E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emblema e së Djathtës


1979-a ishte viti i një çudie në historinë e politikës së Britanisë së Madhe. Një grua, që e kishte formëzuar me mjaft kujdes, por edhe me shumë vështirësi jetën dhe karrierën e saj, duke arritur në krye të Partisë Konservatore, dhe thuajse krejtësisht e panjohur në Europë, Margaret Theçer, mori detyrën e Kryeministres. Kujtohet vazhdimisht deklarata e saj inaugurale në aulën e Parlamentit, teksa artikuloi si objektiv dhe lajtmotiv parësor të angazhimit vendosjen e plotë të harmonisë sociale. E thënë në atë kohën kur ishulli po përjetonte momente të vështira dhe delikate ekonomike, financiare, sociale, politike e diplomatike, ajo merrte vlerë unikale. Është fakt se, falë strategjisë, taktikës, energjisë dhe pasionit, në jetën e saj politike ajo arriti të përmbushë shumë objektiva, por harmoninë sociale jo. Atë ajo e shpartalloi së bashku me status quonë, të cilën e krahasonte me "ujin e ndenjur të moçaleve".

Qartësia me të cilën e shihte të ardhmen ishte e frikshme; i tillë ishte edhe guximi për t'i implementuar reformat. Forca e personalitetit të saj edhe sot i lë pa frymë si admiruesit, ashtu edhe kundërshtarët. Tezat dhe politikat e saj ishin të gjitha pa përjashtim radikale dhe kërkonin forcë e përkushtim, që vetëm ajo i mbartte. Por ky vrull, pasion e stoicizëm drejtohej me të njëjtin intensitet si për konkretizimin e reformave, ashtu edhe kundër të gjithë atyre individëve që mendonte se e pengonin në marshimin e vet. Ishte pikërisht kombinimi i politikave, reformave dhe stilit të drejtimit ato që konturuan një doktrinë të re: Theçerizmin.

Mbi gjithçka ajo përkufizon strategjinë ekonomike. Qysh në start, Theçeri sulmoi "për t'i asgjësuar" sindikatat, shkurtoi taksat dhe privatizoi industritë kombëtare me qëllimin për ta shndërruar vendin në ekonominë më të lirë kapitaliste, ku shteti nuk mund të ndërhynte. Strategjikisht, zonja Theçer nxiti kulturën e sipërmarrjes dhe maksimalizimit të pasurisë së individit. Është më se e kuptueshme se doktrinat radikale krijohen në momente të caktuara historike. Dhe në fundvitet '70, Britania ishte zhytur në krizë: grevat pasonin njëra-tjetrën, ndërsa inflacioni po bënte kërdinë. Theçeri erdhi në pushtet me premtimin për një ekonomi ndryshe. Premtimin e mbajti: inflacioni u vendos plotësisht nën kontroll. Më 1983-shin, ai ra nga 20% në 4%. Shumë shpejt kreu i qeverisë fitoi reputacionin e politikanes së pakompromis dhe të përkushtuar në funksion të ndryshimit të realitetit ekonomik kombëtar dhe individual.

Një nga kulmet e saj mbetet padyshim ngadhënjimi ndaj pushtetit të pamatë të sindikatave, që i fajësonte për krizën. Asokohe ato organizonin greva duke kërkuar paga më të mëdha, ndërkohë që prodhimi ishte në rënie, çka rrezikonte nxjerrjen e tyre jashtë konkurrencës europiane. Theçer u përgatit gjatë për "goditjen fatale", që u shënua nga ballafaqimi me sindikatën më të fuqishme dhe më militante; atë të minatorëve të drejtuar nga Artur Skargill, të cilin e etiketonte marksist. Theçer, me zgjuarsi krijoi rezerva qymyrguri, aty ku nevojitej, ndaj, efektet e grevës në popull ishin minimale; si edhe vetë solidariteti i masave. Greva zgjati një vit, por fitorja ishte e pashmangshme. Pasi asgjësoi edhe disa sindikata të tjera, ajo i dha një frymëmarrje të re ekonomisë, duke e katërfishuar prodhimin dhe rritur ndjeshëm cilësinë.

"Zonja e Hekurt" besonte verbërisht tek liria e individit dhe ndërprerja e ndërhyrjes së shtetit, që e etiketoi si prelud autoritarizmi. Ndër arritjet madhore ishte privatizimi i sektorëve kryesorë të ekonomisë. Më tej ajo i nxiti punëtorët që, falë çmimeve të ulëta të aksioneve, t'i shndërronte në aksionerë në kompanitë e tyre, çka nxiti prodhimin dhe shpartalloi plotësisht sindikatat. Arritje largpamëse ishte krijimi i kushteve financiare nëpërmjet sistemit bankar që qytetarët të mund të blinin shtëpitë. Shumë apartamente në pronësi të shtetit ju shitën banorëve. Ata u mrekulluan; ndërsa të ardhurat e mbledhura u shfrytëzuan për shkurtimin e deficitit buxhetor.

Komponent jetik ishin reformat radikale në sistemin arsimor. Mësuesit ishin të pamotivuar, infrastruktura shkollore tepër e dobët dhe bibliotekat tejet të varfra. Falë legjislacionit të posaçëm që kaloi në Parlament më 1988-n, ajo ua hoqi politikanëve vendorë drejtimin e shkollave dhe urdhëroi hartimin e kurrikulave të centralizuara. Në linjën e saj kapitaliste ajo inkurajoi vetadministrimin e arsimit. Në vitin 1988 planifikoi Vitin Teknologjik që inicioi vendosjen e një kompjuteri në çdo shkollë të mesme, çka i dha një tjetër dimension mësimdhënies dhe mësimnxënies.

Zonja Thaçer ishte unike në politikën e jashtme. Ajo farkëtoi një aleancë të hekurt me SHBA-në, që kulmoi në periudhën e konfliktit me Argjentinën në ishujt Malvine dhe në përpjekjet e përbashkëta e të koordinuara me ish-Presidentin Ronald Rregan në shkatërrimin e Bashkimit Sovjetik. Një tjetër dimension unikal qëndron tek mosbesimi i thellë i saj ndaj BE-së dhe qëndrimi kundër integrimit në Europë. Duke qenë se besonte tek liria e individit kishte bindjen se një Britani e pavarur do të ishte shumë më e suksesshme dhe më autoritare. Mbetet i paharruar fjalimi i saj në Bryzh të Belgjikës, në 1988-n, kur u shpreh se "Ne i kemi mbrojtur kufijtë tanë dhe nuk do të lejojmë që ato të rihartohen në nivel europian, në kuadrin e një supershteti evropian, që çon në dominimin tonë nga Brukseli. "

Politikania Margaret Theçer dhe doktrina e saj Theçerizmi, mbeten fenomene unikale; dhe debatet për trashëgiminë e saj historike ende vazhdojnë. Janë të shumtë ata që e urrejnë dhe po aq ata që e dashurojnë. Liderë të përmasave të tilla, pesha dhe vlera e arritjeve të të cilëve kapërcen vendin dhe kohën kur kanë jetuar, nuk mund të mos jenë e të mos mbeten tejet kontraversale. Vështirë që për këto personalitete madhore të gjendet një konsensus gjithëpërfshirës; aq më shumë në politikën cinike britanike; por nëse duhet një fjali e vetme, ajo është: Theçerit, brezat i janë mirënjohës për shëndoshjen e ekonomisë, frenimin e kalbëzimit social, fuqizimin e individit, si dhe rritjen e imazhit të qytetarit britanik në botë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›