E Diel, 1 Nëntor 2026

"Përgëzimet për punë mediokre, janë pa sens"

Më duket i mefshtë dhe kontrapedal çdo reagim në mbrojtje të qeverisë ndaj kritikës qytetare, për vetë faktin që qeveria nuk ka nevojë të mbrohet nga qytetarët pasi i zotëron vetë të gjitha veglat e informimit publik. Në rastin e qeverisë shqiptare kjo shkon edhe më thellë, sepse dihet që qeveria ka jo një por disa kanale televizivë, dhe gazeta "të vetat" ku luhen lojëra propagandistike dhe PR në nuanca të ndryshme. Andaj nëse ka një qëndrim të vazhdueshëm kritik ndaj qeverisë, kjo është mëse e drejtë, për më shumë se një arsye. Sepse është Detyrë Qytetare të jesh kritik ndaj Qeverisë. Gjithmonë, ndaj çdo qeverie dhe në çdo kohë. Dhe sidomos ndaj një qeverie që drejtohet nga Sali Berisha, e nuk ka nevoje të përmendim pse duhet me qenë veçanërisht skeptik ndaj këtij të fundit.
Nëse ka Qeveri që ia bën qejfin vetes, kjo është ajo. Z.Berisha është kaq dogmatik. Vërtet, tani jemi në gjendje ta dallojmë në kohë reale, dhe të qeshim me të. Megjithatë, në të njëjtën kohë, Kryeministri qesh me ne, kështu që dalim barabar. Ai duket se është tepër krenar dhe i kënaqur me punën e kabinetit të tij. Dek la-la ratat e fundit për "vitin më të mirë ekonomik të të gjitha kohërave" nuk kanë se si interpretohen ndryshe. Mirëqenie gjithandej! Me shifra të nxjerra nga çdo lloj konteksti, qeveria fyen pa pikë turpi inteligjencën e shtetasve të saj, sovranit që fle në bodrum. Se ja, do gënjejë deri diku diasporën - por ai që e jeton realitetin e përditshëm shqiptar, ai e di. Ashtu sikundër e di dhe ajo. Të gjithë munden ta shohin "mbretin lakuriq", prandaj dogmat e sheqerosura si tullumba nuk do ta shpëtojnë këtë qeveri në zgjedhjet e ardhshme. Ndoshta, mungesa e Reformës Zgjedhore do ta ndihmojë.
Unë nuk kuptoj se ç'vlerë do të kishte lavdërimi i një qeverie, që nuk ka përmbushur asnjë nga premtimet e saj të rëndësishme. Të themi se nuk ka korrupsion, është gënjeshtër, sepse kjo për shumë vetë ka qenë koha e pasurimit të shpejtë, të themi që u zgjidh problemi i pronës, prapë gënjejmë, institucionet janë më të dobët karshi ekzekutivit, PD është hibridizuar në parti-shtet me aleatë liliputë dhe grindavecë. Mungesa e energjisë elektrike dhe e ujit, kjo gjendje poshtëruese, është diçka që Kryeministri me personalitetin e tij të jashtëbotshëm mundet ta injorojë krejtësisht. A ka sens ta inkurajosh më tej këtë delir? Përkundrazi, kritika është e dobishme. Sensibilizon jo vetëm qeverinë, por edhe qytetarin vetë - që të jetë aktiv në zhvillimin e vendit, të bëjë pjesën e tij si qytetar duke u informuar, opinionuar dhe aktivizuar. Në mbrojtje të interesit publik, jo të kaheve politikë. Demokracia funksionon vetëm kështu. Përgëzimet për një punë maksimumi mediokre, janë pa sens.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›