SHQIPJA E DRUNJËZUAR
Kur përmendim rreziqet që i kërcënohen shqipes publike, ndalemi zakonisht në fjalët e huaja të futura rishtas në përdorim pa nevojë, ose strukturat sintaksore të huazuara nga gjuhë të tjera, sidomos nëpërmjet përkthimeve të pakujdesshme; por, në të vërtetë, rreziku më i madh edhe pse më i padukshëm mbetet drunjëzimi.
Flama e drunjëzimit (frëngjisht langue de bois) njihet prej kohësh, si simptomë e mbizotërimit të jetës publike nga politika ose e burokratizimit të komunikimit; por në ditët tona rreziku i kësaj sëmundjeje vjen e amplifikohet, ngaqë njerëzit gjithnjë e më dendur komunikojnë publikisht nëpërmjet mass mediave. Për pasojë, ligjërimi më tepër se kumtimit të qartë të mendimit vihet në shërbim të riprodhimit të strukturave sociale ekzistuese, organizmave ose institucioneve që kanë pushtet. Shumë persona publikë, që gabimisht kujtojnë se e flasin shqipen lirisht, kanë përfunduar tashmë të folur nga një trajtë e drunjtë dhe e thatë e ligjërimit shqip.
Çfarë është pikërisht shqipja e drunjtë? Çfarë na detyron të themi shprehem në mbështetje të propozimit, në vend të e mbështet propozimin; ose Gjuha shqipe ka një dokumentim shkrimor relativisht të vonë, në vend të Gjuha shqipe është dokumentuar me shkrim relativisht vonë?
Mes tipareve të drunjëzimit, studiuesit e ligjërimit publik përmendin metaforat e lodhura ose klishetë si, gju më gju me popullin, kjo tokë e larë me gjakun e të rënëve, malësorët tanë kreshnikë; frazat e gatshme të tipit lë për të dëshiruar, në mungesë të, nën ndikimin e, problem i shtruar për zgjidhje, duke marrë parasysh faktin se, rritja e mëtejshme; fjalët me kuptim jashtëzakonisht të përgjithshëm si dukuri, çështje, problem, aspekt, zhvillim, faktor; zëvendësimin obsesiv të foljeve me emra foljorë; fjalët e tepërta si, në mënyrë të veçantë për veçanërisht; në mënyrë të hapur për haptazi; vazhdon të mbetet në vend të mbetet; ose procesi i përpunimit, në vend të përpunimi.
Për nga gramatika, shqipja e drunjtë nuk ka të sharë, madje ata që e përdorin shquhen për formim kulturor, inteligjencë dhe sidomos vetësiguri mbi mesataren. Ligjërimi drunjëzohet kur folësit nuk shqetësohen më për t’u shprehur qartë dhe efektshëm, por fillojnë t’i japin vetë procesit ligjërimor më shumë rëndësi sesa informacionit që po komunikojnë, për të nxjerrë nga goja thënie të tilla si:
Nevojitet adoptimi i një strategjie gjithëpërfshirëse për reformën në drejtësi, për përmbushjen e kuadrit ligjor dhe sigurimi i burimeve njerëzore dhe financiare për implementimin e saj.
Të cilat e bëjnë dëgjuesin ta humbë dëshirën për ta ndjekur bisedën, fjalimin ose artikullin.
Të jetë drunjëzimi vallë një lloj arti burokratik?
Shpesh drunjëzimi i detyrohet drejtpërdrejt dëshirës së ligjëruesit për ta tërhequr vëmendjen e publikut ndaj vetes, nëpërmjet ligjërimit të ashtuquajtur profkatar:
Shkak për këtë është bërë mosrespektimi i parametrave inxhinierike në realizimin e shtesës së fakultetit...
Unë jam i bindur se ne po shtrojmë një bazë të fuqishme për një progres të shpejtë dhe për konsolidimin e një sistemi arsimor që do të bëhet promotori më i fuqishëm i ndërtimit të së ardhmes së vendit.
Zhvillimi ekonomik vazhdon të jetë i ndikuar nga mungesa e zbatimit të ligjit...
Shprehje të tilla dëmtojnë jo vetëm komunikimin, por edhe të menduarit e ligjëruesit; sepse një gjë është të thuash parametrat inxhinierikë nuk janë respektuar dhe një gjë tjetër mosrespektimi i parametrave inxhinierikë; dhe më tej akoma: si mund të ndikohet zhvillimi ekonomik nga mungesa e zbatimit të ligjit? Jam pothuajse i sigurt që i njëjti ligjërues, kur i futet gruaja natën vonë në krevat, nuk i thotë “procesi im i të fjeturit u ndikua nga mungesa e pranisë sate në hapësirën e shtratit.”
I acaruar, më se gjashtëdhjetë vjet më parë, me këtë sëmundje të të shprehurit, George Orwell-i e përshkruante atë si “përngjitje rripash të gjatë fjalësh, të cilat janë vënë bashkë nga dikush tjetër... Kjo mënyrë të shkruari është e lehtë... Në qoftë se ti përdor fraza të gatshme, jo vetëm që nuk të duhet të qëmtosh për fjalën e saktë, por as ke pse të vrasësh mendjen për ritmin e fjalive... Kur përdor metafora, krahasime dhe frazeologji bajate, ti ia kursen lodhjen mendjes, por vetëm duke e lënë kuptimin të vagullt, jo vetëm për lexuesin, por edhe për ty vetë”.
Parafabrikatet gjuhësore, me të cilat shpesh e ndërtojmë ligjëratën sjellin me vete edhe kuptime të gatshme, u referohen ligjërimeve të mëparshme, fjalëve madje edhe të dikujt tjetër. Gjuha e drunjëzuar shenjon skllavërimin tonë ndaj ekzistueses.
Në totalitarizëm, ligjërimi publik nuk mund veçse të konfirmonte ritualisht fjalën e kreut ose autoritetit suprem; deri aty sa vetëm kur ta kishim përvetësuar teknikën ose mjeshtërinë e të folurit publik, do të quheshim qytetarë të denjë të regjimit.
Një pjesë e drunjëzimit të sotëm të shqipes i detyrohet kështu edhe inercisë së të djeshmes, ose aftësisë që ka gjuha për ta bartur vdekjen me vete. Një pjesë tjetër ka të bëjë, përkundrazi, me çka shkrimtari Martin Amis e ka quajtur “profesionalizim të jetës së përditshme”, i cili i shtyn njerëzit të dalin në podium për të shqiptuar diçka si:
Procesi i tranzicionit ka arritur në një pikë të tillë, ku thellimi i mëtejshëm i tij nuk mund të realizohet veçse si një proces frontal.
Thënia e mësipërme tingëllon dinjitoze dhe profesionale, e denjë për t’ia ofruar, bie fjala, një publiku që kërkon me çdo kusht të jetë (për ta thënë përsëri me një klishe) “në lartësinë e duhur” – paçka se tranzicioni është gjithnjë proces, dhe thellimi nuk mund të jetë veçse i mëtejshëm, pa folur pastaj për procesin frontal, dhe realizimin e thellimit.
Shqipja e drunjëzuar është një lloj zhargoni – bartësit e saj kanë shpenzuar kohë dhe mund për ta përvetësuar; dhe e kanë përvetësuar jo për qejf, as për të marrë vesh se ç’thuhet në TV, por ngase besojnë që drunjëzimi u siguron suksesin në ligjërimin publik. Mirëpo një sukses i tillë, edhe në qoftë se përnjëmend arrihet, është suksesi i kujt ka pushuar së përdoruri gjuhën shqipe si mjet komunikimi (ndoshta sepse nuk ka çfarë të thotë më), për t’u mjaftuar me përdorimin e saj si kozmetikë për egon publike:
Natyrshëm jam këtu për të arsyetuar me ju edhe disa hallka që ende çalojnë, duke zbehur performancën, duke zvarritur efektin e veprimit ligjor goditës që ju bashkon me strukturat e shtetit të së drejtës.
Shpesh autoriteti, formal ose shpirtëror, vjen e rrëgjohet në aftësinë për të zgjatur një mendim të shkurtër me një thënie të shtriqur si prej llastiku:
Është e domosdoshme që shteti të realizojë një mbështetje financiare të këtij sistemi sipas një plani veprimi të shtrirë në një hark kohor disavjeçar...
Më shkurt do të ishte: Shteti duhet ta mbështetë financiarisht sistemin sipas një plani veprimi disavjeçar.
Por, edhe brenda ligjërimit publik, sikurse në botën e pornografisë hard core, gjatësia ka rëndësi.
Shqipen e drunjëzuar mund ta përfytyrojmë si shëtitore a hapësirë tjetër publike mbushur me gjithfarë veturash të parkuara jashtë rregullave, kioskash të paligjshme, reklamash që pengojnë qarkullimin, arkash me mallra rrezëllitëse, por të panevojshme, plehrash të mbijetuara nga një panair a festë e vjetër, prostitutash që u kanë mbetur në trotuar vetëm çizmet, posterash e sloganesh të lashta politike mbivendosur në faqet e zhkarravitura të ndërtesave, dyqanesh të vdekura, por ende të pakallura, si stenda muzeu. Meqë shqipja është gjuha jonë e përbashkët, dhe e vetmja që përdorim për të komunikuar mes nesh si komb, kush abuzon me të, abuzon edhe me qytetarinë tonë dhe vullnetin tonë për zotim publik, duke na e ndotur dhe bërë të pajetueshëm mjedisin ku përftohemi dhe riprodhohemi si qenie sociale.
Çfarë mund të bëjmë atëherë? Kur dëgjon si janë drunjëzuar edhe gjuhët madhore të planetit – anglishtja dhe frëngjishtja – të priten krahët; por kjo ndoshta do të vlejë si arsye më tepër për qëndresë. Nuk kam ndonjë iluzion se gangrena të tilla mund të luftohen me artikuj në gazetat, por artikujt mund të zgjojnë nga gjumi kalorësit e bardhë të shqipes: shkrimtarët. Gjithnjë më duket sikur kam hapur dritaren dhe më ka hyrë në dhomë ajër i pastër nga pylli me pisha, kur ndesh në ligjëratën e një shkrimtari të mirë në gazetë – madje edhe kur shkrimtari merret me tema prozaike të tilla si mbarështimi i dythundrakëve, ose pronësia intelektuale në socializëm. Për fat të keq, në vrullin e vet, moderniteti rreket t’i shtyjë shkrimtarët anash, për t’i hapur rrugë vërshimit të fjalës anonime, kra-krasë, ose lumit të rrëmbyeshëm që sjell me vete gjithfarë parafabrikatesh, klishesh, mbeturinash dhe profkash shumëngjyrëshe. Kjo farë epoke ku komunikimi interpretohet si një formë sui generis e transaksionit ekonomik, i parapëlqen shkrimtarët të mbyllur në kasafortat e mitit letrar, ose fundja si mumie në faqet e historisë së letërsisë kombëtare.
Më në fund, drunjëzimin e ligjërimit publik nuk e ndan dot nga vetëkënaqësia e parive llomotitëse – elitave, politikanëve, agjitatorëve, ekspertëve shpjegues, personazheve të komunikimit publik. Prandaj ndoshta u mbetet përsëri mediave që të nxitin, në mos frymën kritike ndaj mënyrës si po e flasim shqipen, të paktën frymën kritike ndaj çfarë po themi, si po e themi dhe kujt po ia themi; ose, për ta shprehur me një metaforë shpresoj ende të pakonsumuar, t’u nxjerrin përpara ligjëruesve një pasqyrë zanore, ku këta të fundit të shohin se në ç’karikatura rrezikon t’i shndërrojë fjala e drunjtë.