Gruaja vret burrin, kishin vetëm dy javë të martuar
TIRANË – Krimi brenda familjes vret sërish. Viktimë këtë herë është Marash Doda, 32 vjeç, me banim në Bregun e Lumit në Tiranë. Mësohet se ai është qëlluar disa herë me thikë nga gruaja e tij, Vitore Doda, rreth orës 14:30 minuta të ditës së sotme. Sapo është marrë lajmi për këtë ngjarje, forca të shumta policie janë grumbulluar në banesën e çiftit Doda. Ata kanë gjetur të pajetë brenda shtëpisë trupin e 32 - vjeçarit dhe menjëherë janë vënë në ndjekje të autorit. Vetëm pas 30 minutash është arritur të vihet në pranga autorja e krimit, gruaja e viktimës, Vitore Doda. Nga policia konfirmohet edhe sekuestrimi i armës së krimit, që këtë herë ka qenë një thikë buke. Të afërmit dhe fqinjët e pyetur nga policia janë shprehur se brenda familjes nuk kishte grindje mes tyre, madje ata janë habitur për këtë krim. Doda kishte pasur një martesë të mëparshme dhe me Vitoren kishte vetëm 2 javë që ishte martuar. Dje Vitorja kishte shkuar në shtëpi për të marrë rrobat e saj, pasi kishte vendosur të mos jetonte me të. Sipas dëshmive aty ka nisur sherri, i cili ka degjeneruar në krim.
Itali, tragjedi për dy familje shqiptare, vdesin 3 fëmijë
PESKARA – KASERTA - Tre fëmijë shqiptarë kanë humbur jetën sot në Itali, në dy tragjedi të ndryshme. Ngjarja e parë e rëndë ka ndodhur në zonën e Peskarës, kur një familje shqiptare me katër persona, që udhëtonte me makinë në këtë zonë, është përplasur me një kamion. Si pasojë kanë humbur jetën dy fëmijë, një djalë 7 vjeç dhe një vajzë 4 vjeçe, të afërm me njëri-tjetrin. Dy prindërit e njërit prej fëmijëve kanë mbijetuar dhe janë shtruar në spital. Babai i fëmijëve është shtruar në Spitalin e Çietit dhe nëna në spitalin e Peskarës. Por mësohet se edhe gjendja e tyre shëndetësore është shumë e rëndë. Policia, e cila mbërriti në vendngjarje, bën të ditur se makina drejtohej nga babai i njërit prej fëmijëve. Nuk konfirmohen emrat e të aksidentuarve, pasi Policia italiane po punon ende për identifikimin e tyre.
Ndërkohë, një tjetër fëmijë me baba shqiptar e nënë italiane ka humbur jetën në Itali mëngjesin e djeshëm. Vajza 2-vjeçare e çiftit gjysmëshqiptar humbi jetën kur një zjarr i madh shpërtheu në banesën e familjes në Ponte Latone, pikërisht në rajonin Kaserta të Italisë. Në kohën e shpërthimit të zjarrit në banesë ishin dhe babai dhe nëna e vajzës. Por prindërit arritën të nxirrnin nga flakët dhe të shpëtonin djalin e madh 4 vjeç. Ndërkohë, vogëlushja 2-vjeçare nuk ka mundur t’u shpëtojë flakëve. Autoritetet po hetojnë shkaqet e zjarrit që i mori jetën vogëlushes 2-vjeçare.
26 Gusht 2008