E Diel, 1 Nëntor 2026

SHKB nis hetimet për incidentin në Butrint

Autori i Lajmit: red.
Denoncimi i bërë ndaj Enver Muçaj, shef i Postës në Qafë-Botë, ka bërë që strukturat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të hetojnë mbi ngjarjen e datës 15 korrik në Butrint të Sarandës, në konfliktin e dhunshëm mes një qytetari, kryeplak i fshatit Shëndelli dhe shefit të policisë kufitare, thanë burime zyrtare të Ministrisë së Brendshme. Mes Petrit Dodës, lindur në Mirditë e banues në Shëndëlli, Sarandë dhe komandantit të Pikës së Kalimit Kufitar, Qafë-Botë, Enver Muça janë shkëmbyer replika të ndërsjellta për ushtrim dhune verbale dhe fizike. Strukturat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm konfirmuan, se kanë kryer verifikimet paraprake dhe kanë marrë deklarimet e Petrit Dodës dhe punonjësit të policisë Enver Muça, e po kështu të disa dëshmitarëve të ngjarjes. SHKB pohoi se është duke hetuar, ndërkohë edhe mbi rrethanat nga të cilat janë përftuar shenjat në fytyrë dhe trup të kryeplakut të Shëndellisë, Petrit Doda. Pas kësaj ngjarjeje, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Sarandë mësohet se po heton paralelisht mbi dy kallëzime, atë të kryer nga komandanti i PKK-së, Qafë-Botë, Enver Muça për fyerje dhe goditje për shkak të detyrës dhe kallëzimin e Petrit Dodës, për kryerje të veprimeve arbitrare nga ana e punonjësit të policisë. Në lidhje me kryeplakun Petrit Doda, Ministria e Brendshme theksoi dje se ai “është person me precedentë kriminalë dhe ka qenë disa herë i arrestuar dhe dënuar, konkretisht në dhjetor 2005 dhe korrik 2007 për trafiqe të paligjshme dhe në vitin 2006 për vjedhje”. “Po kështu, ndaj këtij shtetasi ka një kallëzim tjetër për fyerje në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë nga një gazetare lokale”, plotësoi Ministria e Brendshme.

Ky lajm është publikuar: 31/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›