E Diel, 1 Nëntor 2026

Sa po investohet për mjedisin në Shqipëri?



Maqedonia bëri 19 nëntorin pushim për të mbjellë 6 milionë pemë në zonat e shkrumbuara nga zjarret e vitit 2007 dhe u bëri thirrje shteteve fqinje ballkanike që të ndjekin nismën e saj për të mbjellë miliona pemë në rajon. Ky aksion u quajt “Dita e pemës - mbill të ardhmen tënde”, një nismë që synon të ripyllëzojë 35 000 hektarët e shkrumbuar nga zjarret e 2007-ës dhe të rrisë ndërgjegjësimin rreth mjedisit tek qytetarët. Aksioni në Maqedoni rezultoi suksesshëm, duke sjellë së bashku me qindra mijëra qytetarë që vullnetarisht mbollën 6 milionë pemë në një ditë të vetme.

Po në Shqipëri, çfarë po bëhet për ripyllëzimin e sipërfaqeve të djegura? Sipas faqes së internetit të Ministrisë së Mjedisit, rezulton se kemi pasur 780 hektarë të pyllëzuar gjatë viteve 2005-2007, dhe 1 milion fidanë të mbjellë në 2008-ën. Kjo sipërfaqe e pyllëzuar në 3 vjet është shumë e vogël, po ta krahasosh me sipërfaqen që në Maqedoni vullnetarët mbollën në një ditë të vetme.

Në Shqipëri investimet publike në mjedis janë minimale. Duhet të theksojmë se buxheti i 2009-ës parashikon që buxheti për mjedisin të kapë rreth 0.2% të prodhimit të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), një nivel investimesh publike mjedisore i vogël po të krahasohen me mesataren e investimeve mjedisore si përqindje e PBB e vendeve të BE-së. Sipas Eurostatit (Zyra Statistikore e BE-së), mesatarja e investimeve publike në mjedis e 10 vendeve të reja që u futen në BE, në 2004-ën ishte rreth 0.61% e PBB-së së tyre. Duhet të theksojmë se Bullgaria pati investime publike rreth 0.75% të PBB-së për 2004. 0.2% e PBB-së që shkon për mjedisin është një nivel investimesh publike në mjedis shumë i ulët në krahasim me 10 vendet e reja të BE-së, duke pasur parasysh që Shqipëria synon të aplikojë së shpejti për vend kandidat në BE. Raporti i progresit të Shqipërisë për 2008-ën i përgatitur nga Komisioni Evropian tregon (f. 41) se Shqipëria ka bërë përparim të papërfillshëm drejt energjisë së rinovueshme.

Përse duhet t’i japim rëndësi mjedisit dhe përse ne duhet të investojmë më tepër në mjedis, mos vallë do të ishte më mirë që të mos investohet aspak për mjedisin?

Ka një sërë arsyesh se pse duhet dhënë më tepër për mjedisin në vendin tonë.

Së pari, kujdesi për mjedisin dhe investimet në mjedis kanë qenë minimale si gjatë periudhës së diktaturës ashtu dhe gjatë tranzicionit. Ndërsa gjatë diktaturës industria shkatërroi një pjesë të mjedisit në Shqipëri, gjatë tranzicionit ishte moszbatimi i ligjit ai që bëri që pyje të tëra të zhduken dhe të kemi ndotje nga vetë qytetarët. Duke qenë në prag të një aplikimi të mundshëm të Shqipërisë për vend kandidat në BE, progresi që ne kemi bërë në fushën e mjedisit është minimal, gjë që theksohet dhe në raportin e Komisionit Evropian të 2008-ës (f. 37-38). Komisioni vlerëson se Shqipëria po ecën shumë ngadalë në fushën e mjedisit dhe zbatimi i ligjeve në mbrojtjen e mjedisit është minimal.

Së dyti, mbjellja e pemëve në zona urbane ose rreth tyre, sjell përfitimet për vetë banorët e Shqipërisë. Sipas një studimi të fundit të kërkuesve dr. Riçard Miçëll nga Universiteti i Glasgout dhe dr. Frenk Pofam nga Universiteti St. Endrjus, rezultoi se rritja e përqindjes së gjelbërimit në lagjet e qyteteve kishte një korrelacion negativ me numrin e rasteve të sëmundjeve në zonë. Kjo do të thotë që sa më shumë gjelbërim, aq më pak raste sëmundje. Në studim tregohet se ndikimi është aq i madh, saqë ulja e numrit të rasteve të sëmundjeve është me 50%. Lidhja e gjelbërimit me uljen e numrit të sëmundjeve është vërejtur edhe në studime të tjera të zhvilluara në Holandë nga J. Mas et al.

Në rastin tonë, duke investuar në shtimin e zonave të gjelbra, ne në të vërtetë po investojmë edhe në shëndetin publik, pasi dihet shumë mirë që pemët dhe bimët në përgjithësi janë thelbësore në cilësinë e ajrit në qytete. Ajri është një e mirë publike që na përket të gjithëve dhe një cilësi e dobët e ajrit na prek të gjithëve pa marrë parasysh. Prandaj, në Shqipëri nevojiten investime më të mëdha në gjelbërim, duke ulur kështu shpenzimet në shëndetësi. Ne nuk duhet të mjaftohemi vetëm me disa qindra hektarë pyje të mbjella.

Së treti, investimi në mbrojtjen e mjedisit është një investim i vërtetë jo vetëm në shëndet, por edhe në ekonomi. Shkatërrimi i një pylli për lëndë drusore apo i një mali për ta bërë materiale ndërtimi, mund të duket si fitim, por në fakt kostot dhe dëmi ekonomik që nuk paraqiten në bilanc janë më të mëdha sesa fitimet monetare të perceptuara nga ne.

Kosto si humbja e oksigjenit që pemët prodhonin, humbja e mbrojtjes nga erozioni, humbja e rezervave ujore që mali së bashku me ekosistemet përmban, biodiversiteti i humbur (së bashku me bimë mjekësore që shërbejnë për farmaceutikë), humbja e filtrimit që ky ekosistem i bën ajrit dhe ujit etj., janë kosto që asnjëherë nuk deklarohen, por që në fakt janë kosto të vërteta financiare.

Po sjell një shembull për ta ilustruar se sa e madhe është humbja financiare nga dëmi në mjedis. Një studim i financuar nga Komisioni Evropian ka përllogaritur se kjo humbje financiare që rezulton nga humbja e kapitalit natyror, shkon nga 2-5 triliardë dollarë amerikanë në vit, një shumë disa herë më e madhe sesa humbja prej 1.5 triliardë dollarësh që llogaritet nga kriza e fundit financiare që ka prekur botën.

Ndërsa investimet në energjinë e rinovueshme në Shqipëri mund të duken si disa investime thjesht për të kënaqur kërkesat e ambientalistëve dhe BE-në, në fakt ato janë investime strategjike për ekonominë dhe mirëqenien e popullatës, sidomos në prag të një rritjeje të temperaturave si shkak i ngrohjes globale kur uji nuk mund të shihet më si një burim i sigurt energjie ku Shqipëria të mbështetet në të ardhmen. Siguria energjitike është edhe siguri për biznesin dhe rritjen ekonomike, prandaj Shqipëria duhet të investojë më shumë në këtë fushë.

Të dielën e kaluar, Obama bëri komentin e tij më thelbësor rreth mjedisit, duke deklaruar që do ta bënte çështjen e mjedisit parësore në planin e tij ekonomik për të shpëtuar SHBA-në nga kriza ekonomike që e ka prekur. Obama deklaroi gjithashtu se do të krijonte 2.5 milionë vende pune të reja në fushën e energjive alternative të rinovueshme.

Shqipëria duhet të marrë shembull nga vendet e tjera dhe nuk duhet të mbesë mbrapa në fushën e mjedisit; investimet në këtë fushë duhet të rriten dhe çështja e mjedisit të merret seriozisht nga të gjithë, sepse është një çështje që prek çdokënd, pa dallime partiake, etnike apo fetare, prandaj duhet vepruar sa nuk është tepër vonë për të.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›