Sa lehtë mund të zgjidhen gjërat! KQZ i jep mandatin Edison Konomit
Tani është e qartë se kur dëgjon fjalën mandat, kryeministri bëhet i papërmbajtshëm dhe e kërkon për vete, nuk ka rëndësi se çfarë ndodh. Për fat kanë krijuar një lëmsh e një grumbull aq të madh me ligje e rregulla, sa Berisha mund të lundrojë mes tyre për të shpikur çdo gjë për të mos lejuar kundërshtarin të marrë një mandat. Dhe më e tmerrshmja është se në fund bien dakord se nuk ka hapësirë ligjore që e përcakton se si merret mandati, ndaj në reformën më të afërt zgjedhore do e rregullojnë këtë çështje. Kështu ka ndodhur edhe me mandatin e lënë nga Rudina Seseri. Mazhoranca shpiku e trilloi histori, ligje, nene, KQZ, Kushtetuese e në fund çështja u zgjidh parimisht me një raport që u miratua nga Kuvendi dhe iu dërgua Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Këta të fundit vendosën sot për ti dhënë mandatin e deputetit socialistit Edison Konomi, i shtati në listën e kandidatëve për qarkun e Durrësit. Në këtë mënyrë Gjon Bardhi qëndron kryebashkiak i Fushë- Krujës dhe Konomi bëhet deputet. Palët marrin frymë të qeta. Sa lehtë zgjidhen mund të zgjidhen ca çështje.