E Shtunë, 31 Tetor 2026

SUEDIA, SA SHUME "TELASHE" ME BALLKANIN

Të gjitha vendet e Ballkanit, të përfshira në mosmarrëveshje të ndërsjella, duhet t‘i zgjidhin vetë ato, sepse Suedia nuk mund ta bëjë këtë në vend të tyre. Kështu tha ditët e fundit, Karl Bildt, ministër i Punëve të Jashtme të Suedisë, vendi që do të marrë së shpejti, sipas radhës, Presidencën e Bashkimit Europian (BE). Gazeta e njohur britanike "Financial Times", në një analizë, ku trajton problemet që kanë vendet ballkanike në marrëdhëniet mes tyre dhe sa i pengojnë ato (mosmarrëveshjet) në rrugën e tyre për në BE, thekson se Suedia është "mbështetëse tradicionale" e zgjerimit të mëtejshëm të BE-së dhe e pranimit të anëtarëve të rinj në të. Megjithatë, diplomacia suedeze paralajmëron se, gjatë gjashtë muajve të Presidencës së saj, ajo jo vetëm që nuk do të mundet, por as do të përpiqet të zgjidhë "mosmarrëveshjet politike e territoriale të ndryshme" që kanë mes tyre vendet në rajonin ballkanik.

Korrespondenti i "Financial Times" në Bruksel, Toni Barber, shkruan: Suedia nuk ka shumë shpresa se, gjatë Presidencës së saj 6-mujore në krye të Bashkimit Europian, do të arrihet në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike dhe territoriale të ndryshme në Ballkan që po minojnë aspiratat e shteteve të këtij rajoni për t‘u anëtarësuar në BE. "Ka një seri bllokimesh që janë të dëmshme për stabilitetin, për të cilin ne kemi nevojë në rajon", vë në dukje Karl Bildt, ministri i Jashtëm i Suedisë, duke vlerësuar sfidat, përballë të cilave do të ndodhet Suedia kur ajo të marrë, sipas radhës, Presidencën 6-mujore të BE-së, më 1 korrik 2009.

Grupimi prej 27 vendesh ka tre kandidatë zyrtarë për anëtarësim - Kroacinë, Maqedoninë dhe Turqinë, por vlerësimi i përgjithshëm është se në përpjekjet e këtyre vendeve në rrugën drejt BE-së, me të vërtetë, nuk ka pasur progres nën Presidencën, në largim e sipër, të Çekisë në krye të BE-së.

Sllovenia mban të bllokuara bisedimet e anëtarësimit të Kroacisë që nga dhjetori i vitit të kaluar, për shkak të një mosmarrëveshjeje për kufirin detar mes këtyre dy vendeve, ndërkohë që edhe përpjekjet e ndërmjetësimit të Komisionit Europian dështuan javën e kaluar.

Maqedonia, nga ana e saj, as që i ka filluar ende bisedimet zyrtare të anëtarësimit, në shkallë të konsiderueshme, për shkak të kundërshtimit nga Greqia që kjo ish-Republikë Jugosllave ta quajë veten "Maqedonia". Ky emër është identik me atë të një rajoni ngjitur me të (Maqedoninë) në pjesën veriore të Greqisë dhe konsiderohet në Athinë si një pretendim i maskuar ndaj territorit dhe trashëgimisë kulturore të Greqisë.

Serbia synon që asaj t‘i jepet statusi i vendit-kandidat zyrtar për anëtarësim në BE, por Holanda ka dalë pengesë për ambiciet e saj. Holanda ngul këmbë se Beogradi duhet fillimisht të kapë dhe ta dorëzojë Ratko Mlladiçin, gjeneral serbo-boshnjak në arrati, kriminel lufte, në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në Hagë.

Suedia tradicionalisht është një mbështetëse entuziaste e zgjerimit të BE-së, por z. Bildt është i mendimit se u takon, kryesisht vendeve në fjalë dhe jo vendit që mban Presidencën e BE-së, të heqin barrierat që pengojnë progresin e tyre në rrugën drejt BE-së.

"Përgjegjësia për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të ndërsjella bie, në radhë të parë, mbi vendet e përfshira në këto mosmarrëveshje. Ju nuk mund të prisni që bota të zgjidhë problemet tuaja dypalëshe", tha ditët e fundit z.Bildt para gazetarëve, duke theksuar se "ne nuk mundemi dhe as nuk synojmë që t‘i imponojmë dikujt zgjidhjet".

Duke iu referuar përpjekjes së dështuar të ndërmjetësimit të BE-së në bisedimet mes Sllovenisë dhe Kroacisë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për kufirin detar mes këtyre dy vendeve, z. Bildt tha se "tani ka ardhur koha për një periudhë reflektimi në të dy vendet". Diplomatë të ndryshëm në BE konsiderojnë se vonesa në këto bisedime, në rast se gjërat nuk ndryshojnë shpejt, është pothuajse e sigurt, se do të ndikojë te shpresat e Kroacisë për përfundimin e bisedimeve të saj të anëtarësimit më 31 dhjetor.

Z. Bildt tha se një zgjidhje eventuale e mosmarrëveshjes së Maqedonisë me Greqinë, "duket qartë se do të kërkojë një sens kompromisi nga të dyja palët". Greqia e ka përmendur tashmë mosmarrëveshjen për emrin e Maqedonisë si një nga arsyet e bllokimit nga ana e saj të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.

Veç mosmarrëveshjeve politike dhe territoriale që kanë mes tyre vendet e Ballkanit, disa vende-anëtare të BE-së, përfshi Francën dhe Gjermaninë, nuk janë të prirura që të ecet përpara në rrugën e zgjerimit të BE-së, në një kohë kur njerëzit në vendet e tyre ndodhen përballë pasojave negative të rënies së madhe ekonomike dhe rritjes së papunësisë. Sidoqoftë, z.Bildt, vuri në dukje se mund të ecët përpara sa i përket programit të liberalizimit të vizave për vende të tilla si Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, pavarësisht sesa do t‘i kushtojë kjo përpjekje BE-së.

Shefi i diplomacisë suedeze gjithashtu theksoi se ai shpresonte se BE-ja, gjatë Presidencës së Suedisë, do të nënshkruajë një marrëveshje të tregtisë së lirë me Ukrainën, të cilën BE-ja aktualisht nuk e ka në konsideratë për anëtarësim. "Ky është një objektiv ambicioz", tha ai.

Përgatiti: M.Sinemati

Fushëbeteja kundër terrorizmit

Asif Ali Zardari

President i Pakistanit

Pas shpartallimit të Vietnamit, SHBA-ja mundi të paketohej e të ikte me pasoja minimale për interesat e saj të vërteta kombëtare; njëlloj me britanikët në subkontinent dhe për francezët në Algjeri. Por Perëndimi, dhe në fakt e tërë bota e civilizuar, nuk e ka këtë luks në Afganistan dhe Pakistan. Nëse talebanëve dhe Al-Kaedës u lejohet të triumfojnë në rajonin tonë, aleanca e tyre destabilizuese do të përhapet përgjatë të gjithë kontinenteve. Në Pakistan sot, demokracia duhet të ketë sukses. Forcat e ekstremizmit duhet të zhduken. Dështimi nuk është opsion; jo për neve, e as për botën. Si mund të sigurohemi që forcat e lirisë i mundin forcat e fanatizmit?

Problemet që e kanë nxitur ekstremizmin janë shumëfytyrëshe dhe zgjidhjet njëlloj multidimensionale. Ne kemi nevojë për strategji afatshkurtra dhe afatgjata, dhe duhet të kuptojmë që për të eliminuar me të vërtetë të ligën e terrorizmit, duhet të kemi sukses jo vetëm ushtarakisht, por edhe politikisht, nga ana ekonomike dhe nga ana sociale. Perëndimi, e posaçërisht SHBA-ja, kanë qenë tejet të gatshme të vallëzojnë me diktatorë në kërkim të caqeve afatshkurtra. Përsëritja e mërzitshme e këtyre politikave dhe pasojat e tyre e çrregullojnë tokën, nga regjimi Marcosit në Filipine, te Shahu në Iran, te Mohammad Zia ul-Haq dhe Pervez Musharafi në Pakistan.

Pa dallim, secili rast ka vërtetuar se strategjitë miope, të cilat e sakrifikojnë principin, çojnë te pasoja të paparashikuara afatgjata. Më lejoni të përqendrohem në Pakistan. Perëndimi qëndroi anash gjersa një qeveri e zgjedhur demokratisht u përmbys nga një diktaturë ushtarake në fund të viteve të ‘70. Për shkak të pushtimit sovjetik të Afganistanit, Perëndimi e përdori kombin tim si një instrument të topitur të Luftës së Ftohtë. E fuqizoi një diktaturë të gjeneral Zia-s, e cila e brutalizoi popullin e tij, i asgjësoi partitë politike, e vrau Kryeministrin, i cili e kishte themeluar partinë më të madhe politike në Pakistan dhe e shkatërroi shtypin dhe shoqërinë civile. Dhe, në momentin që u mposhtën sovjetikët, amerikanët e morën autobusin e ardhshëm e ikën nga qyteti, duke e lënë prapa një vakum politik, i cili përfundimisht çoi te talebanizimi dhe radikalizmi i Afganistanit, te lindja e Al-Kaedës dhe te kryengritja e tashme xhihadiste në Pakistan. Mafia e heroinës, e cila lindi si pasojë e përpjekjeve që të shkatërrohet Bashkimi Sovjetik, tani merr 5 miliardë dollarë në vit, dyfishi i buxhetit të ushtrisë dhe policisë sonë.

Ky është çmimi të cilin Pakistani ende vazhdon ta paguajë. Vallëzimi me diktatorë kurrë nuk paguhet. Thënë sinqerisht, demokracia më e keqe është më mirë se cilado diktaturë. Diktatura çon te frustrimi, ekstremizmi dhe terrorizmi. Por e kaluara është e kaluar, dhe ne nuk mund ta zhbëjmë. Por sidoqoftë ne mund t‘i adresojmë pasojat e gabimeve të së kaluarës dhe të sigurohemi që këto të mos përsëriten. Caku i menjëhershëm për botën e civilizuar është të tubohet në përkrahje të demokracisë së Pakistanit dhe luftës së popullit pakistanez kundër ekstremizmit. Në betejën kundër terrorizmit ndërkombëtar, ne gjendemi nëpër hendeqe për veten, por gjithashtu edhe për botën. Ne kemi humbur më shumë ushtarë, 1,200, duke i luftuar talebanët në Pakistan sesa që kanë humbur të gjitha shtetet e NATO-s së bashku, duke i luftuar talebanët në Afganistan. Me mijëra civilë kanë vdekur, viktima të sulmeve si bombardimi i fundit i hotelit "Pearl Continental" në Peshawar. Dhe në një nivel shumë personal, unë kam humbur gruan time, Benazir Bhutton, nëna e fëmijëve të mi dhe udhëheqësja më e madhe e Pakistanit.

Ajo e paralajmëroi botën, në fjalimet dhe shkrimet e saj, në librin e saj të fundit dhe në fjalët e saj të fundit, që fanatizmi është kërcënim për të gjithë popujt; që diktatura ka çuar deri te përhapja e kësaj në Pakistan; që kombi im duhej të zgjohej dhe që bota duhet të hapë sytë. Ajo e pagoi me jetë parashikimin e saj dhe trimërinë e saj, dhe unë duhet t‘u përgjigjem gjeneratave të ardhshme dhe vetë fëmijëve të mi se ajo nuk ka vdekur për asgjë. Ne kemi nevojë për ndihmë të menjëhershme. Administrata e Obamës e di që vetëm një Pakistan i fortë ekonomikisht mund ta përmbajë të ligën e terrorizmit. SHBA-ja i ka zotuar 1.5 miliard[ dollarë në vit për pesë vite për të ndihmuar në stabilizimin e ekonomisë sonë, dhe Shtëpia e Përfaqësuesve, si dhe Komiteti i Senatit për Marrëdhënie të Jashtme kanë vepruar vendosmërisht për të riorientuar marrëdhënien Pakistan-Afganistan drejt jo vetëm një aleance ushtarake, por edhe një partneriteti të qëndrueshëm ekonomik. Tani pjesa tjetër e botës duhet ta bëjë hapin dhe t‘u bashkohet përpjekjeve të SHBA-së.

Pakistani ka nevojë për një paketë të fuqishme të ndihmave në mënyrë që ne të punojmë për popullin dhe të mposhtim militantët. Dhe pjesa tjetër e botës sërish duhet të përcjellë udhëheqjen amerikane kur është në fjalë ndihmesa për t‘u përballur me miliona njerëz të zhvendosur, të cilët janë viktimat e fundit të terrorizmit në shtetin tonë. Por ndihmat nuk mjaftojnë. Në afat të gjatë, Pakistani ka nevojë që tregu të na lejojë të bëhemi të pavarur. Vetëm një Pakistan i fuqishëm ekonomikisht do të jetë në gjendje të përmbajë fanatikët dhe t‘u demonstrojë 1.5 miliardë myslimanëve në tërë botën se demokracia dhe zhvillimi ekonomik shkojnë dorë për dore. Duhet cekur se SHBA-ja po shkon përpara me zonat e mundësive rajonale në Afganistan, si dhe me rajonet fisnore të administruara federalisht në Pakistan, gjë e cila do t‘i heqë barrierat e tregtisë dhe do të japë stimule ekonomike për të ndërtuar fabrika, për të nisur industri, për të punësuar njerëz dhe për t‘i dhënë shpresë popullit.

Ky koncept i zonës së mundësive duhet të jetë një model edhe për Europën gjithashtu. Europa duhet të kuptojë se është në vetë interesin e saj, ashtu si ka kuptuar SHBA-ja, që të bëjë çka do që është e mundur për të rritur ekonominë e Pakistanit dhe për të dhënë stimule për eksportet pakistaneze në këtë kontinent. Gruaja ime udhëtoi nëpër botë duke e predikuar demokracinë. Dyert e shumë qeverive perëndimore kanë qenë të mbyllura për të, por ajo nuk ngurroi. Ajo ishte e papërkulur në pasionin e saj për demokraci dhe e patundur në optimizmin e suksesit përfundimtar të demokracisë. Ajo pati thënë, dihet mirë, se "e vërteta, drejtësia dhe forcat e historisë janë në anën tonë". Sot, ne do të shohim nëse Amerika dhe Europa janë në anën tonë gjithashtu.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›