QKR: Bizneset, afat deri më 30 shtator për dorëzimin e bilanceve
Të gjitha subjektet private që duhet të dorëzojnë pranë sporteleve të Qendrës së Regjistrimit kanë afat deri më 30 shtator për ta bërë këtë gjë. Administrata e QKR-së njoftoi se ka shtyrë afatin, i cili ishte përcaktuar deri më 31 korrik të këtij viti. “Lajmërohen të gjitha subjektet se dorëzimi i bilanceve pranë çdo sporteli QKR-së shtyhet deri më 30 shtator 2009. Depozitimi i bilancit vjetor kontabël dhe raporti i auditimit vetëm për vitin ushtrimor 2008 do të dorëzohet vetëm me CD pranë sporteleve QKR-së në të gjithë Shqipërinë. Bilanci duhet të mbajë vulën e subjektit si dhe firmën, ose vetëm firmën në mungesë të vulës. Bilancet pa elementet e mësipërme nuk do të pranohen si të vlefshëm për hedhje në sistem”, - thuhet në njoftimin zyrtar të kësaj administrate. Gjithashtu bëhet me dije se formati i bilancit të pranuar do të jetë PDF ose Excel (read-only). “Në rastin kur subjekti zgjedh formatin e dorëzimit të bilancit në formën Excel (read-only), duhet të bashkëngjitë të skanuar një dokument të lëshuar nga vetë subjekti, nëpërmjet të cilit të vërtetohet firma e nënshkruesit të bilancit dhe vula e shoqërisë, që nuk mund të pasqyrohen në formatin Excel”, - nënvizohet në njoftimin e QKR-së. Sipas përcaktimit ligjor, dorëzimi bëhet vetëm duke u paraqitur pranë sporteleve të QKR-së për aplikim dhe dorëzimi i bilancit vjetor dhe pasqyrave financiare pranë sporteleve të QKR-së nuk e përjashton subjektin nga dorëzimi i tyre pranë zyrave të tatim-taksave sipas legjislacionit tatimor.
7 Gusht 2009