Tregjet e titujve, destinacioni i radhës në zhvillimin e sistemit financiar në Shqipëri
Arjon Gjondedaj
Ky shkrim merr shkas nga politikat që Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) po ndjek për zhvillimin e tregut të titujve në Shqipëri dhe tenton të parashikojë mbarëvajtjen e këtij tregu në të ardhmen.
Sot, tregu i titujve në vendin tonë po tenton të marrë formën e duhur. Autoritetet kompetente po punojnë për plotësimin e serisë legjislative, e cila rregullon këtë treg. Aktualisht ekziston një treg ndërbankar, i cili funksionon si treg primar dhe sekondar për titujt e borxhit të brendshëm (bono thesari). Këtu, jo vetëm institucionet bankare, por edhe individët, mund të investojnë kapitalet në dispozicion. Ekziston gjithashtu një treg i licencuar nga AMF-ja për tregtimin e titujve të tjerë (aksione, obligacione, tituj derivativ), Bursa e Tiranës.
AMF aktualisht ka përgatitur tri projektligje në pritje të aprovimit. I pari, “mbi obligacionet e shoqërive aksionere dhe qeverisë vendore”, rregullon instrumentet financiare që do ti vijnë në ndihmë borxhit të shoqërive aksionere (përfshirë bankat e nivelit të dytë) dhe pushtetit lokal (bashkitë dhe komunat). I dyti “mbi Pensionet Private Vullnetare”, ndryshon ligjin në fuqi mbi Pensionet Private Suplementare duke përmirësuar infrastrukturën dhe mënyrën e funksionimit të këtij tregu. I treti, “për sipërmarrjet e investimeve kolektive”, modifikon ligjin mbi Fondet Private të Investimit, akoma në fuqi, i cili nuk i përshtatet aspak realitetit të sotëm ekonomik në vend. Kjo sepse Fondet Private të Investimit në Shqipëri parashikojnë anëtarësimin nëpërmjet bonove të privatizimit, çka e bën këtë ligj totalisht të pavend për situatën aktuale.
Në vijim do të referohen si fonde pensioni, Fondet e Pensioneve Private Vullnetare dhe si fonde investimi, sipërmarrjet e investimeve kolektive.
Fondet e Investimit dhe ato të Pensioneve janë institucione që ngrihen mbi bazën e skemave kolektive të akumulimit të kapitaleve të lira me synim ruajtjen dhe krijimin e vlerës. Pra këto fonde do të investojnë kapitalin e mbledhur në mënyrë të tillë që të jenë sa më konkurrente në treg. Treg ky aktualisht i dominuar nga bankat dhe shoqëritë e kursim kreditit.
Megjithëse në Shqipëri sektori bankar është më i zhvilluar se ai i kapitaleve, ai lë akoma për të dëshiruar. Bankat, të gjitha të llojit “tregtar” kanë si burim kryesor kapitali, depozitat dhe si mundësi kryesore investimi, kredinë (rreth 50% të depozitave) për ekonominë reale ose për borxhin e brendshëm të shtetit.
Duhen dalluar dy faza të ndryshme në të cilat Fondet (Pensionesh dhe Investimesh) dhe bankat konkurrojnë me njëra-tjetrën. Këta operatorë konkurrojnë në mbledhjen e kapitaleve, nëpërmjet normës së interesit që u ofrojnë investitorëve. Në anën tjetër, ato konkurrojnë në krijimin e një portofoli sa më eficient për të siguruar investime sa më fitimprurëse. Pra konkurrojnë në fazën e mbledhjes dhe në atë të shpërndarjes së kapitalit. Duhet pasur parasysh që me hyrjen në treg të Fondeve, totali i kapitaleve në qarkullim nuk është se do të rritet, ai thjesht do të shpërndahet ndërmjet disa operatorëve të ndryshëm të tregut, të cilët, për të qenë sa më të suksesshëm, do të konkurrojnë me njëri-tjetrin.
Për të mbijetuar në treg këto operatorë do të duhet të ofrojnë normë sa më të lartë kthimi (fitimi) për kapitalet që mbledhin. Por për të përballuar këtë normë fitimi, kapitalet e mbledhura duhet t’i investojnë në aktivitete me kthim sa më të lartë (portofol investimi të efektshëm).
Sikur u shpreh më lart, sot operatorët e tregut (bankat), mbledhin kapital nëpërmjet depozitave të qytetarëve dhe e investojnë këtë kapital në titujt e borxhit të shtetit, në kredi (54,4% të depozitave në tremujorin e tretë të vitit 2008) dhe tituj të huaj. Pra diversifikimi i portofolit është shumë i limituar.
Tregu i titujve në të ardhmen
Pyetja që spontanisht lind është:
Si mund ta imagjinojmë tregun shqiptar të kapitaleve disa vite pas aprovimit të projektligjeve në fjalë?
Le të hedhim disa hipoteza.
- Hipoteza e parë: Treg jokonkurrues
Këta operatorë veprojnë në mënyrë jo konkurrenciale ndërmjet tyre dhe ndajnë tregun. Duke vëzhguar një nevojë gjithmonë në rritje të shtetit shqiptar për të thithur kapital (borxhi i brendshëm), kapitalet mund të vazhdojnë të investohen në bono thesari dhe normat që këta operatorë do të ofrojnë do të jenë jokonkurruese (Efekti /////Croëding Out). Pra investitori (qytetari) do të jetë indiferent ndaj investimit në depozita me afat, në kuota të Fondit të Investimit apo të kontraktojë me Fondet e Pensioneve. Si rrjedhojë, gjërat nuk do të ndryshojnë shumë nga situata në të cilën ndodhen sot.
- Hipoteza e dytë: Treg i paqëndrueshëm.
Ekonomia shqiptare është e ngjashme me ekonomitë postkomuniste të Europës Juglindore, të cilat karakterizohen nga norma të larta informaliteti dhe korrupsioni. Tregu do të jetë shumë i influencueshëm si rrjedhojë e madhësisë së tij të limituar. Kjo mund të shtyjë investitorët vendas dhe të huaj të spekulojnë dhe si pasojë do të krijohet një treg jo i qëndrueshëm dhe kundërproduktiv.
Por, këto dy hipoteza, megjithëse deri diku reale, nuk e pasqyrojnë sikur duhet të ardhmen e tregut të kapitaleve në Shqipëri. Kjo për disa arsye kryesore: Politikëbërësit nuk mund të lejojnë një falimentim të dytë të tregut dhe vetë qytetari është, sot më shumë se kurrë, i ndërgjegjshëm mbi atë që ndodh në treg, falë edhe informacionit gjithmonë e më të detajuar financiar. Gjithashtu borxhi i brendshëm nuk mund të vazhdojë rritjen në pafundësi. Po afron dita kur Shqipëria do të anëtarësohet në BE. Si rrjedhojë, asaj do t’i duhet ta mbajë borxhin brenda limiteve të paracaktuara nga vendet anëtare të BE-së. Limit të cilit po i afrohemi dita-ditës. E, si përfundim, nuk duhet të anashkalojmë faktin që aktualisht tregu bankar vepron në kushte konkurrence. Pra, me rritjen e operatorëve në treg konkurrenca doemos do të rritet.
- Hipoteza e tretë: Këta operatorë veprojnë në kushte konkurrence.
Me aprovimin e projektligjeve të AMF-së, Fondet e Investimit dhe ato të Pensioneve fillimisht do të investojnë kapitalin e mbledhur në instrumentet që i ofron sot tregu.
Në situatën aktuale, tregu shqiptar ofron këto mundësi investimi:
A) Tregjet e rregulluara:
1. Bono thesari
2. Depozita me afat
3. Prona të patundshme
4. Investim në valutë të huaj
5. Kredi (bankat)
6. Kuota në Shoqëri Kursim Krediti...
B) Tregjet informale:
1. Aksione të bizneseve private
2. Kreditim të bizneseve apo individëve (fajde)
3. Investim në aktivitete të paligjshme...
Pra, me aprovimin e projektligjeve të mësipërme, Fondet do të kenë mundësi të investojnë në një pjesë të instrumenteve të lartpërmendura (tregjet e rregulluara) dhe do të jenë gjithmonë në kërkim të instrumenteve të reja për të ndërtuar një portofol investimi sa më të diversifikuar. Në këtë mënyrë do të shtyjnë tregun në krijimin dhe si rrjedhojë tregtimin e instrumenteve të reja të investimit. Këtu rol të rëndësishëm do të luajë nevoja e sipërmarrjeve private dhe pushtetit lokal për kapital. Duke anashkaluar temën "ekonomia informale" dhe rolin e saj jo të vogël në ekonominë shqiptare, sipërmarrjet vendase dhe ato të huaja për të vënë në jetë projektet e tyre, kanë nevojë për kapital. Ky kapital sot buron nga investimi i fitimeve dhe kredia bankare. Kjo vihet re nga kërkesat në rritje të bizneseve private për kredi pranë bankave. Këto biznese i drejtohen bankave si e vetmja mundësi formale për kapital të jashtëm. Aprovimi i projektligjit “mbi obligacionet e shoqërive aksionere dhe qeverisë vendore” do të rritë varietetin i instrumenteve në treg. Pra, në treg do të shfaqen të paktën tre instrumente të reja, kuota të fondeve të investimit, obligacione të shoqërive aksionere (përfshirë bankat) dhe obligacione të qeverisë vendore. Gjithashtu këta operatorë të rinj do të kenë nevojë të veprojnë me këto instrumente. Sipas projektligjit “Për Fondet e Pensionit Vullnetar”, Neni 62, dhe projektligjit “Për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive”, Fondet kapitalin e mbledhur nuk mund ta investojnë në tituj të cilët nuk janë të listuar në tregje të rregulluara. Si rrjedhojë, do të jetë i domosdoshëm funksionimi i një tregu kapitalesh (bursë). Sipas rregullores së AMF-së nr.120 datë 02.10.2008, Neni 2 pika 4, tregu i letrave me vlerë (bursa) duhet të operojë në formë tregtimi elektronik. Pra Bursa e Tiranës, në formën e tregtimit që ofron, nuk mund të operojë në treg. Si rrjedhojë Bursa e Tiranës do të duhet të reformohet ose në treg do të lindë një Bursë tjetër. Rivënia në punë e Bursës së Tiranës, do të pasohet me privatizimin e saj, ndoshta nga Bursa të huaja. Kjo do të afrojë në Shqipëri, kapital dhe “know-how”.
Rezultati përfundimtar: Është e vështirë të thuhet që implementimi i këtyre ndryshimeve nuk do të kalojë faza vështirësie. Këto ndryshime janë rrënjësore dhe të domosdoshme për Ekonominë shqiptare. Historia e vendeve të tjera të botës na tregon që këto operatorë dhe këto instrumente kanë ndihmuar në zhvillim. Si rrjedhojë edhe në Shqipëri do të krijohet një treg dinamik dhe efikas në shpërndarjen dhe investimin e kapitalit, i cili do të ndihmojë sipërmarrjet private dhe pushtetin lokal në realizimin e projekteve të investimit e si përfundim në zhvillimin e shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare.
7 Gusht 2009