E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia italiane kap me një kg kokainë shoferin e Ambasadës Shqiptare në Romë

Arsen Selmanllari, 33 vjeç, lëvizi nga Roma në Milano pa asnjë zyrtar të Trupit Diplomatik shqiptar

Luan Kondi

ROMË - Shoferi i Ambasadës Shqiptare në Itali kapet me 1 kilogram drogë të dyshuar kokainë. Agjencia e lajmeve italiane publikoi dje lajmin se Arsen Selmanllari, 33 vjeç, ka përfunduar në pranga pasi është kapur me një sasi të konsiderueshme kokaine në Itali. Burime policore thanë për mediat italiane se makina ishte e Ambasadës Shqiptare në Romë dhe mbante targat e Trupit Diplomatik shqiptar. Po të njëjtat burime thanë se autori i veprës penale ishte shoferi zyrtar i makinës. Ende nuk dihen motivet pse ai kishte lëvizur nga Roma në Milano kur ai nuk transportonte për atje ndonjë zyrtar të ambasadës, por thjesht një grua të moshës 30-vjeçare, emri i së cilës nuk është bërë publik për arsye hetimi.
Operacioni
Aksioni është kryer nga forcat e Gurda di Finanza dhe karabinierët pak pasi ishte marrë një informacion i sigurt për sasinë e drogës që ndodhej në makinë. Zyrtarisht mediat italiane raportojnë se sasia e lëndës narkotike është 1 kg kokainë e pastër. Ishin karabinierët ata që i bënë shenjë drejtuesit të mjetit të ndalonte. Ai nuk ka kundërshtuar, por kur polici i ka pyetur personat që gjendeshin në mjet se cilët ishin dhe ku shkonin, ata nuk kanë reaguar mirë e për më tepër janë revoltuar kur kanë marrë urdhër të hapnin bagazhin e makinës. Pas konstatimit të mallit janë ndaluar dhe arrestuar në kushtet e flagrancës të dy personat, edhe pse shoferi i makinës, për të shpëtuar nga kontrolli, u ka treguar karabinierëve një dokument të lëshuar nga Ministria e Jashtme Italiane, duke u hequr si diplomat, por në fakt ai ka rezultuar shofer i makinës dhe punonjës i Ambasadës sonë në Romë.
Njoftohet Tirana
Pas ngjarjes u njoftuan menjëherë autoritetet e Tiranës zyrtare. Ministria e Jashtme Shqiptare kanë pranuar faktin se 33-vjeçari është punonjës i saj dhe menjëherë ka nisur procedurat për heqjen e imunitetit të tij diplomatik. Arrestimi i Selmanllarit është bërë nga grupi hetimor i krimit të organizuar të Guardia di Finanza së Milanos. Në makinën e tij me targa diplomatike, Selmanllari kishte fshehur plot një kg kokainë. Bashkë më shoferin e Ambasadës Shqiptare është arrestuar edhe një grua shqiptare, emri i së cilës nuk është publikuar nga autoritetet italiane. Arrestimet janë kryer gjatë një kontrolli policor në autostradë, në dalje të Milanos. Pas arrestimit, drejtori i Antimafies rajonale, Marcelo Musso, ka kërkuar që të dy shqiptarët të mbeten në burg.

26 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›