Sërish punime, mbyllet Rrëshen-Kalimash
TIRANË- Autostrada e re Rrëshen-Kalimash do të jetë sërish e pakalueshme ndonëse numri i makinave që e frekuentojnë është jashtëzakonisht i madh në këtë sezon veror. Shkak bëhen punimet në tunelin e Thirrës, që ende s'kanë përfunduar edhe pse ai u përurua në mes të qershorit.
Ministria e Transporteve njoftoi sot se "nga ora 23:00 e ditës së martë deri në orën 07:00 të ditës së enjte autostrada Rrëshen-Kalimash do të jetë e pakalueshme. Ky kufizim bëhet për shkak të punimeve elektromekanike dhe perforcuese ne galerine jugore të tunelit të Kalimashit, te cilat per arsye teknike dhe sigurie nuk mund te zhvillohen ne prezence trafiku".
Për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë, 170 kilometra e gjatë, po punohet çdo ditë dhe sidomos në aksin Durrës-Laç, ndërsa ka përfunduar, aksi Milot-Rrëshen dhe më i vështiri Rrëshen Kalimash. Theksojmë se në këtë të fundit ka përfunduar gjysma e punimeve, pasi dy korsite e tjera pritet të përfundojne ne shkurt 2010. Me hapjen e autostrades u shkurtua udhëtimi për në Kukës dhe me tej në Kosovë, ç'ka i hapi rrugë zhvillimit te turizmit. Por punimet e vazhdueshme në tunel, bëhen pengesë për qindra qytetarë nga Kosova që vijnë për pushime në bregdetin shqiptar.