shqipëri më 21 janar dhe më pas është diçka e rëndë, që do lërë pasoja të thella. Bëhet fjalë për përpjekjen për të ndarë shoqërinë në pjesën që pranon e justifikon vrasjet dhe pjesën që nuk e pranon dhe e dënon vrasjet. Nuk bëhet më fjalë për pranimin e justifikimin e korrupsionit, por të vrasjes. Në një shoqëri të drobitur si kjo e jona, me një demokraci që askush nuk ia gjen përcaktimin nëse është rastësore, e dështuar apo jofunksionale, edhe këtë kishim mangët, që të nisim të pranojmë vrasjet politike. Vetëm regjimet diktatoriale e bëjnë diçka të tillë. E vërteta është se atë ditë në shesh ishte një masë e zemëruar në kulm. Gjithë atë tension, që vendet perëndimore e shfryjnë me dorëheqje e zgjedhje të parakohshme, Berisha e uli me armë. Siç bëjnë diktatorët. Vetëm se ka një ndryshim, në demokraci ai presion zhduket, kurse në diktaturë me vrasje ai vetëm sa struket, por shpërthen më vonë me pasoja shumë më të rënda. Çfarë do ndodhë deri atëherë? Qeveria shpresat i ka tek gjykatat. Nëse sheh deklaratat e kryeministrit dhe disa ministrave të tij, shpresat janë që gjykata të bëjë shqyrtim dhe hetim rrënjësor të rastit të 21 janarit. Që në gjuhën e tyre përkthehet: ndonjë ekspertizë të re, shpërfillje të provave e procedura të dyshimta për të marrë pafajësinë. Siç ndodhi me rastin e Metës, kur gjykata mori përsipër të bënte shqyrtim e hetim rrënjësor (Berisha u shpreh i lumtur për këtë) dhe përfundoi duke rrëzuar qëllimisht provat e duke marrë një vendim të dyshimtë e me kontradikta. Siç e pranon edhe vetë gjykata. Fati është që Perëndimi e ka kuptuar se nga 21 janari vërtet doli një puçist. Ai është kryeministri që kërkon të bëjë puç shteti duke marrë çdo institucion nën kontroll. Çdo do të ndodhë atë ditë? Askush nuk e di, vetëm se zemërimi është aty i pashuar dhe Perëndimi i ndërgjegjshëm. Hals und Beinbruch, thonë gjermanët për të uruar fat. Të mos e përkthejmë fjalë për fjalë shqip…
