Ngacmoi balerinën, vritet 26-vjeçari
DURRES/ OERD ULQINI
Ngacmimi i balerinës në një lokal nate në qytetin e Durrësit, i merr jetën një 26-vjeçari. Krimi ndodhi pas një përleshje fizike e më tej me armë zjarri, jashtë buzukut "Coco Bongo", pranë Gjykatës së Rrethit. Viktima është Emiliano Sula, banor i lagjes 13, i cili gjeti vdekjen pak minuta më vonë në spitalin e Durrësit. Të shtënat e armëve të zjarrit tronditën banorët e lagjes 2, shumë pranë qendrës së Durrësit. Autori i ngjarjes, sipas policisë, është pronari i lokalit të marrë me qira, Fundim Dedja, 56 vjeç. Ai është arrestuar 2 orë më vonë, bashkë me të nipin, pjesëmarrës në përplasjen fizike me viktimën. Mësohet se sherri me pasojë vdekjen nisi në orën 03:00 të ditës së djeshme, në ambientet e buzukut mes nipit të pronarit, Sajmir Mema, 32 vjeç dhe grupit të të rinjve ku ndodhej dhe Sula. Ky i fundit, sipas policisë, në gjendje të pirë, kishte nisur të ngacmonte balerinën e buzukut, duke bërë që të reagonin menjëherë pronari dhe nipi i tij. Për të mos prishur mbrëmjen e klientëve të tjerë brenda në lokal, mësohet se i është kërkuar grupit të dilte jashtë. Para derës së buzukut, Mema ka nisur të përleshet me grupin ku bënte pjesë 26-vjeçari. Pasi janë rrahur mes tyre, mësohet se Sula ka nxjerrë një pistoletë, duke qëlluar me të, por pa lënduar njeri. Krismat e armës bënë që dhe pronari të dilte jashtë, me pistoletën që ai e mbante pa leje, duke qëlluar me të në drejtim të Emilijano Sulës. Kur i riu është rrëzuar përtokë i gjakosur, pronari bashkë me nipin janë larguar me shpejtësi, ndërsa shokët e kanë transportuar me shpejtësi 26-vjeçarin drejt spitalit, ku dhe ndërroi jetë. Krismat e dëgjuara shumë pranë qendrës ka bërë që policia të mbërrijë me shpejtësi pranë lokalit, duke zbardhur shumë shpejt atë që kishte ngjarë. Nga marrja në pyetje e dëshmitarëve janë identifikuar autorët dhe forca të shumta policore nisën kërkimet. Brenda 2 orësh, forcat e policisë së Durrësit kanë bërë të mundur kapjen e tyre dhe zbardhjen e motiveve të krimit. Sipas burimeve zyrtare të saj, bëhet e ditur se u arrestua Fundim Dedja nga Xhafzotaj dhe i nipi Sajmir Mema nga Shijaka. Akuza e "vrasjes" është ngritur vetëm ndaj Dedjas, ndërsa mbi Memën ajo e "armëmbajtjes pa leje". Nga kontrolli i ushtruar në lokal u gjet një automatik, i cili rezultoi se i përkiste Memës. Në vendin e krimit u gjetën 7 gëzhoja pistoletash 7.62 dhe 9 mm. Mendohet se kjo e fundit i përkiste autorit, por policia nuk e gjeti nga kontrollet e ushtruara gjatë ditës së djeshme, duke dyshuar se shokët e viktimës e kanë fshehur. Materialet për këtë ngjarje të rëndë i kanë kaluar Prokurorisë së Durrësit.
Precedenti i sherrit në buzuk
Në prill të këtij viti një tjetër ngjarje ndodhi në buzuk "Coco-Bongo". Dy persona të pirë u ndaluan nga rojet e lokalit për të hyrë brenda, por pas përleshjes me ta arritën të hynin brenda, të armatosur me armë zjarri, duke qëlluar përreth. Policia ndërhyri në kohë, duke prangosur dy autorët dhe për fat nuk pati asnjë klient apo punonjës të lënduar.