E Shtunë, 31 Tetor 2026

MARREDHENIET NDERFETARE NE SHQIPERI

Zhvillimet në rrafshin ndërkombëtar në vitet e fundit po tregojnë se konfliktet fetare, që shpeshherë në thelb kanë prapavijë të pastër politike, janë shndërruar në kërcënime serioze jo vetëm për sigurinë e vendeve, rajoneve të veçanta, por edhe për sigurinë globale. Bota sot po shkatërrohet nga konfliktet midis kulturave, që nuk kanë të sosur. Këto konflikte vijnë si antirryma në zhvillimet globale, pasi në vend që të synojnë bashkimin midis njerëzve, synojnë ndarje mes tyre, duke ngritur lart vlera lokale të kulturave të tyre dhe lënë mënjanë vlerat universale.

Fetë, drejtpërdrejt dhe tërthorazi, kanë ushtruar gjithnjë ndikim të rëndësishëm në ecurinë e zhvillimeve historike, shoqërore, ekonomike, politike e kulturore. Feja ka luajtur një rol të dorës së parë edhe në mbijetesën e kombit shqiptar, në po atë shkallë si edhe për disa popuj të tjerë të lashtë si armenët e hebrejtë.

Shqiptarët janë një popull ku bashkëjetojnë të dyja fetë më të mëdha: Krishterimi dhe Islami. Konflikti më i madh ndërfetar dhe ndërkulturor është ai midis Lindjes dhe Perëndimit. Ky ndoshta është një ndër konfliktet më të mëdha në botë për nga përmasat e tij. Por një shembull i mirë për t‘u ndjekur në këtë rast është Shqipëria. Shqiptarët, gjatë historisë së tyre, kanë kaluar në shumë luftëra e kalvare, por në asnjë rast nuk kanë pasur konflikte të brendshme ndërfetare. Dhe kjo për disa arsye:

-Shqipëria, e ndodhur në një rrugë lidhëse midis Perëndimit dhe Lindjes, për shkak të pozicionit të saj gjeopolitik, ka marrë nga të dyja kulturat sasi të konsiderueshme vlerash, e pavarësisht se në vendin tonë bashkëjetojnë komunitete të ndryshme fetare (që mund të ishin edhe faktori kryesor i këtij konflikti), mes nesh nuk ka asnjë lloj keqkuptimi, që të çojë në grindje sado të vogël;

-Fetë kërkojnë prej çdo individi, në radhë të parë përsosmëri morale, nderimin e prindërve, dashuri për të afërmin, respekt, mëshirë, dhembshuri, zemërgjerësi, e si të tilla janë të barasvlershme, prandaj kurrsesi nuk mund të jenë pengesë për bashkimin kombëtar. Tipari themelor i besimeve kryesore fetare në Shqipëri ka qenë toleranca, mirëkuptimi apo bashkëjetesa paqësore, si midis feve, ashtu edhe midis sekteve të tyre. Këto e kanë burimin te ndjenja demokratike e shqiptarëve, të cilët në mënyrë të vetëdijshme ose intuitive gjithmonë kanë ditur të bëjnë dallimin se i përkasin një kombi, kanë lidhje gjaku e farefisnie, kanë gjuhë, zakone e tradita të përbashkëta dhe besimin fetar e kanë konsideruar si një të drejtë që i përket gjithsecilit ta zgjedhë sipas dëshirës së tij. Kësisoj, toleranca fetare u bë pjesë e pandarë e botëkuptimit shqiptar, duke fituar vlerat e normave morale qytetare, qyshkur duket në histori shteti i Arbrit, ashtu edhe më vonë kur u hodhën themelet ideore të shtetit modern shqiptar nga rilindësit tanë;

-Toleranca tek shqiptarët nuk është vetëm fetare, por edhe gjuhësore, e në shumë raste edhe etnike. Në vitet e Luftës së Parë Botërore në Shqipëri kishte ushtri të huaja të pafundme, gati sa në të gjithë Ballkanin: austriake, franceze, italiane, greke, serbe, malazeze, bullgare, turke. Kur lufta mori fund dhe këto ushtri nuk kishin as ushqim për të ngrënë, as ilaçe për të shëruar plagët, as mjete për t‘u kthyer në Atdheun e vet, populli shqiptar i mbajti nëpër familje, megjithëse e dinte mirë se shumica e tyre kishin bërë krime dhe mizori mbi vetë shqiptarët;

-Bashkëjetesa e këtyre besimeve fetare është një prirje e pazakontë në një rajon, ku shpesh feja është lidhur me nacionalizmin dhe keqpërdorimin e besimit e ku janë shkaktuar luftëra vëllavrasëse. Sot, ne jemi vendi i vetëm në Europë e më gjerë, që në pjesën më të madhe të kufirit të jashtëm kufizohemi me popullsi shqiptare. Praninë dhe fatin tonë e përdorëm për të krijuar një bashkëjetesë të admirueshme midis etnive, popujve e feve; rastet e Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, janë shembuj të gjallë të kësaj politike;

-Pluralizmi paqësor fetar ka shërbyer si element bashkues midis njerëzve, familjeve e grupeve të ndryshme në shoqëri. Komunitetet fetare mbeten besnike e frymëzimeve të tyre fillestare të së mirës dhe paqes, si dhe me përkushtim të madh luajnë rol aktiv në kapërcimin e problemeve sociale, rritjen e edukimit të të rinjve, forcimit të rolit të familjes, kulturës dhe identitetit kombëtar europian. Me kontributin e tyre të veçantë, Shqipëria përfaqëson edhe një nga rastet e rralla të një vendi me besime të ndryshme fetare, ku të gjithë faktorët politikë e shoqërorë, përfshirë edhe komunitetet fetare, janë përkrahës të fuqishëm të integrimit të vendit në Bashkimin Europian dhe NATO;

-Në të njëjtën kohë shqiptarët përpiqen ta shndërrojmë kulturën e dialogut midis besimeve dhe komuniteteve të ndryshme fetare, në urë bashkimi e komunikimi, shkëmbimi dhe lidhje më të fortë midis njerëzve e vendeve;

-Në kontrast me këtë përvojë pozitive, konfliktet me bazë fetare ose me ndërthurje të elementeve fetare, të cilat duhet thënë se gjenden edhe në vende me demokraci të zhvilluar, kanë dominuar zhvillimet politike të dekadës së fundit në rajonin tonë. Disa vjet më parë, në Bosnjën fqinje u shënua një nga rastet më të rënda të konflikteve etnike në historinë e Europës. Para viteve ‘90, komunitetet fetare në Bosnjë e Hercegovinë jetonin në paqe dhe mirëkuptim me njëra-tjetrën. Gjatë procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, të njëjtat besime e komunitete e panë veten në pozitat ekstreme të kundërshtarit me armë. Shoqëria u nda në linja fetare edhe për nga prejardhja etnike midis myslimanëve boshnjakë, ortodoksëve serbë dhe katolikëve kroatë. Bilanci i jashtëzakonshëm i pasojave njerëzore, morale e materiale tashmë njihet botërisht. Në këtë mënyrë, përdorimi i fesë dhe përkatësisë fetare për interesa politike dhe arroganca etnike solli shpërbërjen tragjike të modelit boshnjak, ku më parë nuk kishte munguar toleranca fetare;

-Një arsye tjetër është se në Shqipëri nuk është traditë të bëhet regjistrim zyrtar mbi baza fetare, siç mund të ndodhë në disa vende të tjera. Përkatësia fetare nuk bën pjesë në gjeneralitetet e regjistrimit të popullsisë.

***

Por çfarë është në të vërtetë toleranca fetare? Toleranca fetare nënkupton mënjanimin e shtypjes dhe diskriminimit ndaj personave, besimi fetar i të cilëve është i ndryshëm nga i yni; do të thotë të respektosh të drejtën e të tjerëve për të pasur një besim fetar ndryshe. Për herë të parë, në vitin 1923, shtetarët shqiptarë hartuan ligjin "Përmbi Komunitetet Fetare", ku u përcaktuan raportet e shtetit me fenë, sipas modelit perëndimor.

Sanksionimi i parimeve të tilla, si laiciteti i shtetit, liria e besimit fetar dhe e ndërrimit të tij, trajtimi i barabartë i besimeve fetare, do të ndikonte pozitivisht në konsolidimin e tolerancës fetare të popullit tonë e në sigurinë e vetë shtetit shqiptar.

Që në atë kohë, patriotët shqiptarë janë përpjekur të përhapin frymën që besimet fetare, pavarësisht nga pesha në numër, duhet të trajtohen, përfaqësohen e ndihen të barabartë. Kjo ka qenë shtylla e dialogut ndërfetar dhe tolerancës fetare në vendin tonë. Shqiptarët janë dalluar në shekuj për një tolerancë unike ndërfetare, gjë e cila ka lidhje edhe me vetë historinë e pranisë dhe bashkëjetesës së besimeve të ndryshme fetare, në trojet e populluara nga shqiptarët, si pasojë e ndarjes së krishterimit administrativisht në dy pjesë; në ritualin roman (perëndimor) dhe atë bizantin (lindor) me anë të "vijës së Teodosit", që kalon mes lumenjve Shkumbin dhe Mat të Shqipërisë, ashtu edhe si pasojë e përqafimit të islamit, kryesisht për t‘i rezistuar asimilimit sllave dhe grekë në fund të shekullit XVIII dhe XIX.

Shqipëria, sikurse dihet, është vend multifetar për shkak të ekzistencës së tre komuniteteve kryesore, që përmbledhin besimtarë të moshave dhe krahinave të ndryshme, por edhe për faktin se ekzistojnë variante besimi, që kanë hyrë rishtazi te ne dhe kanë, edhe ato, disa komunitete numerikisht të vogla besimtarësh, por megjithatë të pranishme.

Në kushtet e shoqërive demokratike, sikurse aspiron të bëhet edhe shoqëria shqiptare, nuk duhet harruar se lidhur me dialogun ndërfetar, ka lindur një avantazh i madh, por edhe një vështirësi e madhe. Avantazhi i madh ka të bëjë pikërisht me faktin, se të gjitha komunitetet dhe individët kanë tanimë mundësinë e madhe, për të shprehur lirisht dhe pa asnjë kufizim idetë e tyre, bindjet e tyre fetare, kulturat e tyre specifike.

Por, nga ana tjetër, lind rreziku i krijimit të ndarjeve të mëdha socio-kulturore dhe komunitariste brenda të njëjtës shoqëri, lind rreziku i krijimit të moskuptimeve, të keqkuptimeve midis shtetasve të të njëjtit komb, midis fqinjëve dhe përse jo, edhe brenda familjeve kulturalisht mikse.

Shoqëritë multifetare sikurse është edhe jona, kanë brenda edhe bukurinë mahnitëse të një larmie kulturash, besimesh, ritesh, që vijnë nga thellësitë e historisë, por përmbajnë edhe rrezikun e përçarjeve apo ndarjeve komunitariste, që mund të marrin forma dhe shkallë të ndryshme mprehtësie. Në Shqipëri mund të gjesh shpesh dy fe (krishterim e myslimanizëm) në një familje ose në një fis (Lurë, veri), ose dy fe në të njëjtin njeri, i cili mban dy emra, si i krishterë e si mysliman dhe bën ritet e festat fetare të të dyja besimeve. Festat fetare në Shqipëri, qofshin ato të bashkësisë së krishterë, apo qofshin ato të bashkësisë myslimane, ruajnë gjurmë të periudhës politeiste mitologjike. Shqiptarët kanë kultin e natyrës, festojnë ditën e malit apo të bjeshkës, kanë kult për zjarrin, për gurin, për ujin dhe bukën, për udhën dhe mysafirin, për tokën dhe qiellin.

Toleranca fetare te shqiptarët nuk është një cilësi e zhvilluar në kohërat moderne dhe as e formuar me arsim dhe shkollë. Ajo është një traditë që vjen nga thellësia e shekujve. Në rastin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, problemet fetare dhe etnike kanë qenë historikisht pothuajse të papërfillshme. E para, ka qenë gjithmonë përkatësia kombëtare e shqiptarëve, gjithçka tjetër ka ardhur pas saj. Edhe vetë shteti shqiptar është ndërtuar në dy themele bazë: në mbizotërimin e ndjenjës kombëtare mbi ndërgjegjen fetare dhe bashkëjetesën e mrekullueshme të shqiptarëve të feve të ndryshme. Nëse cenohet mirëkuptimi fetar në Shqipëri, atëherë mund të ekzistojë rreziku që të rrënohet njëri nga themelet e shtetit të shqiptarëve, duke krijuar kushtet për ta mbajtur në gjendje jo të qëndrueshme, gjë e cila do të ndikojë për të ndalur zhvillimin ekonomik dhe social.

Dallimet fetare te shqiptarët nuk "funksionojnë" si burim konfliktesh. Përkundrazi, dallimet fetare ndikojnë që shqiptarët të jenë më të matur në marrëdhëniet me njëri-tjetrin, të jenë më të prirur të harmonizojnë interesat ndërmjet tyre.

Nga shumë studiues të ndryshëm është pranuar se ndjenja e kombësisë te shqiptarët nuk është ngatërruar me çështjet fetare. Në identitetin e shqiptarëve ndjenja kombëtare qëndron mbi dallimin fetar. Njeriu shqiptar është së pari pjesëtar i një bashkësie etnike dhe pastaj i një bashkësie fetare. Dhe në fakt, një vlerë e rëndësishme me të cilën Shqipëria sot krenohet, është pikërisht bashkëjetesa mes komuniteteve të ndryshme fetare. Janë të shumtë ata që e konsiderojnë këtë si një pasuri, pasi mund të jetë një rast unik, që në të gjithë historinë e vendit, nuk janë shënuar asnjëherë përplasje fetare.

Nga ana tjetër, shembujt e kohëve të fundit në botë, por edhe në rajonin e Ballkanit kanë dëshmuar se ekuilibrat fetarë janë shumë të brishtë dhe shpeshherë manipulimet me to kanë sjellë pasoja të rënda. Në Shqipëri ekziston një pluralizëm fetar, i cili ka treguar se i mbart dozat e duhura të tolerancës së ndërsjellë, ashtu siç ekziston i konturuar mirë sfondi i një harmonie ndërfetare, e cila pjesërisht trashëgohet nga e kaluara dhe pjesërisht vazhdon të mbrohet në sajë të punës së lavdërueshme të organizatave fetare, për të ruajtur dhe zhvilluar vlerat e saj gati unike.

Qenia në themel të identitetit kombëtar të shqiptarëve jo i fesë, por i gjuhës, traditës e kulturës; prezenca e një feje islame, përgjithësisht popullore dhe e zbutur nga bektashizmi; ftohja e detyruar e brezit të ri të shqiptarëve ndaj fesë gjatë regjimit komunist; moskthimi i konflikteve ekonomike e shoqërore në konflikte fetare, si dhe tradita e forcave politike, të cilat historikisht nuk kanë synuar që të krijojnë një elektorat mbi baza fetare, janë disa nga faktorët që i kanë ruajtur besimet fetare nga fanatizmi, ekstremizmi apo fondamentalizmi fetar dhe që kanë skalitur tolerancën fetare të shqiptarëve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›