Sa majtas ka shkuar PD?
Këto ditë është duke u zhvilluar një debat i përciptë lidhur me sa e majtë është dhe sa duhet të jetë Partia Socialiste. Po Partia Demokratike dhe debati mbi natyrën e saj si parti; mbi qasjen apo largimin e saj ndaj së djathtës? Partia Demokratike i është larguar gjithmonë një çështjeje të tillë dhe gjithë këto ditë po dëshmojnë se ajo është duke zënë vend në të majtë të politikës shqiptare. Jo thjesht për faktin që është e angazhuar në një fushatë të përhershme, e cila për definicion është një qasje plotësisht e majtë. Në debatin mbi të majtën dhe të djathtën - që në krye duhet thënë, se një tregues më i vërtetë për bindje të tilla është metoda e argumentimit se sa deklarimi i parimeve. E djathta beson se arsyeja njerëzore ka gjithnjë kapacitet të vogël dhe se eksperienca me dijen e akumuluar janë ato që duhet të sundojnë vendimmarrjen. Ndryshimet rrënjësore janë shkatërruese ose të pamundura. Të djathtët nuk besojnë tek pushteti i planeve 10-pikëshe apo tek programet 100-ditësh. Të majtët besojnë tek ky pushtet, ata janë shumë të dhënë pas zotësisë së arsyes individuale dhe aftësive për ndryshime rrënjësore.
Partia Demokratike në Shqipëri është duke folur këto ditë për tokat që nuk punohen dhe për martesat e homoseksualëve. Një qeveri e djathtë është për natyrë e kufizuar dhe gjërat bazë që e kufizojnë një qeveri të djathtë janë familja, feja, shkolla dhe biznesi. Një prej teoricienëve më të rëndësishëm sot të mendimit politik mbi rolin e qeverive të djathta, Ryan Messmore, thotë se një qeveri e djathtë ka për detyrë "të shprehë dhe të artikulojë të drejtat dhe përgjegjësitë e qytetarëve dhe t'i mbrojë ato kur kërcënohen. Një qeveri nuk ka të drejtë të krijojë "të drejta".
Partia Demokratike, duke u larguar në skaj nga ky qëndrim themelor për të djathtën, ka krijuar të drejtën e marrjes së tokës kur nuk punohet dhe ka hapur rrugën për të drejtën e martesës së njerëzve me sekse të njëjta. Benjamin Franklin thoshte se një popull i virtytshëm është në gjendje të jetojë i lirë dhe kjo është arsyeja pse familja, feja, shkolla dhe biznesi janë kufizuesit themelorë të veprimit të një qeverie të djathtë.
Por PD-ja dhe qeveria e saj janë gjithnjë e më majtas jo thjesht me fushatën e përhershme si përmasë e majtë, apo me artikulimet mbi pronat dhe martesat gay. PD-ja, p.sh., i mbron të dënuarit nga komunizmi vetëm duke u nisur nga argumente të bazuar mbi kushtet e tashme dhe nga rrethanat. Ajo është duke e thelluar këtë gjë dhe nuk ka artikuluar mendim të bazuar jashtë kushteve dhe rrethanave. Edhe vendimet që janë marrë për këtë gjë janë ndikuar po nga kjo mënyrë argumentimi. Edhe vendimet e tjera të qeverisë së Partisë Demokratike në lidhje me Arsimin dhe Shëndetësinë, tregojnë qartë se ajo ka shkuar shumë majtas. Qeveria ka marrë përgjegjësitë për të arsimuar gjithkënd, duke mos i lënë atij asnjë përgjegjësi (as për të kaluar klasën për shembull). Argumentet pse Shëndetësia dhe Arsimi janë 'moçale të majta' - janë shumë më të gjera.
Një muaj pas zgjedhjeve të fundit, Partia Demokratike as e ka në mend të shfaqet në spektrin e djathtë të politikës shqiptare. Edhe ligjet që po propozon - si dhe ata që ka bërë më parë - i ka bërë nisur nga një pozicion që e beson shoqërinë siç është artikuluar nga mendimi i majtë: një kontratë rusojane mes qytetarëve dhe qeverisë. E djathta, që nga E. Burke e deri tek R. Kirk, R. Weaver apo E. Fuelner, e mendon shoqërinë si një kontratë mes njerëzve dhe Zotit, mes njerëzve që janë sot e atyre që kanë qenë dje dhe me ata që do të vijnë nesër. Në mendimin që artikulon Partia Demokratike e Shqipërisë, këto gjëra nuk gjenden askund.
Ajo ka miratuar ligje nisur nga arsyetimi majtist, se ligji është për të rregulluar një gjendje ekzistuese dhe kësisoj harton rregulla se sa punonjës duhet të ketë një ndërmarrje, se sa duhet të jetë paga minimale, legalizon zënien e pronave etj. Në mendimin e djathtë një ligj bëhet për të treguar se si duhet të jetë diçka dhe jo për të rregulluar një gjendje ekzistuese.
Është e qartë se Partia Demokratike nuk e ka bërë një debat mbi atë se sa e djathtë është. Ajo ka vepruar bazuar në argumentet rrethanorë si 'e djathtë,' duke shfaqur njëherazi tërë të brendshmen e saj si e majtë. Situata e sotme në vend e ka kufizuar shumë mundësinë e një debati të tillë. Megjithatë, debati në PS duhet të jetë një shenjë se edhe PD-ja ka nevojë për një tillë.
*Artikulli mund të lexohet i plotë on-line në gazetatema.net dhe shekulli.com.al