Bode: Rajoni s’duhet të ketë barriera doganore
22/06/2011 Guvernatori Ardian Fullani: Modeli aktual nuk funksionon, duhet të rriten eksportet
Një hapësirë unike ekonomike, pa barriera doganore dhe kuota tregtimi. Kjo do të ishte e ardhmja e vendeve të rajonit, sipas ministrit të Financave Ridvan Bode. Duke folur në seminarin me temë “Sfidat aktuale të ekonomisë dhe bashkëpunimi rajonal në Evropën Juglindore”, ministri Bode theksoi se një nga drejtimet kryesore të qeverisë është financimi i sektorit privat dhe infrastrukturës, çka sipas tij do të krijojë kushtet për të konkurruar në rajon. “Shqipëria dhe rajoni nevojitet të bashkëpunojnë dhe të bashkërendojnë përpjekjet e tyre për të minimizuar ekstremitetet negative të sistemeve tona ekonomike, që vihen re, por e rëndësishme është që motorët e zhvillimit të jenë të orientuar në mënyrë unanime nga i njëjti horizont”,- tha Bode.
Tregu unik
Ministri i Financave, Ridvan Bode, theksoi se vendet e rajonit duhet të heqin dorë nga gara për uljen e taksave dhe të punojnë për të ngritur një treg të përbashkët. “Le të zëvendësojmë garën e uljes jo të argumentuar shpesh të taksave për t’u bërë më tërheqës secili veç e veç për investitorët e huaj, apo për të krijuar avantazhe konkurruese të bizneseve tona me fuqizimin e një tregu më të madh, më racional në shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe kapitaleve ekonomike e njerëzore”, - nënvizoi Bode. Numri 1 i Financave nënvizoi se, koha e para krizës, kur ekonomitë kishin në dispozicion likuiditete të bollshme dhe të lira, ka pak gjasa të kthehet. Vendet e rajonit duhet të përshtaten me kushtet e reja sfiduese, duke krijuar një treg unik, që do të rriste kapacitetet dhe do të mundësonte shfrytëzimin e ekonomive të shkallës, në një mjedis global shumë konkurrues.
Sfidat
Strategjitë afatshkurtra, të cilat vlejnë për të zgjidhur problemet ekonomike nuk mjaftojnë nëse nuk shoqërohen me strategji afatgjata. Kjo ka qenë këshilla e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili kërkoi që qeveria të hartojë politika që ndërthuren me vendet e rajonit. “Konsolidimi i politikës fiskale është i domosdoshëm për të garantuar një rritje pozitive ekonomike, por nuk mjafton për të garantuar ekuilibrat makroekonomikë afatgjatë, të qëndrueshëm”, - tha Fullani. Sipas tij, modeli aktual, i mbështetur te kërkesa e brendshme dhe borxhet e larta, nuk mund të funksionojë në afatin e gjatë. Kriza e fundit globale dëshmoi se modelet ekonomike që bazohen kryesisht tek borxhi dhe kërkesa e brendshme nuk janë të qëndrueshme. Sipas tij, për këtë arsye, vendet e rajonit duhet të fokusohen, në mënyrë të koordinuar në identifikimin e prioriteteve dhe strategjive ekonomike në të ardhmen që garantojnë stabilitet makrofinanciar dhe rritje të qëndrueshme. “E ardhmja e ekonomive tona i përket institucioneve të tregut. Për këtë qëllim, dhe reformat strukturore duhet të synojnë faktorë të tillë si klima e biznesit, konkurrueshmëria e faktorëve të prodhimit, përmirësimi i tregut të punës, zgjerimi dhe thellimi i tregut financiar, si dhe një sërë komponentësh të tjerë që do të siguronin rritje të qëndrueshme dhe punësim”, - tha Fullani. Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar për garantimin e kushteve të stabilitetit për zhvillimin e një aktiviteti ekonomik fitimprurës dhe për të shtyrë bashkëpunimin me bankat e rajonit, si dhe aktorë brenda e jashtë vendit në kuadër të debatit e rekomandimeve konkrete për një model rajonal të rritjes së qëndrueshme ekonomike.