E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekskluzive, Letër-porosia e Loshajt, Holanda: “Nuk japim informacion”. Prokuroria: “Nuk na takon ne”



TIRANË – Pingpong institucional mes Ministrisë së Drejtësisë së Holandës dhe Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë për letër-porosinë e humbur të Avdyl Loshajt. Heshtje nga të dyja institucionet lidhur me detajet e kësaj ngjarjeje.
Ministria e Drejtësisë e Holandës i është përgjigjur dy ditë më parë letrës së dërguar nga gazeta “ALBANIA” për informacione lidhur me humbjen e letër-porosisë së Avdyl Loshajt. Me anë të një e-mail-i, zyra e shtypit e Ministrisë së Drejtësisë së Holandës sqaron se nuk është në politikën e saj të japë informacione lidhur me çështje për të cilat ekziston një vendim gjyqësor. Në fund të letrës bëhet e ditur se për këtë informacion, organi më kompetent për të dhënë një përgjigje është Prokuroria e Përgjithshme shqiptare. Pas kontaktimeve të gazetës “ALBANIA” me organin e akuzës shqiptare, zyrtarisht thuhet se lidhur me këtë çështje, Prokuroria e Përgjithshme nuk ka asnjë të dhënë, pasi nuk ka qenë ajo që ka nisur letër-porosinë dhe për pasojë, nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje.
Përgjigjja nga Holanda
Menjëherë pas bërjes publike të lajmit për humbjen e letër-porosisë me pyetjet e dëshmitarit kryesor të procesit në ngarkim të tre ish-shikasve të akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, gazeta “ALBANIA” i është drejtuar me një kërkesë për informacion të mëtejshëm lidhur mbi këtë ngjarje Ministrisë së Drejtësisë së Holandës.
Në e-mail-in e dërguar nga gazeta kërkohet një informacion më i detajuar lidhur mbi shkaqet e humbjes së kësaj letër-porosie. Por, pala holandeze nuk pranoi të japë detaje lidhur me këtë ngjarje, pasi ajo i quan “çështje që janë për shkak të një vendimi gjyqësor”, duke na adresuar te Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë, si organi më kompetent për të dhënë një përgjigje lidhur me këtë çështje.
Përgjigjja e Prokurorisë
Refuzimi i përgjigjes nga pala holandeze na detyroi që t’i drejtohemi për informacione të mëtejshme Prokurorisë së Përgjithshme shqiptare, pasi dhe nga pala holandeze ky institucion ishte më i përshtatshmi për t’u dhënë përgjigje pyetjeve. Pas bërjes me dijeni të përgjigjes së ardhur nga Ministria e Drejtësisë së Holandës, Prokuroria e Përgjithshme bëri të ditur se nuk ka asnjë informacion për këtë çështje. “Kjo çështje nuk i përket Prokurorisë së Përgjithshme, pasi ajo letër-porosi nuk është nisur nga ana jonë. Ndodh që Prokuroria të nisë letër-porosi drejt shteteve të tjera, por në këtë rast ka qenë Gjykata ajo që e ka nisur”, – bëjnë të ditur burime zyrtare pranë këtij organi. Lidhur me deklaratën e Ministrisë së Holandës se organi më kompetent është Prokuroria e Përgjithshme, ky institucion është shprehur se nuk e di psenë e kësaj deklarate, pasi në asnjë etapë të procesit, Prokuroria nuk ka ndërmjetësuar me palën holandeze për dërgimin e letër-porosive.
Si humbi letër-porosia?
Në seancën e datës 8 mars në procesin në ngarkim të tre të pandehurve Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Ilir Kumbaro, të cilët akuzohen për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hozha, Gjykata e Krimeve të Rënda ka bërë të ditur gjatë asaj seance se nga autoritetet holandeze kanë mbërritur dy letra, që mbajnë datat 3 dhe 17 shkurt. Sipas letrës së parë, që mban datën 3 shkurt 2010, bëhet e ditur se ende nuk ka mbërritur në zyrat e këtij institucioni letër-porosia e nisur 3 muaj më parë. Letra e dytë, që u lexua në seancë, mban datën 17 shkurt. Në të thuhet se letër-porosia ka mbërritur në zyrat e Ministrisë së Drejtësisë dhe është protokolluar e regjistruar në mënyrë zyrtare, më pas është konstatuar zhdukja e saj. Mbërritja e kësaj letër-porosie vërtetohet pas firmës së hedhur nga njëri prej zyrtarëve të këtij institucioni. E ndodhur në këtë situatë, Gjykata e Krimeve të Rënda ka urdhëruar organin e akuzës të rinisë dhe njëherë pyetjet për atë që mendohet se është dëshmitari kryesor i këtij procesi.

Tekstet e e-mail-eve

9 mars 2010 (e-mail-i i nisur nga redaksia e gazetës “ALBANIA”)

SHQIP: “Ditën e djeshme, në Gjykatën e Tiranës është lexuar një letër e ardhur nga Ministria e Drejtësisë së Holandës. Kjo letër përmbante një njoftim, sipas të cilit, letra me pyetjet e nisura prej Ministrisë së Shqiptare për një dëshmitar që jeton në Amsterdam, ka humbur. Emri i dëshmitarit është Avdyl Loshaj dhe, siç Ju e dini, ai është një dëshmitar shumë i rëndësishëm në një proces gjyqësor që po zhvillohet në Shqipëri.
Ju lutemi, ne kërkojmë disa informacione se si kjo letër është zhdukur brenda zyrave të Ministrisë”.

(Origjinali)
“Yesterday at the Tribunal of Tirana is read a letter from the Ministry of Justice of Netherlands. This letter contained a note under which, the questions send for one fitness who lives in Amsterdam from the Ministry of Albania, is lost. The name of the witness is Avdyl Loshaj, and as you know he is a very important witness for the judicial process who is open in Albania. Please, we need some information that how this letter can disappear inside the office of Ministry.”

9 mars 2010 (Përgjigjja e Ministrisë së Drejtësisë së Holandës)

SHQIP: ”Nuk është politika jonë për të komentuar mbi çështjet që janë për shkak të një vendimi gjyqësor. Organizata më e përshtatshme për t'iu përgjigjur pyetjes tuaj është Prokurori Publik në Shqipëri.
Ivo Hommes (përfaqësuesi i Zyrës së Shtypit të Ministrisë së Drejtësisë së Holandës)”

(Origjinali)

”It’s our policy not to comment on matters that are due to a judicial ruling. The most appropriate organisation to answer your question would be the public prosecutor in Albania.
Ivo Hommes”

11 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›