Ndërtojmë njëherë mullirin se lumin e gjejmë!Nga Lavdosh FerruniShënim (Gazeta risjell këtë shkrim të botuar më 25.01.2007 që flet për dështimin e TEC në Vlorë që përveç problemeve në ambient do të sillte dhe probleme ekonomike. Vetë Ministri i Ekon
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Ndërtojmë njëherë mullirin se lumin e gjejmë!Nga Lavdosh FerruniShënim
(Gazeta risjell këtë shkrim të botuar më 25.01.2007 që flet për dështimin e TEC në Vlorë që përveç problemeve në ambient do të sillte dhe probleme ekonomike. Vetë Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti e pranoi dje se nga ky TEC energjia do dalë shumë e shtrenjtë dhe ai praktikisht nuk do përdoret veç për raste krizash)
Këtë shprehje popullore sapo ma tha një njeri i mirë, që e ka ndihmuar së tepërmi shoqërinë civile, kur unë po i sqaroja si po venë punët me TEC-in e Nadirit (nuk e meriton Vlora që të identifikohet me TEC).
Dhe vërtet mendoni skemën. TEC-i do të djegë naftë. Nafta do vijë nga Italia. Por Italia nuk ka naftë. Italia do ta marrë naftën në Lindjen e Mesme apo në një vend tjetër prodhues. Për ta nxjerrë që TEC-i ndot pak, Berisha ka thënë “sa 500 benza të rinj” (shihni trullosjen që synohet edhe benz, edhe i ri). Në fakt llogaritjet tregojnë se është e barabartë me 20.000 benza të zakonshëm. Kështu kanë shkruar në letrat për TEC-in, VNM (Vlerësim Ndikimi në Mjedis). Kanë shkruar se nafta do jetë D1, domethënë që në Itali do t’i nënshtrohet një përpunimi të thellë. Pastaj kjo naftë do vijë në plazh të Vlorës e do digjet që të prodhojë dritë, dhe sa thoni ju, vetëm 4.5% të nevojave të vendit. Por sa do kushtojë? Sa frëngu pulën. Duhen 200 gr. naftë për një kw, pra lënda e parë do jetë rreth 15 cent për kw. Po shpenzimet e tjera, po kredia 100 milion që do t’i shlyejnë shqiptarët Nadirit me gjithë interesat. Këtu nuk llogarisim humbjet e industrise së turizmit, të peshkimit, të bujqësisë dhe shërbimeve në përgjithësi. Ndërkohë kostoja nga HEC-et është pak më shumë se 3 cent, ndërsa nga turbinat e erës pak më shumë se 5 cent.
Plani i vërtetë i ndërtimit të TEC-it në Vlorë është kuptuar nga vlonjatët. Mediat gjithnjë thonë ambjentalistët. …… Në fakt është komuniteti. 14 mijë vlonjatë kanë hapur pasaportën e tyre, kanë treguar numrin dhe kanë firmosur për referendum, ku kërkojnë që populli të votojë nëse e do apo jo TEC-in, AMBO-n, depozitat e naftës, etj. A ka shprehje më demokratike? Politikanët tanë sahanlëpirës e sajuan që votat në KQZ, ku u paraqit kërkesa për referendum të dilnin 3:3, kështu që thanë se nuk u sigurua maxhoranca në KQZ për referendum. Kështu ju hap rruga Nadirit të Bankës Botërore që të zbatonte planin e tij në shërbim të lobeve të naftës, që thjesht mendojnë se do fitojnë shumë po ta kthejnë gjirin e mrekullueshëm të Vlorës në gji nafte. Në realitët ky gji është po aq i mrekullueshëm për terminal nafte, i thellë, i qetë nga trazimet e mëdha të detit në periudha stuhish dhe ku ndotja nuk kalon Sazanin e Karaburunin që mund të shqetësojë fqinjët tanë, Italinë e Greqinë. Në këtë gji edhe në ditë të stuhishme si sot mund të pompohet naftë në supertankerat e naftës pa ndërprerje dhe dollarët për multinacionalet e naftës rrjedhin gjithashtu pa mbarim në llogaritë e tyre. Por për të pompuar 1 milion fuçi në ditë të naftësjellësit AMBO duhet energji 24 orë. Ja pse duhet TEC-i mu në plazh të Vlorës, që të sigurohet non-stop energjia dhe të mbrohet më lehtë nga marinzat, që do t’i fusin një të rrethuar detit e tokës nga Orikumi në Zvërnec. Më thoni vëllezër a nuk është pushtim ky?!
Që Vlorës t’i bëhet nafta, duhet që gjithë Shqipëria të zhytet në errësirë. Kështu, falë dhe ca parave hedhur mediave, të gjithë vërsulen e thonë TEC-i Vlorës, TEC-i Vlorës. Mua kjo më ngjan me Nasin e Portokallisë që thoshte se e kish parë vetë se dielli perëndon në Divjakë.
Po dritat do thotë dikush?
Gjeni pse pengohet ndërtimi i HEC-ve në vende të vegjël e të mëdhenj. Për Skavicën janë gati 600 milion euro që presin prej 2 vitesh. Investim italian, paratë për HEC-et e vegjël i kanë të lira bizneset shqiptare, që po hyjnë në grevë urie thjesht që t’u japin leje. Projektet e gjenerimit të energjisë nga era janë gjithashtu në tavolinë të Berishës.
Por nadirët (përfshi nadirët tanë) i kanë bllokuar të gjitha lejet. Kanë dhe një arsye tjetër. Paratë e TEC-it nuk i nxjerr sot njëri nga xhepi, janë borxh që do e paguajnë fëmijët tanë. E fundit. Edhe Ai TEC-i i Fierit me gaz, sipas të cilit gazi do vijë me anije nga Filifistuni, duket si qiqra në hell. TEC-et me gaz kanë leverdi ekonomike vetëm nëse pranë tyre kalon gazsjellës. Me sa di unë Berisha ka projekt të gatshëm në tavolinë të gazsjellësit që kalon nga Selaniku, në Korçë dhe në Fier, që kalon pastaj me tub në Itali. Sipas të dhënave që kam unë, sikur qeveria të japë viston në fund të 2008-ës mund të ndërtohet TEC-i i parë me gaz në Korçë. Dhe një të fundit: a nuk duhet të mendojmë edhe ne, sado vend i vogël jemi, për ngrohjen globale, apo do të japim kontribut modest në apokalipsin e planetit?