SPAK në 2024, Dumani: 33 ish-zyrtarë të lartë nën hetim, 10 të dënuar me vendim të formës së prerë

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani ndau sot para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, raportin vjetor të punës së SPAK gjatë vitit 2024.
Dumani u shpreh në nisje të fjalës së tij, se ky raport vjetor është dorëzuar me shkrim brenda afateve ligjore para KLP-së. “KLP është i vetmi institucion që ka reaguar kundër sulmeve ndaj SPAK, ndërsa ky është një raport që na bën optimistë për rezultatet e arritura”, tha Dumani.
Kreu i SPAK u ndal te lufta ndaj korrupsionit, ku theksoi faktin se 33 ish-zyrtarë të lartë janë nën hetim, ndërsa për 10 prej tyre ka pasur vendim të formës së prerë.
“Hetimet kanë provuar se korrupsioni zhvillohet në mënyra të sofistikuara. Kallëzimet e nisura nga qytetarët janë tregues i rritjes së besimit ndaj SPAK. Ndërsa vihet re ulje e numrit të kallëzimeve nga Policia e Shtetit”, tha ai.
“Në lidhje me krimin e organizuar, gjatë 2024 kanë pësuar një trend rritës çështjet e hetuara dhe të përfunduara. 18,8% rritje të procedimeve penale krahasuar me 2023. Një rritje me 35% vërehet edhe me hetimet e përfunduara krahasuar me 2023-shin. Ka një përmirësim të vazhdueshëm në përfundimin e hetimeve”, nënvizoi Dumani.
Kreu i SPAK, theksoi se kjo strukturë ka hetuar një numër të konsiderueshëm zyrtarësh të lartë, ndërsa sipas Dumanit “rritje ka shënuar edhe numri i procedimeve për veprën penale për pastrim parash, rritje me 34%, krahasuar me vitin paraardhës, rritje në masën 34% ndërkohë që krahasuar me 2021 këto procedime janë trefishuar”.
“Gjatë 2024, konstatohen 132 hetime të filluara me kallëzime nga individë dhe institucione. Hetimet e filluara nga kallëzimet e qytetarëve janë dëshmi e rritjes së besimit të publikut tek institucioni i Prokurorisë së Posaçme”, pohoi Dumani.
“Brenda një kohe të shkurtër, SPAK e plotësuar organikën e Prokurorisë së Posaçme me tre prokurorë të rinj duke e çuar numrin aktual në 20 prokurorë. Pavarësisht sfidave me të cilat jemi përballur gjatë vitit 2024 ne nuk e kemi ndaluar punën duke shënuar arritje në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Rezultatet e punës së deritanishme janë fryt i punës sonë në ekip dhe na inkurajojnë për të vijuar me të njëjtën vendosmëri në të ardhmen. Motivi i përditshëm në punën tonë ka qenë edhe besimi i palëkundur i qytetarëve. Siç paraqitet në këtë raport, hetimet e filluara nga kallëzimet e qytetarëve, zënë rreth 37% të totalit krahasuar jo me vitin 2023, numri i procedimeve të nisura nga referimet e ardhura prej tyre është rritur në masën 36%”, tha Dumani.
Kreu i SPAK shtoi gjatë fjalës së tij para KLP-së, se të njëjtin besim kanë treguar edhe partnerët ndërkombëtarë me të cilët janë nënshkruar tri marrëveshje gjatë vitit të kaluar, me Agjencinë kundër krimit të Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës së Veriut, një marrëveshje me Prokurorinë e Përgjithshme të Spanjës dhe një marrëveshje me Prokurorinë Speciale të Malit të Zi.
“Kemi evidentuar kërkesën për ndihmë juridike me një rritje prej 45.8% për ato të ardhura jashtë vendit dhe me 34,7% për ato që janë drejtuar autoriteteve të huaja. Në vitin 2024 janë ndërtuar 10 skuadra të përbashkëta të reja hetimore, me autoritete të huaja të drejtësisë”, pohoi ai.
“Kanë ushtuar detyrën 114 punonjës, nga këta 20 prokurorë, 12 hetues financiar, 80 punonjës administrativ dhe dy punonjës me kontratë të përkohshme. Në total janë 41 ankime të komisionerëve publikë të cilët do të duhet të ndiqen nga drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Nisur nga këto ankime, mbështetur në të dhënat statistikore për numrin e seancave dëgjimore në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, drejtuesi i SPAK duhet të ndjekë deri në 200 seanca gjyqësore në harkun kohor janar 2025-qershor 2026”, tha Dumani.
Kreu i SPAK nënvizoi faktin se vazhdon lufta kundër krimit të organizuar dhe sekuestrimit të pasurive të paligjshme që e kanë burimin nga veprimtaria e këtyre grupeve kriminale.
“Kemi hetuar dy organizata kriminale gjatë vitit 2024. Mbi 10 milionë euro në kripto, ka rritje, me shumë vështirësi është arritur kjo, sepse nuk kishim eksperiencë, bëhet fjalë për paranë digjitale, por u bë në bashkëpunim me partnerët, Belgjikën, Spanjën dhe Francën. Është rritur forca goditëse ndaj organizatave kriminale dhe grupeve kriminale”, cilësoi Dumani.
Kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e vendosi theksin edhe te masat e sigurisë dhe te personat që po hetohen në gjendje të lirë.
“Janë 246 persona, pra mbi 40% pa masë sigurimi, ky numër është i lartë. Vetëm në rastet që përbëjnë rrezikshmëri të lartë dhe mund të dëmtojnë hetimin, në rastet e veprave penale për krimin e organizuar”, tha ai, ndërsa kërkoi që të rritet kufiri i shumës 500 euro për veprën penale të korrupsionit.
“Numri i atyre me masë në burg për korrupsion apo pabarazi në tendera është i ulët. 31 persona me masën arrest me burg për korrupsion. Të rritet masa prej 50 mijë lekësh (500 euro) për veprën penale të korrupsionit”, pohoi Dumani.
Dumani u ndal edhe te shqyrtimi i kërkesës së prokurorëve para gjyqtarit të seancës dhe zvarritja e këtij procesi që mund të vendos në rrezik edhe afatet e paraburgimit.
“Shtyrja e seancave paraprake jo për faj të prokurorit. Një shqetësim që dua ta ngre, por që nuk është pjesë e raportit, shqyrtimi paraprak në gjyqin e seancës paraprake. Shqyrtimi i kërkesës së prokurorëve para gjyqtarit të seancës paraprake, merr shumë kohë. Kodi i Procedurës Penale parashikon që gjyqtari paraprak, brenda aftit 1-mujor duhet të konkludojë me një vendimmarrje, ama praktika na tregon që zgjasin 6 muaj, 4 muaj, 9 muaj. Po flas gjykim para gjyqtarit paraprak, që sipas parashikimeve ligjore duhet të përfundonte brenda 1 muaji. Kjo zgjatje e shqyrtimit të kërkesës së prokurorit sjell edhe problematika sa i takon afateve të paraburgimit, duke vënë në rrezik përfundimin e afateve të paraburgimit”, tha Dumani.
/a.f/r.e/