E Shtunë, 31 Tetor 2026

A ka filluar të gjallojë pulsi i ndryshimeve cilësore?

Misioni i Universitetit të Vlorës nuk është për të pajisur studentët me diploma informale, sepse këto nuk i vlejnë askujt dhe sjellin dëme me pasoja të mëdha për vetë studentët dhe për shoqërinë në përgjithësi. Stafi akademik i Universitetit të Vlorës, si dhe pjesa më cilësore e bllokut studentor, po luftojnë që diplomat të jenë të barasvlershme me ato që merren në Universitet e Evropës.

Duke ecur me këtë filozofi, nuk do të jetë e largët dita kur universiteti "Ismail Qemali" do të festojë me krenari ceremoninë e dhënies së diplomave cilësore në të tëra degët e tij...

Ja si shprehet profesor Shaska kur shpalos platformën e vetë si rektor i këtij universiteti: "Ndryshimi kryesor i universiteteve tona me ato perëndimore është se universitetet perëndimore përgatisin specialistë për 50 vitet e ardhshme, kurse universitetet tona vazhdojnë të përgatisin specialistë për 50 vitet e shkuara"!

Kjo është bindja e një shkencëtari vlonjat, që kërkon të mbjellë dituri, personalitet, dashuri njerëzore dhe të ardhme të ndryshme për bashkëkombësit e vet, që padyshim e meritojnë. Mbi bazën e këtyre ideve, stafi akademik i Universitetit të Vlorës filloi riorganizimin e programeve të reja mësimore sipas profilit botëror dhe kombinimin e kurseve të përbashkëta për të siguruar ecurinë e sigurt dhe cilësore të të gjitha degëve ekzistuese, por njëherësh duke lënë edhe hapësira pa fund për çeljen e degëve të reja. Sipas këtij vizioni, u çelën degët e reja si: Inxhinieri Mekanike, Shkenca Kompjuterike dhe Matematikë, të cilat po funksionojnë mirë. Kjo reformë në themel të saj përmban të drejtën natyrale të aplikantit, që do të thotë studenti të mund të vijojë studimet atje ku i ka prirjet personale.

Të mos harrojmë se jo më shumë se 3 dekada më parë ishin me qindra e qindra ata të rinj shqiptarë, të cilët nuk kishin mundësi të ndiqnin studimet e larta për efekt të luftës klasore. Të mos harrojmë edhe se 4-5 vite më parë në universitetet shqiptare, në degë të zgjedhura si Stomatologji, Juridik etj., shumë studentë nuk mund të regjistroheshin pa paguar. Të flasim më tej për "faktin e hidhur" se për të marrë një diplomë në Infermieri tarifa ishte tepër e lartë. Këto i dinë mirë ata të cilët kanë kaluar nëpër këto peripeci, si edhe ndërgjegjja e atyre "pedagogëve", "doktorëve" e profesorëve" u thënçin, që projektonin këtë blasfemi!

Universitetet publike duhet të kenë lirinë e nevojshme akademike për të hapur apo mbyllur degë të caktuara, sipas kërkesave të kohës dhe zhvillimit të saj. Kështu, Universiteti i Vlorës për vitin 2008-2009 kërkoi nga MASH të çelë degën e Inxhinierisë elektrike. Rektorati kishte studiuar mundësinë që kësaj diplome t‘i jepte drejtimin e komunikacioneve dixhitale (aq shumë e kërkuar në treg) dhe ta gërshetonte natyrshëm me katedrat e Matematikës dhe Informatikës.

TEC-i që po ndërtohet në Vlorë, si dhe projekti i ndërtimeve të kapaciteteve të konsiderueshme të aero-gjeneratorëve në zonën e Karaburunit, do të prodhojë një sasi të konsiderueshme energjie elektrike. Kjo kërkon padyshim përgatitje të specialistëve të kësaj fushe për mirëmbajtje dhe menaxhim e që fare mirë mund të specializohen nga Universiteti i Vlorës. Por nëpunësit e MASH-it pa asnjë argument nuk lejuan çeljen e degës së Inxhinierisë elektrike. Ky absurd buron nga filozofia e vjetër e posedimit dhe planifikimit socialist. Po aq të nevojshme janë edhe çeljet e degëve të reja si: Kimi-Biologji, Histori-Gjeografi dhe Kontabilitet-Financë. Dega e Kimi-Biologjisë mund të specializojë diplomantë shumë të kërkuar në biologjinë e mjedisit. Dega Histori-Gjeografi mund të specializojë diplomantë në Histori dhe Arkeologji. Duhet vlerësuar që nëntoka e këtyre trevave fsheh thesare të pafundme në fushën e rrënjëve të qytetërimit evropian. "Ǒpasuri e madhe dijesh e pret arkeologun kur toka shqiptare të hapë thesaret e historisë së pellazgëve", thotë plot respekt studiuesi dhe diplomati amerikan për Ballkanin e viteve ‘20-‘30 të shekullit XX, George Fred Williams.

Universiteti i Vlorës i ka të gjitha mundësitë dhe kapacitetet akademike e praktike për të menaxhuar me kapacitete të vërteta realizimin e programit të doktaraturave, si dhe krijimin e Këshillit të Profesorëve. Për punën shkencore, orientimi më i vendosur i rektoratit është puna me grupe të vogla studiuesish (3-4 vetë) që marrin plane studimi afatgjata në shkencat aplikative, si dhe ato teorike. Grupe të tilla kanë filluar të funksionojnë me shumë dobi si për shembull: Grupi i Algjebrës me dijetarët: Shaska, Piero, Ramosaço. Ky grup në nëntor 2008 mori pjesë në konferencën ndërkombëtare në Poloni dhe në janar 2009 në SHBA. Referimet e tyre u pritën mjaft mirë: Grupi i Fizikës së Aplikuar në fushën e energjive dhe të strukturave me dijetarët Caushi, Liçaj dhe Mandili; Grupi i Gjuhësisë, Grupi i Navales etj. Në qershor 2008 u krijua pranë Universitetit të Vlorës Instituti i Studimeve të Matematikës Kompjuterike. Studimet në këtë fushë rrahin metodat algjebrike e numerike në funksion të matematizimit të inxhinierive me aplikime në Robotikë, Biologjinë Molekulare, Nanoteknologji etj.

Risi përbën fakti se në zgjedhjen e fundit u vendos që Konferenca Ndërkombëtare e Matematikës Kompjuterike për 2010 do të zhvillohet në Universitetin e Vlorës. Kjo do të jetë Konferenca e 16-të e radhës. Këtë vit do të zhvillohet në Quebec të Kanadasë me përfaqësimin dinjitoz dhe të Universitetit të Vlorës. Ky institucion tashmë, me miratim të Agjencisë së Akreditimit të Ciklit të tretë të Studimeve, do të aplikojë dhënien e diplomave për "Doktor" në Matematikë. Elita që do të formohet në këtë universitet tash e mbrapa do të jetë plotësisht e barabartë me elitën që formojnë universitetet evropiane.

Është kënaqësi kur sheh përkrah studentëve, pedagogë të rinj të talentuar, të gatshëm për të dhënë gjithçka dinë si: Ervin Ruci, Eustrat Zhupa, Ermir Xhindi, Dorjan Tozaj, Jonada Zyberaj, Erjona Dervishaliaj etj. Shpresojmë se nuk do të jetë e largët dita, kur studentët e Universitetit të Vlorës do të realizojnë studimet e tyre në Kampusin Universitar, i cili nga ide e profesor Shaskës, do të jetë realiteti më i bukur dhe investimi më i madh për Vlorën…! Dhëntë Zoti!



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›