E Diel, 1 Nëntor 2026

USAID-i jep 10 milionë USD për rritjen e konkurrencës së produkteve shqiptare



Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim, USAID, nëpërmjet një programi të ri 5-vjeçar me vlerë prej 10 milionë USD, po mbështet bujqësinë shqiptare për rritjen e konkurrencës së prodhimeve përballë tregjeve europiane. Në panairin “Agrobiznes 2008”, që është çelur të enjten në Pallatin e Kongreseve në Tiranë nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, është prezantuar në një pavijon të veçantë dhe projekti i USAID-it për “Aftësinë konkurruese shqiptare”. Presidenti i KASH-it, Enver Ferizaj, tha se programi synon të ndihmojë fermerët në përmirësimin e prodhimtarisë në bizneset e tyre, për të prodhuar sipas standardeve dhe në Korçë, është ngritur njëra prej zyrave rajonale të këtij programi. Ky program, harmonizohet dhe me Strategjinë Kombëtare për Zhvillimin Bujqësor të Shqipërisë, që synon të përmirësojë prodhimtarinë dhe konkurrueshmërinë e prodhuesve, e tregtarëve dhe të agrobizneseve. Programi parashikon për fermerët ofrimin asistencës teknike dhe veçanërisht adaptimin e metodave që ruajnë mjedisin apo të teknologjive të reja që përdoren pas vjeljes, si dhe në forcimin e lidhjeve më të mira me tregun e brendshëm dhe atë të jashtëm. Sipas burimeve nga Ministria e Bujqësisë, USAID-i është një nga kontribuesit kryesorë dhe më të rëndësishmit në sektorin e bujqësisë shqiptare. Kjo për faktin se ky sektor luan rol në rritjen e ekonomisë, në përmirësimin e cilësisë së jetës, si dhe në uljen e varfërisë në zonat rurale në mbarë Shqipërinë.

29 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›