Selami Xhepa kërkon president konsensual
Disa cicërima mund të dëgjohen nga mazhoranca. Pas deklaratave të deputetit Mark Marku se mbledhjet e grupit në PD janë pak a shumë si mbledhjet e Byrosë Politike, vjen një tjetër qëndrim i guximshëm për deputetët demokratë. Selami Xhepa, deputet i kësaj force, në një intervistë për Panorama, përveçse ka kërkuar ndryshime në qeveri është shprehur për një president konsensual. Loja politike në demokraci nuk presupozon se fitimtari i merr të gjitha; [përkundrazi] sistemi demokratik qëndron mbi parimin themelor check & balance, thotë Xhepa. Ai shpreh vlerësimet më të mira për Fatos Nanon si kandidat presidencial. Edhe Xhepa si Marku tenton të hedhë një kritikë të vockël për mënyrën se si funksionon PD, që nuk pranon brenda saj mendime ndryshe. Besoj se partia ime nuk ka nevojë vetëm për votën time, por edhe për idetë e mia, thotë Selami Xhepa.