E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHKB arreston oficerin E Krimeve të Rënda, spiunin e Dritan Dajtit

Autori i Lajmit: Redaksia
Zbardhja e tabulateve telefonike të Dritan Dajtit do të çonte policinë e Durrësit në identifikimin e informatorit të të shumëkërkuarit nga Drejtësia.
Një inspektor i krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së qarkut Durrës është arrestuar dje paradite, pasi akuzohet se ka ndihmuar me informacione sekrete, Dritan Dajtin në kohën kur ai ishte në arrati. Mariglen Muça po hetohej që prej arrestimit të Dajtit nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ndërkohë që, Gjykata e Krimeve të Rënda kishte firmosur masën e arrestit burg, ndaj inspektorit të policisë. Mësohet se arrestimi i tij u bë në ambientet e brushme të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Prokuroria konfirmoi se inspektori e kishte pajisur Dritan Dajtin me uniforme policie, me një dokument policie dhe se disa herë dyshohet ta ketë transportuar atë me makinën e vet në vende të ndryshme. Bëhet e ditur se numri telefonik i inspektorit rezulton në bisedat e bëra nga telefoni i Dritan Dajtit. Ndërkohë që konfirmohet se inspektori garantonte fshehjen e Dajtit në Durrës. Burime të sigurta thanë se po hetohet edhe për një lidhje tjetër, pasi ka dyshime se Mariglen Muça është transferuar qëllimisht nga një detyrë e mëparshme në Korçë drejt Durrësit për të ndihmuar Dritan Dajtin të jetonte i qetë në arrati.

Hetimet

Dyshimet se inspektori i Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, Mariglen Muça kishte lidhje me Dritan Dajtin lindën pas zbardhjes së të gjitha telefonatave që kishte bërë i shumëkërkuari Dajti, që iu sekuestruan këtij të fundit pas arrestimit të tij. Mësohet se Muca është marrë në pyetje nga hetuesit për lidhjet e tij me Dritan Dajtin. Burime të prokurorisë konfirmojnë se ka prova të sigurta, të cilat vërtetojnë se inspektori Mariglen Muça ka ndihmuar Dritan Dajtin dhe ka bashkëpunuar me të gjatë kohës që ky i fundit ishte në arrati.

Operacioni i 7 gushtit

Ngjarja e rëndë për të cilën akuzohet Dritan Dajti ndodhi më 7 gusht 2009, pranë pistës “Iliria” në Durrës. Agjentë të skuadrës speciale operacionale, që mbanin nën vëzhgim të shumëkërkuarin Dajti, u hodhën në veprim duke tentuar ti vënë prangat. Por, i kërkuari u përgjigj me plumba duke ekzekutuar Fatos Xhanin, shefin e skuadrës së operacioneve speciale, Saimir Duçkollarin, Altin Dizdarin dhe Kastriot Feskon. Në këtë ngjarje mbeti i vrarë dhe Ledion Mara, që ndodhej në një makinë me Dajtin. I dënuari për vrasjen e biznesmenit Agim Beqaj, pronari i “Besa Construksion” në vitin 1999, mbeti i plagosur me dy plumba dhe u paralizua në këmbën e majtë. Në vitin 2003 mundi të arratisej në mënyrë spektakolare nga Gjykata e Tiranës, dhe prej atëherë dyshohet të ketë drejtuar një grup kriminal që i vinte gjoba bizneseve dhe merrej me trafik droge. Në pranga përfundoi Erges Xhoxhi, kunati i autorit të masakrës. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zgjatur dhe dy muaj hetimet për dosjen “Dajti”, me qëllim kryerjen e disa veprimeve të tjera për zbardhjen e masakrës së 7 gushtit.

Arratisja spektakolare
e Dritan Dajtit

Në datën 17 nëntor të vitit 2003, Dritan Dajti kreu një arratisje spektakolare nga Gjykata e Tiranës, duke shtangur të gjithë togën e shoqërimit. Për këtë vepër penale ai u dënua me 9 vjet heqje lirie, ndërsa u dënuan edhe punonjësit e policisë. Sipas vendimit të gjykatës, rezulton se më datë 17 nëntor 2003, rreth orës 10.15, Dritan Dajti shoqërohet nga reparti i Burgut 313 në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë. Në momentin që mbërrijnë në gjykatë, ai ka kërkuar që të shkojë në VC për nevoja personale. Pasi policët e shoqërimit e lejojnë, Dajti hyn në VC. Para se të fillonte seanca gjyqësore, Dajtit i ndërrohen prangat dhe hapet dera për të hyrë dëgjuesit. Pikërisht në këtë moment, ai arrin të lirojë duart nga prangat, nxjerr një pistoletë dhe pasi ua drejton policëve, duke i kërcënuar se do tu hidhte trutë në erë, del nga salla dhe largohet. Në shkallët që e çonin në katin e parë qëllon në ajër, duke trembur shumë qytetarë që prisnin zhvillimin e gjyqeve. Ndërkohë ai rrëzohet në portën kryesore të Gjykatës së Tiranës dhe pasi çohet del në rrugë, ku e priste një motoçikletë dhe pasi hipën në të largohet pa u kapur nga policia.
Ky lajm është publikuar: 24/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›