NATO: Do t‘i përgjigjemi me vendosmëri dhunës
Pas zhvillimeve të djeshme në pjesën veriore të Mitrovicës, nuk kanë vonuar të mbërrijnë edhe reagimet. Duke folur në Bruksel, zëdhënësi i NATO-s, Xhejms Apaturai, tha se trupat do të përgjigjeshin me vendosmëri, në mënyrë që të garantohej një ambient i sigurt dhe i paqtë në Kosovë. "Protestuesit kanë përdorur bomba molotov, granata, si edhe armë zjarri automatike, duke shkelur rëndë ligjin", shtoi ai. Ndërkohë, një zëdhënës i Kombeve të Bashkuara ka thënë se trupat e KFOR-it kanë në kontroll situatën pas tërheqjes së policisë, ndërsa raportet e para të pasdites, bënin të ditur se situata po qetësohej. Ndërkohë, Presidenti Serb, Boris Tadiç dhe Komisioni Evropian, kanë apeluar për vetëpërmbajtje. Gjithsesi, mësohet se Tadiç ka akuzuar forcat ndërkombëtare në Kosovë për përdorim të tepruar dhune dhe ka paralajmëruar për një "përshkallëzim të zemërimit në tërë territorin". Ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç, që më herët kishte replikuar me Kombet e Bashkuara në Kosovë në lidhje me okupimin e Gjykatës në Mitrovicën e Veriut, ka kritikuar reagimin e forcave të sigurisë, duke thënë se ato kishin provokuar serbët. Komisioni Evropian, gjithsesi, u ka dhënë mbështetje paqeruajtësve. "Komisioni dëshiron të shprehë mbështetjen e plotë për Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, si edhe për trupat e KFOR-it, që ruajnë rendin atje", tha një zëdhënës i komisionit. "Dhuna është e papranueshme. Të gjitha palët duhet të punojnë së bashku për të ndërtuar një Kosovë shumetnike, të bazuar mbi sundimin e ligjit dhe në respektim të plotë të demokracisë". "Ne jemi shumë të shqetësuar për situatën e tensionuar në Veri të Mitrovicës. Ne shprehim keqardhje për sulmet kundër Policisë së Kombeve të Bashkuara dhe personelit të KFOR-it. Ne bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje", tha zëdhënësi i KE-së.