E Diel, 1 Nëntor 2026

Sa më pak produkte mishi, aq më shumë shëndet

Eskimezët, që ushqehen kryesisht me mish dhe me dhjamëra, plaken shpejt dhe jetojnë mesatarisht 27-28 vjet. Kirgezët, një fis lindor rus shtegtarësh, që jetojnë kryesisht me mish, maturohen shpejt dhe në të njëjtën kohë vdesin herët. Ata rrallë e kalojnë moshën e të dyzetave. Studimet nga antropologët e kulturave jo mishngrënëse kanë dokumentuar shëndetin, qëndrueshmërinë dhe jetëgjatësinë që gëzojnë njerëz të tillë, mes të cilëve mund të përmendim fisin Hunzas në Pakistan dhe tribunë Otomi (vendasit e Meksikës) apo popujt vendas të jugperëndimit amerikan. Te këto fise nuk është e pazakontë të kenë individë të shëndetshëm dhe aktivë, që jetojnë 110 vite e më shumë. Statistikat botërore të shëndetit, në mënyrë të vazhdueshme, tregojnë se kombet që konsumojnë më shumë mish, kanë prekshmëri më të madhe nga sëmundjet (sëmundjet e zemrës, kanceri), ndërsa grupet e vegjetarianëve në vende të ndryshme kanë shkallë prekjeje më të vogël. Një studim i fundit i kryer në rreth 50000 vegjetarianë zbuloi rezultate që tronditën botën e kërkimeve mbi këtë sëmundje. Studimi tregoi qartë se ky grup, në mënyrë të habitshme, ka një vlerë shumë të ulët kanceri. Të gjitha llojet e kancerit zhvillohen në vlera më të ulëta, krahasuar me një grup tjetër të së njëjtës moshë dhe seks. Ai tregoi se jetëgjatësia e adventistëve është po ashtu më e gjatë. Një studim i fundit i Mormonëve në Kaliforni tregoi që kanceri ndodhte në këtë grup në një masë prej 50 përqindësh më të ulët se sa ai i popullsisë tjetër. Karakteristikë e Mormonëve është se hanë pak mish.

Pse ata që hanë mish janë më të rrezikuar nga kanceri? Një arsye mund të jetë fakti që mishi i kafshëve, i cili është i ndenjur për disa ditë, merr një ngjyrë gri në të gjelbër. Industria e mishit përpiqet ta maskojë këtë gjë, duke shtuar nitrite, nitrate dhe konservues të tjerë. Këto substanca e bëjnë mishin të duket i kuq, por në vitet e fundit, shumë prej tyre në mënyrë të vazhdueshme, kanë treguar të jenë kancerogjenë (rrisin kancerin). Dr. William Lijinsky, një kërkues shkencor për kancerin në laboratorin kombëtar të Ridge në Tennessee u shpreh se "unë nuk i jap ushqime që përmbajnë nitrat as maces time".

Për më tepër, shkencëtarët britanikë dhe amerikanë, që kanë studiuar bakteret e zorrëve të mishngrënësve, duke i krahasuar me ato të vegjetarianëve, kanë gjetur ndryshime të dukshme. Bakteret në zorrët e mishngrënësve reagojnë me lëngjet e tretjes për të prodhuar kimikate, të cilat shkaktojnë kancer. Kjo mund të shpjegojë se pse kanceri i zorrëve është i përhapur në zonat mishngrënëse si Amerika e Veriut dhe Evropa Perëndimore, ndërsa është i rrallë në vendet vegjetariane si India. Në Shtetet e Bashkuara, kanceri i zorrëve është forma e dytë më e përhapur e kancerit (i dyti pas atij të mushkërive). Skocia, ku konsumohet 20 për qind më shumë mish lope sesa në Angli, ka një nga shifrat më të larta në botë të kancerit të zorrëve.

Të hash mish shpesh quhet "të hash në majë të zinxhirit ushqimor". Në natyrë, ka një zinxhir ushqimor: bimët "hanë" dritën e diellit, ajrin dhe ujin; kafshët hanë bimët; kafshët më të mëdha ose qeniet njerëzore hanë kafshët më të vogla. Anembanë botës, tashmë fushat po trajtohen me plehra kimike helmuese dhe pesticide. Këto helme ruhen në trupat e kafshëve që hanë këto barëra dhe bimë. Të hash në majë të zinxhirit ushqimor do të thotë që njerëzit të bëhen konsumuesit përfundimtarë dhe për pasojë, marrin përqendrimin më të madh të pesticideve helmuese. Në të vërtetë, mishi përmban 13 herë më shumë DDT sesa perimet, frutat dhe bari. Kjo është veçanërisht e dëmshme për fëmijët e porsalindur, trupat e vegjël të të cilëve marrin gjithë helmet të transmetuara nga nënat e tyre që hanë mish. Helmimi nga mishi nuk mbaron këtu. Kafshët për mish trajtohen me më shumë substanca për të përshpejtuar rritjen e tyre, për t‘i dhjamosur sa më shpejt, për të përmirësuar ngjyrën e mishit të tyre, etj. Me qëllim që të prodhojnë sa më shumë mish me leverdinë më të madhe, kafshët ushqehen me forcë, u injektohen hormone për të nxitur rritjen, u jepen stimulantë për t‘u hapur oreksin, antibiotikë, qetësues dhe përzierje ushqimore kimike. "New York Times", më 18 korrik 1971, raportoi se "rreziku më i madh i mundshëm për shëndetin e konsumatorit janë ndotësit e fshehur - salmonela (bakter që shkakton helmimin e ushqimit) dhe mbetjet nga përdorimi i pesticideve, nitrateve, nitriteve, hormoneve, antibiotikëve, si dhe kimikateve të tjera". Shumë nga këto shtesa janë kimikate që shkaktojnë kancer dhe në fakt, shumë kafshë ngordhin për shkak të këtyre ilaçeve, para se ato të theren. Studimet kanë treguar se pjesa më e madhe e këtyre kimikateve në mish dhe peshk mund të shkaktojnë kancer dhe sëmundje të tjera, të deformojnë një bebe që nuk ka lindur ende dhe të shkaktojnë dëme te gratë shtatzëna dhe fëmijët e vegjël. Si rrjedhim, nënat shtatzënë duhet të jenë të kujdesshme me dietën, për të siguruar shëndetin mendor dhe fizik të fëmijës së tyre të porsalindur. Një rrezik tjetër që u kanoset mishngrënësve është që kafshët infektohen shpesh me sëmundje që nuk zbulohen, ose thjesht lihen pas dore nga prodhuesit e mishit ose inspektorët.Sëmundjet e zemrës janë më të përhapura në shoqëritë ku konsumohet shumë mish, si në SHBA, Kanada, Evropën Perëndimore dhe Australi, krahasuar me vendet ku konsumimi i tij është i ulët.Çfarë është ajo që e bën mishin kaq të dëmshëm për sistemin e qarkullimit të gjakut? Dhjamërat e mishit të kafshëve, të tilla si kolesteroli, nuk treten mirë në trupin e njeriut, përkundrazi fillojnë të ngjiten në muret e enëve të gjakut të mishngrënësve. Me procesin e akumulimit të vazhdueshëm, hapësira brenda enëve zvogëlohet me kalimin e viteve dhe bën që të kalojë më pak gjak në to. Kjo gjendje e rrezikshme quhet arterosklerozë. Ajo i krijon një barrë të rëndë zemrës, së cilës i duhet të pompojë më fort për të shpërndarë gjakun në venat e tkurrura dhe të bllokuara. Si rezultat, tensioni i gjakut ngrihet dhe ndodhin atakët në zemër. Kohët e fundit, shkencëtarët e Harvardit gjetën se tensioni mesatar i gjakut te vegjetarianët e studiuar ishte në mënyrë të ndjeshme më i ulët sesa ai i një grupi të krahasueshëm, jo vegjetarianësh. Gjatë luftës koreane, 200 kufoma ushtarësh të rinj amerikanë, me moshë mesatare 22 vjeç, u ekzaminuan pas vdekjes. Pothuajse, 80 për qind e tyre kishin arterie të ngurtësuara, të ngushtuara nga ngrënia e mishit. Ndërsa tek ushtarët koreanë të së njëjtës grupmoshë u vërejt se nuk vuanin nga ky dëmtim në enët e tyre të gjakut. Koreanët ishin, pothuajse, të gjithë vegjetarianë. Në Amerikë, sëmundjet e zemrës janë vrasësi numër një: një në dy njerëz vdesin nga zemra ose nga sëmundjet që lidhen me enët e gjakut. Përherë e më shumë, mjekët (dhe Shoqata Amerikane e Zemrës) po kufizojnë në mënyrë të prerë sasinë e mishit që mund të hanë pacientët e tyre të zemrës, ose u thonë atyre që të ndalojnë plotësisht së ngrëni mish. Revista e Shoqatës Amerikane të Zemrës raportoi se "një dietë vegjetariane mund të parandalojë 90-97 për qind të sëmundjeve të zemrës (sëmundja trombo-embolike dhe bllokimet koronare)". Shkencëtarët tani e dinë që ushqimi i fortë (celuloza) dhe fibrat e dietës pa mish, në të vërtetë, ulin nivelin e kolesterolit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›