E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektbuxheti 2010 Të përndjekurit, s’ka lekë për të gjitha kategoritë

Autori i Lajmit: Suela Topi
Projektbuxheti i vitit 2010 nuk parashikon dëmshpërblimin e të gjitha kategorive të ish-të përndjekurve. Një fakt i tillë është bërë i njohur në Komisionin e Ligjeve. Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar dje me Ministrinë e Drejtësisë, u vu në dukje se projektbuxheti i vitit të ardhshëm nuk parashikon dëmshpërblim për familjet e të ekzekutuarve pa gjyq dhe për të internuarit. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, dhe anëtari i këtij komisioni, Eduard Halimi, kërkuan sqarime pikërisht për këtë çështje. Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, pohoi se, për sa kohë që nuk ka një paketë të plotë ligjore, nuk mund të parashikohet fond financiar për këto kategori. Por ai shtoi se këto kategori mund të përfshihen tek përfituesit edhe gjatë vitit, me hyrjen në fuqi të bazës ligjore. Për të faktuar një mundësi të tillë ai përmendi fondin për dëmshpërblimin e pronarëve në vitin 2009, fond i cili u dyfishua pas rialokimeve të bëra në mes të vitit. Në tërësi fondi për këtë shtresë të shoqërisë është 2 miliardë lekë ose 0.2 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Diskutimi

“E rëndësishme është që të dalë kuadri ligjor. Pa dalë kuadri ligjor nuk mund të ketë planifikime për sa i përket buxhetit. Aq më tepër që pjesa e kualifikimit të buxhetit vjen nga Ministria e Financave mbi kërkesat që bën ministria e linjës për një çështje konkrete”, - sqaroi dje Nishani lidhur me mungesën e një fondi për të ish-të përndjekurit, të ekzekutuarit pa gjyq dhe ata të internuar. Megjithatë, ministri i Drejtësisë shtoi se ata mund të përfitojnë dhe gjatë vitit me anë të rialokimeve, duke pasur parasysh shembujt e vitit 2009. “Unë besoj se, nëse jemi të gatshëm për të përfunduar gjithë aktet ligjore, paketën ligjore, jemi të bindur se do të gjendet mbështetja financiare dhe për këtë kategori ish-të përndjekurish”, - tha ai. Lidhur me dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë për burgim të padrejtë dhe strategjinë e përgjithshme të dëmshpërblimeve, Nishani sqaroi se aktualisht, po punohet me intensitet në Ministrinë e Drejtësisë, nga sektori përkatës. “Deri tani janë mbi 3500 kërkesa të realizuara dhe të kaluara me vendim qeverie. Aktualisht, është në përfundim një vendim tjetër qeverie me 500 kërkesa të tjera që kanë përfunduar të gjithë procesin e dorëzimit të kërkesave, plotësimit të dosjeve sipas kërkesave që parashikon ligji. Brenda këtij viti do të tentojmë të realizojmë 1000 kërkesa të tjera dhe për sa kohë buxheti është parashikuar për këtë ecje, për këtë plan kalendar që ne e kemi shtrirë përgjatë tetë viteve, absolutisht që kemi besimin e plotë”,- sqaroi ai. Një tjetër mungesë në projektbuxhetin e vitit 2010, sipas deputeti Halimi është ajo për regjistrimin fillestar të pronave apo për rritjen e transparencës së këtij procesi. Pas kërkimit të sqarimeve lidhur me këtë çështje, ministri Nishani sqaroi se kjo gjë nuk përfshihet për faktin e thjeshtë se atje ku ky problem është më i dukshëm, është marrë përsipër të zgjidhet nga një projekt i financuar nga Banka Botërore. Ai pohoi se llogariten rreth 4 milionë pasuri të paluajtshme nga të cilat mbi 3 milionë janë regjistruar. “Problematika e regjistrimit të pasurive të paluajtshme është kryesisht në qarqet të mëdha aty ku tregu është më sensibël, në ato qarqe që përfshihen në projektin e Bankës Botërore si Tirana, Durrësi, Vlora etj. Vëmendja është përqendruar tërësisht tek regjistrimi i këtyre pasurive në këto qarqe, por të gjitha veprimet dhe aktiviteti është i financuar nga Banka Botërore. Pjesa tjetër jashtë këtyre qarqeve nuk përbën ndonjë sensibilitet të veçantë. Llogaritim rreth 500 mijë pasuri që janë vërtet problematike dhe që përfshihen në këtë projekt”, - tha ai. Gjatë seancës dëgjimore me kreun e Ministrisë së Drejtësisë është vënë dhe theksi tek financat e parashikuar në projektbuxhetin e vitit 2010 për të evituar mbipopullimin e burgjeve. Nishani sqaroi se zbatimi i shërbimit të provës po ndihmon mjaft në këtë drejtim, sepse rreth 40 të burgosur kanë përfituar nga kjo mënyrë e re e shlyerjes së detyrimit duke u larguar nga burgjet. Po ashtu, shtoi ai, po ndërtohen dhe burgje të reja me financa të Bashkimit Evropian. Më tej, Nishani ka theksuar se fondet e propozuara në projektligjin për buxhetin e vitit 2010 janë në rritje të vazhdueshme dhe plotësojnë nevojat për një zhvillim normal të aktivitetit.

Ky lajm është publikuar: 24/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›