SMS nga lotaria 600 mijë paund, mashtrim
Policia e Shtetit ka nisur hetimet për veprën penale “mashtrime kompjuterike”, lidhur me disa SMS që dy ditët e fundit kanë mbërritur në celularët e disa qytetarëve në Tiranë, duke i njoftuar se kanë fituar 600 mijë paund. Në këtë mënyrë, policia u bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes nga mesazhe të tilla, që iu vijnë nga përdoruesi i identifikuar si “T-Com”, pasi nuk kanë asgjë të vërtetë në përmbajtjen e tyre, por janë mashtrime kompjuterike për t’u vjedhur paratë. Policia e Shtetit ka treguar edhe tekstin e mesazhit, në mënyrë që personat që e marrin të jetë vigjilentë dhe të mos bien pre e mashtrimit. Sipas policisë, teksti i mesazhit është: “Od:mrechlym Your Mobile Number has won 600.000 pounds in the Nokia 2011 Awards. Claimcode : G4SC. To claim your prize send email to nokia_40years@live.com”. Policia e Shtetit, me qëllim parandalimin e këtij mashtrimi, bën publike disa të dhëna mbi mënyrën se si realizohet ky mashtrim. Për të qenë sa më të besueshëm për viktimat e mashtrimit të tyre, ata dërgojnë në adresat e postës elektronike fotografi dhe të dhëna personale të personave të ndryshëm, duke bërë që qytetarët të besojnë se ata janë presidentë të fuqishëm të kompanive të mëdha. Më pas ata i bindin viktimat që të japin një shumë parash në forma dhe mënyra të ndryshme, për të paguar taksa të llojeve të ndryshme, si DHL për dërgesa, shërbime etj.