E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita: KSHC e paaftë të garantojë ligjin

Autori i Lajmit: Suela Topi
Komisioni i Ligjeve ka kritikuar sërish punën e Komisionit të Shërbimit Civil gjatë prezantimit të raportit vjetor të tij. Gjatë diskutimeve të djeshme në Komisionin e Ligjeve është vënë theksi tek paaftësia e KSHC-së për garantimin e ligjit për nëpunësit civil. KSHC ka paraqitur në Komisionin e Ligjeve për herë të dytë raportin e saj vjetor pas problemeve të raportit të parë i cili nuk ishte firmosur nga të gjithë anëtarët. Raporti i dytë është plotësuar dhe me një sërë rekomandimesh ku më i rëndësishëm është problemi i rekrutimit të nëpunësve. Gjatë diskutimeve të djeshme anëtarët e opozitës kanë theksuar mangësitë e raporti. Deputeti Pandeli Majko tha se kemi të bëjmë me një institucion që nuk ka asnjë lloj autoriteti dhe nuk mund të jetë garant i ligjit qoftë nga mënyra si ka funksionuar brenda vetes. Ndërsa Besnik Dervishi theksoi se KSHC ka dështuar në parimet e shërbimit civil siç janë pranimet dhe karriera.
Debati
Problemet e Komisionit të Shërbimit Civil janë theksuar dje dhe nga anëtari i saj Salmir Mani. Gjatë raportimit të Komisionin e Ligjeve ai pohoi se raporti i ri i paraqitur ka ndryshime thelbësore sepse përfshin në të një sërë rekomandimesh dhe konkluzionesh të cilat tregojnë problemet e mëdha të nëpunësve civilë. Mani shtoi se KSHC heziton të thotë realisht shkeljet e ligjit. Sipas tij nga monitorimet janë vënë në dukje shkelje të rënda në rekrutimin e nëpunësve civilë. Këto vërejte janë theksuar dhe nga deputetët e opozitës në komision. Deputeti socialist, Bashkim Fino kritikoi raportin duke pohuar se ai ishte vetëm konstatues dhe nuk analizonte realisht problemet. Fino tha se vërehen shkelje flagrante të ligjit siç është rasti i Ministrisë së Kulturës ku 50 % e punonjësve janë emëruar jo me konkurs të hapur. Ai theksoi më tej se KSHC duhet jo vetëm të bëjë rekomandime por dhe të shohë zbatimin e këtyre rekomandimeve si dhe duhet të saktësohet dhe përgjegjësia e Departamentit të Administratës Publike. Madje ai shtoi se funksionim i KSHC-së duhet parë dhe në kuadër të gjykatës administrative e cila po krijohet rishtaz sepse mund të ketë përplasje. “Nuk jam në gjendje të them sot se do shkrihet KSHC dhe të forcohet gjykata administrative por mund të jap mendimin që mund të ketë më pak punonjës KSHC-je ashtu si mund të jetë gjykata administrative për të zgjidhur problemet që ky komision vuan sepse nuk zbatohen vendimet dhe nuk janë cilësore”, - tha ai. Edhe më të ashpra ishin akuzat e Pandeli Majkos i cili pohoi se KSHC është kthyer një institucion që nuk ka asnjë lloj autoriteti dhe nuk mund të jetë garant i ligjit qoftë nga mënyra si ka funksionuar brenda vetes. “Zotëri ju jeni për të qenë pjesë e zgjidhjes në fakt jeni bërë pjesa më e keqe e problemit të administratës civile. Nëse do të kuptosh se çfarë ndodh në administratë boll tu dëgjosh juve dhe të shohësh si funksiononi ju për të kuptuar se çfarë ndodh me administratën civile në Shqipëri. Ju duhet të ishit avokatë të tyre por nuk jeni avokat të vetes tuaj. Kjo duhet ti bëhet e qartë dhe Parlamentit”, - tha ai. Pas këtyre debate u ra dakord që rezoluta e Komisionit të Ligjeve që do të miratohet mbledhjen e ardhme për tu paraqitur më tej në Kuvend, do të përfshijë vërejtjet e Autoritetit Monitorimit por dhe të deputetëve.

Raporti
Kontratat e punës, të shfuqizohet ligji
Komisioni i Shërbimit Civil rekomandon shfuqizimin e urdhrit të kryeministrit Nr.41, datë 29.01.2004 “Për ndërprerjen e menjëhershme të kontratave të punës në shërbimin civil”. Ashtu siç del nga mbikëqyrjet e bëra, KSHC-ja propozon që urdhri i mësipërm të shfuqizohet, pasi ka lënë shteg për keqinterpretime dhe ka sjellë si pasojë futjen e nëpunësve me kontratë, në kundërshtim me ligjin. Ky urdhër, edhe pse nga përmbajtja ka karakter ndalues, është përjashtimisht lejues, që do të thotë se lejon që në raste të veçanta të lidhen kontrata pune për futjen e nëpunësve në administratën publike. Ky rekomandim është bërë nga KSHC-ja në variantin e ripunuar të raportit vjetor që u diskutua dje në Komisioni e Ligjeve. Në variantin e ripunuar paraqitet situata alarmante në administratën publike, ku për të disatin vit radhazi tërhiqet vëmendja për rekrutimet e jashtëligjshme në administratë. Anëtarët e KSHC-së u apelojnë deputetëve marrjen e menjëhershme të masave për dhënien fund të kësaj situate duke servirur madje dhe propozimet konkrete. KSHC thekson gjithashtu se titullarët e institucioneve të larta shtetërore nuk i përfillin vendimet e këtij institucioni për rikthimin në punë të të shkarkuarve padrejtësisht. Konkretisht vihet në dukje se vazhdon të “mbetet problem zbatimi i vendimeve të KSHC-së nga institucionet dhe për më tepër pasi kanë marrë formë të prerë nga vendimet e gjykatave”. Ky institucion ngre shqetësimin se nuk mund të ndërhyjë për zbatimin e këtyre vendimeve, pasi ligji nuk i jep mjetet për realizimin e këtij detyrimi edhe pse thekson mandej se vendimet e tij janë të detyrueshme për institucionet. Si konkluzion, tërhiqet vëmendja se “zbatimi i vendimeve të KSHC-së duhet të bëhet menjëherë me komunikimin e tij, pasi moszbatimi jo vetëm është shkelje e ligjit, por çdo vonesë është me pasoja financiare dhe sociale, si dhe ngarkon me përgjegjësi penguesit”.
Ky lajm është publikuar: 02/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›