Sa pak kemi mësuar nga paragjykimi shekullor!
Ngjarjet e fundit të ndodhura në vendin tonë, lidhur me pranimin apo jo të homoseksualizmit, janë tepër të rëndësishme për të kuptuar rrënjësisht se në çfarë hullish jemi duke ecur dhe se si përballet shoqëria jonë, sidomos gjinia femërore, ndaj fenomeneve “të keqpërfolura”. Do ta nisim nga e fundit, homofobia apo radha e mospranimeve, fatkeqësisht është shumë e gjatë:
“Ej, mora vesh që Filani, është gej”, i thotë njëra shoqe tjetrës në punë.
“çfarë thua?! Gjynah i shkreti! Goxha djalë”. Ky është një nga komentet e zakonshme femërore, ku homoseksualizmi shihet si një sëmundje e pashërueshme. Ndërsa në anën tjetër të monedhës qëndron lesbizmi, ku panorama bëhet edhe më tronditëse: “Moj, më duket se filania është lesbike”.
“Po, edhe unë ashtu dëgjova. E tmerrshme, ç’po na dëgjojnë veshët. O Zot i madh, na mbaj larg këtyre njerëzve”. Reagimi femëror ndaj lesbizmit është jo vetëm më kundërshtues, por edhe më përjashtues. Edhe pse me pak habi në fillim, femrat e kanë më të lehtë ta pranojnë një mashkull gej, duke e pranuar lehtësisht në shoqërinë e tyre, e madje duke folur lirisht për gjithfarë bisedash, nga buzëkuqi deri te cikli menstrual. Por ndërsa arrijnë, vetëm në dukje, të përshtaten me fenomenin gej, nuk janë të afta ta bëjnë të njëjtën gjë me fenomenin lesbos, i cili në themel ka të njëjtin orientim; një person që zgjedh të kryejë marrëdhënie seksuale me seksin e njëjtë. Femrat ndihen të frikësuara nga ky grup, duke e mohuar kategorikisht me një shmangie të menjëhershme, përshëndetje të ftohta, largim nga shoqëria, reagim që na bën të kuptojmë se ato e pranojnë fenomenin gej jo sepse kuptojnë arsyen apo të drejtën e kujtdo për të zgjedhur, por sepse e shohin si të parrezikshëm për interesat e tyre të ngushta. Sjellje e cila lexohet qartë si diskriminim i qenies njerëzore, ku vihet re një dallim thelbësor, në mos ta quajmë edhe gjinor, çka shpreh më së miri egoizëm femëror, mendjelehtësi dhe “injorancë”. Femrat bëhen egoiste, sepse pranojnë vetëm atë grup të cilin e mendojnë si të parrezikshëm. Bëhen mendjelehta sepse harrojnë çfarë është paragjykimi, i cili për shekuj e shekuj me radhë qëllon si çekan mbi gjininë femërore, dhe çuditërisht nuk u paska mësuar asgjë këtyre femrave. Dhe e treta, bëhen “injorante”, sepse tregojnë jo vetëm padijen e tyre, por edhe mosdëshirën për të mësuar dhe për të njohur më shumë. Për fat të keq ne jetojmë në një vend paragjykimesh, të cilat vijnë për shkak të kësaj injorance, mosdëshire, apo edhe paaftësie për të mësuar më shumë rreth tjetrit, që nuk është i ngjashëm me ne. Kështu ne ende përdorim si ofendim fjalën “fshatar”, ndërkohë që pjesa më e madhe e kanë nga një familjar apo paraardhës nga fshati. Po kështu përdorim fjalën “malok” me të cilën kuptojmë gjysmën e lartme të Shqipërisë. E jam e sigurt se pjesa më e madhe që e përdorin këtë fjalë nuk kanë vizituar ndonjëherë viset e asaj zone, e as kanë njohur ndonjëherë njerëz nga zonat e Veriut. Në qytetin tim të lindjes, në Vlorë, për fat të keq përherë ka sunduar një trinom famëkeq “çam, çoban, çifut”, trinom nga i cili duhet të qëndroje larg, të mos bëje miqësi, të mos kishe besim, e të mos bëje krushqi, vetëm për faktin se këta ishin të ardhur. E në gjithë këtë klimë mospranimesh, ne femrat jemi kryeflamurtare. Ne nuk pranojnë dot një nënë “singëll”, pa i vënë nofka të fëlliqura asaj dhe fëmijës së saj lindur pa baba; ne nuk pranojmë dot një nënë të divorcuar, pa i renditur në kurrikulumin jetësor një sërë dashnorësh të fshehtë; ne jemi të parat që nuk pranojmë zgjedhjet e lira të një femre, por justifikojmë ato të një mashkulli; ne vazhdojmë të jetojmë me shprehjen diskriminuese: “Turpi i burrit lahet me një gjym ujë, ndërsa turpin e gruas nuk e lan dot një det i tërë”. Ne nuk pranojmë dot të vërtetën, por pranojmë të fshihemi pas gënjeshtrës së turpshme, duke zgjedhur të jetojmë nën një vel të rremë vërtetësie, mjafton që ai maskon “të gjitha të zezat tona”, që në të vërtetë nuk janë të zeza, janë vetë ngjyrat e jetës, por që mendja jonë e mbyllur nuk i shquan dot, e shikimi ynë prej ekrani bardhezi nuk arrin t’i përcjellë apo depërtojë. Ne femrat ende nuk e kemi kuptuar se çfarë është e drejtë për jetesën tonë, ndoshta për shkak të dritëshkurtësisë së të shkuarës, çka nuk duhet ta përdorim si mbrojtje sa herë na nevojitet një justifikim. Mendoj se këtu në vendin tonë, rolin kryesor për të ecur përpara e kemi ne femrat, dhe jemi ne që duhet të marrim përsipër detyrat e vështira: të zgjerojmë horizontet dhe të shohim përtej shfaqjes; të hapim mendjet tona, të njohim veten tonë, dhe të mësojmë më shumë rreth jetesës, rreth kulturës së njerëzve të tjerë. Nëse duam të respektohemi e të mos gjykohemi. Nëse duam të na dëgjohet zëri në shoqëri, atëherë duhet të jemi të parat që të mësojmë të respektojmë zgjedhjet, vendlindjen, gjininë, ngjyrën, apo prejardhjen e personave që na rrethojnë. Kështu do të kemi mundësinë që rrugëtimi ynë në këtë jetë të ketë vlerë dhe kuptim, duke lënë shenja të dukshme e të qarta ku të ecin fëmijët tanë.