Opozitës i duhet ofruar një kompromis dinjitoz
HENRI ÇILI Ngjarjet precipitojnë më shpejt sesa mund të mendohet dhe impasi ku jemi sot është edhe më i madh nga sa mund të mendohej në fillim për të dyja palët. Opozita nuk po del dot nga impasi i bojkotit dhe e vet-radikalizimit kurse Berisha praktikisht ende nuk e ka filluar dot pushtetin dhe reformat e mandatit të dytë. Aktorët shoqërore dhe ekonomikë janë gjithnjë e më të ekspozuar ndaj efekteve të krizës ekonomike, të cilën situata politike, në vend që ta lehtësojë po e rëndon. Në këtë fillim janari janë të gjitha kushtet për një kompromis dinjitoz politik mes qeverisë dhe opozitës, i cili mund të qëndrojë në mesin e kërkesave ekstremale të të dyja palëve. Por fillimisht duhet thënë se Rama dhe Berisha në fakt i kanë realizuar plotësisht deri në fund të vitit të kaluar qëllimet e vërteta politike, përtej atyre që deklarojnë publikisht, që kishin njëri me bojkotin e protestat dhe tjetri, pra Berisha, me radikalizmin e gjuhës dhe mitingun e stërmadh të 8 dhjetorit. Rama, përfundimisht ka lënë nxjerrë nga axhenda çështjen e mbajtjes së përgjegjësive për humbjen e PS-së në zgjedhje dhe ka legjitimuar brenda dhe jashtë partisë pozitën e tij, si lider i PS-së dhe opozitës. Thellë-thellë, brenda vetes asnjë objektiv më të madh nuk kishte synim të arrinte Rama. Nga ana tjetër Berisha, përmes kundërpërgjigjes ndaj protestës, përmes radikalizmit kundër opozitës dhe mitingun e 8 dhjetorit arriti të bëjë të padiskutueshëm një element: çdo gjë ndryshon veç njërës: Berisha kryeministër 2009 – 2013. Me lëvizjet e fundit, Berisha bashkë me kompromisin historik me Metën pas zgjedhjeve, u legjitimua përfundimisht si fitues, pavarësisht çdo tip e lloji problemesh të vogla me standardet e zgjedhjeve 2009. Ndaj janë të gjitha arsyet sot për të arritur një kompromis me cilësorin “dinjitoz” nga mbrapa për opozitën, të frytshëm për vendin dhe për më tepër një kompromis, i cili për maxhorancën do të normalizonte terrenin për qeverisjen e vendit. Mes ultimatumit të pakuptimtë ndaj një Qeverie legjitime të tipit: “Berisha: hap kutitë ose largohu” dhe ligjërimit të Qeverisë se “nuk i hap kutitë për asnjë arsye edhe sikur Enver Hoxha të ngrihet nga varri”, ka një hapësirë të gjerë kompromisi. Ky kompromis duhet të trajtonte një gamë çështjes me rëndësi jetike. Duke filluar nga një reformë e re elektorale e deri kushtetuese në kufijtë e “Republike të re”, siç propozonte Kastriot Islami disa ditë me parë tek “Panorama”. Një grup tjetër çështjesh brenda këtij kompromisi do të ishte balancimi imediat apo i pritshëm i institucioneve të pavarura, të cilat me qëndrimin dy mandate të PD-së në pushtet, rrezikojnë të vihen tërësisht në kontrollin e Qeverisë përmes rotacionit natyror dhe ligjor të institucioneve. Ky është një rrezik i ri në sfond që do të zgjeronin mbi-pushtetin e PD-së mbi të gjithë shtetin. Situata e mediave publike dhe enteve rregullatore të medias private është po ashtu një emergjencë. Normalizimi i jetës politike, përmes një kompromisi politik dinjitoz për opozitën, është jo thjesht rruga më e mirë, por rruga e vetme me interes për palët. Asnjë frymë proteste me peshë nuk mund të ngrejë më opozita e Ramës, asnjë qeverisje normale nuk mund të bëjë Berisha pa opozitën në Parlament.