PS: Shëndetësia, më keq se kurrë
Shqiptarëve u është premtuar reformë, por realiteti është krejt ndryshe. Me këto tone është shprehur nënsekretari për Programin në PS, Ilir Beqja, i cili gjatë një konference për shtyp shprehu shqetësimin lidhur me situatën kaotike në sektorin e shëndetësisë në vend. "Gjatë muajit janar, publiku është njohur me mungesat e urgjencës së kardiologjisë. Pamjet e të sëmurëve të ulur në karrige për të marrë serum apo të shtrirë mbi tavolina për t‘u ekzaminuar u ngjajnë pamjeve që raportohen në kanalet ndërkombëtare për konfliktet e armatosura. Për çfarë reforme në shëndetësi bëhet fjalë kur nuk përballohen dot urgjencat?", tha ai. Beqja vijoi më tej duke kritikuar ashpër politikat qeveritare për këtë fushë të rëndësishme. "Në kulmin e aktivizimit të virozave gripale, autoritetet kujtohen të këshillojnë përdorim të lëngjeve. Kjo në fakt duhet të ishte bërë që në muajin nëntor. Për çfarë reforme në shëndetësi bëhet fjalë, kur nuk funksionon shërbimi parandalues", theksoi Beqja. Duke nënvizuar edhe rritjen mjaft të vogël të buxhetit të shëndetësisë, përfaqësuesi socialist tha se Qendra Spitalore Universitare në vitin 2009 ka një buxhet vetëm 4,5% më të lartë se në vitin 2008. Sipas pohimeve të drejtuesve të QSUT-së, gjysma e ndërhyrjeve të realizuara në këtë qendër në vitin 2008 duhet të ishin bërë në spitalet e qyteteve të tjera".